Në BE pa pesimizëm dhe cinizëm

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut (MV) Zoran Zaev shfaqi emocione negative ndaj Bashkimit Evropian (BE) nëse në pyetje do të jetë çështja e indentitetit maqedonas. Si asnjëherë më parë që kur Nikolla Gruevski u largua nga pushteti, qeveritarët e Shkupit duket se janë lodhur nga pritja e gjatë për tu anëtarësuar një ditë në union. As vaksinat nga Pfizer dhe as paketa nga Serbia nuk arritën ashtu siç u parashikua nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev.

1.Opsionet janë të hapura për MV, të përcaktohet për vaksinën kineze ose ruse, cila të arrijë më shpejtë në vend dhe të administrohet tek popullata. Pas vetos bullgare pesimizëm dhe cinizëm nga të gjitha anët, saqë edhe përkundër ndihmave të mëdha nga BE për MV kjo nuk është aq e mjaftueshme për Shkupin, për t’i bërë të gëzuar dhe kënaqur qeveritarët me paratë e taksapaguesëve evropianë dhe atyre amerikanë.

Rruga evropiane nuk është aq e lehtë, ashtu siç nuk ka qenë e lehtë edhe për shtetet evropiane pas Luftës së Dytë Botërore kur duhej t’i tejkalonin dallimet që çuan në luftërat botërore dhe evropiane. Gjermania dhe Franca nga armiq të dy shekujve të fundit u bënë aleatë dhe shtete që BE-ja sot nuk mund të funksionojë dhe marrë vendime. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e MV-së duhet të punojnë në një plan afat mesëm që do t’i nxirrte shtetet nga kriza e cila është si pasojë deri diku e pandemisë. Krejt këtë pesimizëm nuk mund t’ia lëmë BE-së apo sëmundjes globale, kur dihet se çështjet e pazgjidhura e kanë burimin në mentalitetin e vjetër të drejtuesëve.

Mentaliteti i vjetër i politikanëve tanë nuk dallon aq shumë prej atyre të ish udhëheqësve të viteve të 70-ta apo të 80-ta kur pas hapjes së ekonomisë kineze në vitin 1974, mendonin se Sino-politika do t’ju sillte më shumë të mira dhe financa se sa KEE-ja dhe SHBA të cilët kishin derdhur disa biliona dollarë amerikanë dhe marka gjermane në Jugosllavinë e Titos (1948-85).

  1. Kur jemi tek qeverisja e re në MV, nuk ka dilema se pa një strategji të menduar mirë dhe larg shovinizmit dhe nacionalizmit, MV nuk do të shoh përparim në raportet e brendshme dhe me fqinjët. Janë të qëllimshme deklaratat e tilla që vijnë nga Shkupi se BE-ja është pengesa që vendi të mos i fillojë negociatat. Mungesa e parashikimeve të sakta se ku qëndron nyja që vazhdimisht i sjell politikanët e Shkupit para dilemave, do të mbetet si peng që do t’i ndërlikojë marrëdhëniet jo vetëm me shtetet e rajonit por, edhe do të prodhojë mjegull me qasjen e Shkupit ndaj proceseve të euro- integrimeve. Pastaj në kohën e pandemisë globale, tkurrjes ekonomike dhe rritjes së emocioneve të zhurmës së vjetër gjeopolitike evropiane, nuk mund të presim që Brukseli dhe Uashingtoni të reagojnë shpejtë për problemet që kanë sfond shekullor e historik. Për më shumë, duhet të pastrohet gjyqësori dhe promovohet rendi dhe shteti ligjor, pasi Maqedonia e Veriut këtë viti u rendit edhe më keq për sa i përket nivelit të korrupsionit. Kjo është një vëretje e madhe për qeverinë në Shkup, bashkë me opozitën se si nuk po arrijnë të bashkohen në çështjet që kanë ndikim në të ardhmen e procesit integrues.

Kapitujt e të drejtave dhe të gjyqësorit të BE-së, me këtë qasje të qeverisë do të jenë më të vështirat për tu zbatuar nga institucionet e MV-së. Legjislacioni i BE-së nuk është vetëm për tu botuar në ueb faqet e ministrive apo të qeverisë, ajo duhet zbatuar nga organet e pushtetit që banorët ta ndjejnë shtetin ligjor.

Ky pesimizëm sikur i ndjek qeveritarët e Shkupit edhe para se Gruevski të vinte në pushtet. Në vitet e 90-ta klasa politike maqedonase vazhdonte të shfaqte pasiguri pas shkëputjes nga Federata Jugosllave dhe asnjëherë nuk bëri ndarjen nga Beogradi për arsye të varësisë dhe mungesës së vizionit të qartë të qeverive për hyrje apo jo në BE. Identitetin maqedonas nuk e kundërshton e tërë Evropa, këtu kryeministri Zaev duhet të bëjë dallimin se pse Bullgaria ishte e detyruar të vendosë veto. Përsëri zgjidhjen e problemeve fqinjësore duhet kërkuar tek dialogu dhe diplomacia e parandalimit të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të reja në Ballkan.

Po edhe sikur të mos na duhet BE-ja apo SHBA-ja, atëherë cili shtet tjetër do të dërgonte ndihma përveç BE-së dhe SHBA-së që me dekada dhe gjatë pandemisë për Maqedoninë e Veriut kanë treguar solidaritet duke dërguar për qytetarët e MV-së mjete financiare dhe teknologji?! Kina dhe Rusia ende janë larg të qenit hegjemon dhe shpërndarjes së fuqisë për të mirën e popujve dhe promovimin e balancës në sistemin ndërkombëtar.
Të gjitha ata që ende mendojnë se Kremlini dhe Pekingu do të mund të bëjë më shumë se BE dhe SHBA, e kanë gabim, dhe këtu mund të vërtetohen me prejardhjen e virusit dhe lojës kineze me vaksinat bashkë me taktikat ruse të Sputinik -V. Ajo që duhet të bëjë qeveria në Shkup, është të gjejë zgjidhje të shpejtë me Bullgarinë, të përgatisë sa më shpejt infrastrukturën kritike të vaksinave, dhe të përmirësojë gjendjen socio-ekonomike të vendit me krijimin e vendeve të reja të punës pa dallime etnike, gjinore dhe sociale. Rruga do të jetë e vështirë drejt BE-së, por pa pesimizëm dhe hamendje nga Shkupi zyrtarë. BE nuk është vetëm vlerë, por edhe transformim si shtet dhe shoqëri. Për me qenë cinik dhe mosmirënjohës është shumë lehtë, por të shihen ngjarjet me realizëm, do të jetë obligimi i ri për kryeministrin Zaev dhe opozitën, bashkë me presidentin Pendarovski. Këtë duhet ta bëjë këtë vit, pasi pandemia do të përcaktojë edhe të ardhmen e BE-së dhe shumë shteteve që i takojnë bllokut liberal.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button