Pendarovski, Zaevi dhe Xhaferi zhvilluan takim koordinues për zbatim të suksesshëm të regjistrimit

Presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi, zhvilluan takim koordinues për zbatimin e suksesshëm të regjistrimit, i cili pritet të bëhet në prill të këtij viti. Krerët më të lartë të vendit, u shprehën se regjistrimi është proces shumë i rëdësishëm dhe se duhet mbështetja e të gjithëve, përfshirë këtu edhe të qytetarëve, njofton Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski u shpreh se problemet në lidhje me regjistrimin nuk janë as ligjore, as kushtetuese, as teknike, as shëndetësore. Sfida më e madhe në zbatimin e tij, tha ai, mund të jetë vetëm politizimi i panevojshëm që është krijuar për disa kohë. Ai tha se pret që të gjithë, të jenë në kulmin e sfidës historike. Organizimi i një regjistrimi të besueshëm do të jetë gjithashtu një provë e pjekurisë së vendit tonë.

“Ky regjistrim do të kryhet në një periudhë të pazakontë. Për shkak të pandemisë, e gjithë bota po kalon një transformim të madh. Suksesi i një vendi matet nga aftësia e tij për t’u marrë me efektet e shumta ekonomike, sociale, shëndetësore, mjedisore dhe arsimore të një pandemie. Një nga elementët kryesorë që është i nevojshëm për politikat e suksesshme është pasqyra reale e popullsisë dhe struktura e saj ekonomike, arsimore dhe sociale. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të marrë pasqyrë realiste, përveç përmes regjistrimit si një operacion statistikor që është parakusht për çdo shtet të organizuar të jetë në gjendje të planifikojë zhvillimin e tij. Fatkeqësisht, për arsye të njohura, nuk kemi pasur ato statistika vitale për gati 20 vjet”, deklaroi Pendarovski.

Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev, përsëriti edhe njëherë se thirrja për bojkot nënkupton papërgjegjësi dhe mungesë ndërgjegjeje për dëmin që mund t’i shkaktohet vendit me këtë sjellje.

“Insistoj në terminin për regjistrim sepse me vendimet ligjore regjistrimi do të kryhet si operacion statistikor sipas standarteve të Kombeve të Bahkuara dhe Eurostatit, gjegjësisht sipas standardeve më të larta evropiane dhe botërore që asnjëherë të mos trajtohet si çështje politike. Përpara nesh qëndron një detyrë ta mbështesim regjistrimin e popullsisë, që do të japë një pasqyrë faktografike për gjendjen në shtet. Bojkoti bart vetëm konfuzion ndër popullatë, dëm serioz ndaj shtetit dhe asgjë të mirë, asgjë pozitive. Bojkoti është sjellje e papërgjegjshme, pasi me mos realizimin e regjistrimit bëhemi vendi i vetëm, i cili nuk mund të planifikoj asnjë zhvillim nga askepkti arsimor, kulturor dhe ekonomik”, deklaroi Zaev.

Kryeparlamentari Talat Xhaferri, tha se është me rëndësi të jashtëzakonshme që çdo faktor në operacionin e quajtur Regjistrim, ta kuptojë atë seriozisht, duke filluar prej institucioneve në nivelin qendror dhe lokal, instruktorëve dhe regjistruesve dhe të fundit, më të rëndësishmit, qytetarët.

“Bëj thirrje që japin mbështetje personave të angazhuar për regjistrimin, të japin të dhëna të sakta për anëtarët e pranishëm dhe mungues të familjeve, mos provojnë të japin të dhëna të pasakta sepse dhënia e rrejshme, krahas asaj që është vepër e dënueshme me ligj, në këtë apo në atë mënyrë, përsëri do na kthehet ne, si bumerang. Të mbledhim  forcat, të lëmë anësh të menduarin tonë egoist dhe të ngritemi mbi situatën, t’i pranojmë rezultatet e regjistrimit dhe të zhvendosemi më nga ai qorrsokak ku kemi ngecur me konstruktin tonë mental anakronik që mos vijë radha të bëjmë regjistrimin e banorëve të shpërngulur dhe të mbetur në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Xhaferi.

Ndryshe, regjistrimi i popullsisë pritet të realizohet në periudhën prej datës 1 deri më 21 prill të vitit 2021. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur Kuvendi votoi ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për këtë ligj debati përfundoi javën e kaluar, por për shkak të mungesës së kuorumit, votimi ishte prolonguar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button