DASHURIA, XHUMAJA, LIBRAT

Lindita Kadriu
Lindita Kadriu

On Tuesday, January 26, 2021, Xaka Jonuzi wrote:

Ablla,

Shkoi java e kaluar huq pa u parë, edhe kjo javë kah fundi më. Si duket ti ablla je dashuruar, dhe shkëmben vetëm letra dashurie me të dashurin. Sa qejf është kur dashuron..

Digresion, kur e hapa mailin për të shkruar, qesha, e pash se e ke në yahoo dhe m’u kujtua një gazetare në një emision të vet, para shumë viteve. Në fund fare të emisionit, tha Ju mund të më shkruani në jahoo d.m.th e tha ashtu si e shkrova unë, bilez në fund i shqiptoi dy o-ja, qeshëm me Raskën. Nuk është përqeshje por thjesht m’u kujtua 🙂

…para do ditëve kur flisja me K.Çelikun për ca tema, tha Koka shëndosh, kapuça ka plot. Ka qenë ekspert i kësaj fushe në vitet e tija më të hershme 🙂

Përndryshe jam shumë e zënë me fëmijët. Stereo ma, plus ky i vogli ka një shije të stërholluar, d.m.th është fëmijë që nuk han, e kur nuk han nuk bën gjumin. Këtë gjë e kuptojnë nënat që kanë pasur fëmijë të tillë si të vegjël, ose që kanë tash. Me kaq përfundon muhabeti për mëmësinë. Këto muhabete janë shumë të bezdishme me njerëz që nuk kanë fëmijë të vegjël. Këto muhabete duhen të bëhen vetëm në mesin e nënave që kanë fëmijë po të asaj moshe. Këtë e kisha propozuar edhe si ligj.

Dalim së shpejti për kafe. Për cigare mos u brengos, do kem unë 🙂

p.s. Ai tosti më shijoi shumë asaj dite rrugës për Tetovë. Mundohesha ta marr vesh çfarë ke futur brenda, më duket se djathë të bardhë, curry sos… pastaj thash Sa e lodhim trurin, thjesht haje, po të shijoi, pak rëndësi kanë përbërësit. Ky është problemi te njerëzit, harxhojnë një kohë të caktuar në mendjen e tyre, për një gjë që ka kaluar, shumë pak e shijojnë momentin.

On Tuesday, January 26, 2021, Lindita replied:

Tung Xake,

Më shumë se sa unë, në vlugun e dashurisë na ishte B, i erdhi e dashura e cila aspak nuk qenka nga Bratisllava siç e mendoja unë, por nga Praga. Në një seminar për Pragë B u ndal në Bratisllavë, ngaqë e paska biletën ashtu, a unë mendoja ka qenë te vajza. Kështu më ndodh ndonjëherë, krejt gabim i memoroj ose bën njëfarë ndërlidhje timen të gjërave dhe këtë e fiksoj si mendim. Ka edhe më keq, unë isha e bindur se djali im është 22 vjeç, ashtu u thoja njerëzve derisa ai, pasi më ka dëgjuar bezbeli duke thënë kështu më tregoi se ende nuk i ka mbush 21 vjet. Çashtu, cirkus, krejt diku tjetër e kam mendjen.

Xhumes i doli nga shtypi libri Flasim përhanshëm në botim të Sythit, biseda me shkrimtarë me pyetje jokonvencionale. Kishte edhe një pyetje Çka mendon Barleti për Lindin, ta gjej atë pjesë dhe ta nis për pak humor. E sheh abllës, edhe ne që i kemi të rritur fëmijët ndonjëherë na pëlqen të flasim si gjatë për ta, prandaj këtu e përmbyll këtë pjesë.

Gazetarja që ke përmendur…seç i ka do bisera, a ndonjëherë është e saktë në rentgenimin e gjërave. Kështu më kujtohet edhe nga koha kur ishim kolege, ishte përkrahëse dhe të frymëzonte për punë, sidomos mua që isha në fillet e punës atëherë në MTV, por i kishte edhe do shpërthime joracionale të xhelozisë, siç është joracionale xhelozia përherë.

Nesër në mesditë, xhuma, atmosferë e mirë në çarshi kur burrat falen në kalldërm. Mesdita a është termin i lirë për nënën stereo?

Ku ta blej një libër Çapkënat e klasës dhe t’ia dhuroj një kushëriri të vogël? Jo dhuratë, blerje. Mundet edhe t’ma sjellësh dhe ta paguaj, ama unë më shumë qejf paskam të shkoj në pikën e shitjes.

Mirë e ka Kaloshi, flet nga përvojat. E tash, ndonjë kapuç na rri më mirë, ndonjëri nuk na ujdiset bash, ama prap koka është kryesorja. Edhe diçka për aspekt tjetër të temës, N për njerëzit që nuk e përdorin gjithaq kokën thoshte Ncncnc, a bajgji e ka vëndu kokën në bash të vendit, haha.

Momentet janë gjithçka, Edhe periudhat e bukura në jetë nuk i kujtojmë përmes shifrave apo sukseseve, por para së gjithash si moment apo varg momentesh. Të kaluarës nuk kemi çka i bëjmë përpos të nxjerrim ndonjë lekcion apo t’i ruajmë kujtimet, të ardhmen shkurt thënë nuk e dijmë, por ajo që sigurt e kemi është Fokusi në Tash dhe Këtu.

me këto filozofia, të përshëndes ablla dhe pafshim kismet Te Isaki.

p.s cigaret ti 🙂 unë ndoshta gurabie.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button