fbpx

Shkup, “Ti nuk je fajtore”: Qindra protestues i dolën në mbrojtje viktimave të grupit “Dhoma Publike” (VIDEO-FOTO)

“Ti je viktimë”, “Nuk është faji yt”, ishin vetëm disa nga parullat të cilat u dëgjuan sot në marshin protestues në mbështetje të viktimave të grupit kriminal “Dhoma Publike”, protestë kjo e organizuar nga Platforma për Barazi Gjinore. Avokatja Marta Gusar theksoi rëndësinë e denoncimit të rasteve të tilla ndërkaq aktivistja Drdanevska nga koalicioni “Margini” potencoi qasjen e dobët të institucioneve kompetente kundrejt kësaj problematike, shkruan Portalb.mk.

Marshi protestues filloi sot në ora 14:30 para Ministrisë së Brendshme dhe përfundoi para objektit të Prokurorisë Publike. Gjatë gjithë ecjes aktivistët dhe protestuesit jepnin mesazhe për rëndësinë e zbardhjes së këtij rasti deri në fund.

Cilat janë kërkesat e protestuesve?

  • Prokuroria Publike të zbardhe menjëherë çështjen e “Dhomës Publike” e cila përbën vepër penale.
  • Të ketë dënime përkatëse për administratorët e grupeve, si dhe të gjithë anëtarët që dërguan dhe dërgojnë fotografi dhe shpërndajnë informacione personale të vajzave dhe grave.
  • Të rregullohen ligjërisht ngacmimet seksuale në internet.
  • Të ketë kujdes të duhur nga institucionet kompetente për viktimat e këtij rasti.

Protestuesve me fjalim ju drejtua avokatja Marta Gusar, e cila për herë të parë pranoi se ka qenë një ndër viktimat e grupit kriminal “Dhoma Publike” ajo theksoi se menjëherë ka denoncuar rastin në institucionet kompetente dhe këtë ua sugjeroi të gjitha viktimave tjera të mundshme.

Marta Gusar, avokate.
Marta Gusar, avokate.

“Numri ishte shpërndarë për “takime diskrete”, ashtu më shkruanin, për “takime”. Nga kur ishte shpërndarë numri im në atë grup, normalisht, dy orët e para nuk munda të marr veten dhe të besoj që kjo mua më ndodh, ndërsa mund të i ndodhë secilit. Denoncova menjëherë, bëra skrinshot numrave që më telefonuan, marrë parasysh se më shkruanin në aplikacionin viber, ndërsa te numrat që kishin fotografi të personave i denoncova për ngacmim seksual” tha Gusar.

Ndërkaq, sipas aktivistes Dragana Drdanevska nga koalicioni “Margini”, të gjitha denoncimet të cilat vajzat i kanë bë për vepra të tilla, kanë përfunduan në denoncim, gjegjësisht nuk kanë marrë përgjigje dhe rastet janë mbyllur pa epilog.

Dragana Drdanevska nga koalicioni “Margini”
Dragana Drdanevska nga koalicioni “Margini”

“Institucioni nuk është efikas kur bëhet fjalë për ngacmimet seksuale në internet, kështu ndër vite dëgjojmë arsyetime të ndryshme për mos dënimin e kryerësve të këtyre veprave. Denoncimet tona për ngacmimet dhe shqetësimet online dhe gjuhën e urrejtjes përfundojnë me denoncimin, nuk marrim asnjë përgjigje, si dhe në rastet më të mira, prokuroria themelore dhe prokuroria publike e hedhin topin mes vete” tha Drdarevska.

Ajo rikujtoi faktin se “Dhoma Publike” është paraqitur fillimisht një vit më herët ndërsa institucionet kompetente sipas saj, nuk kanë ndërmarrë asgjë në drejtimin e sanksionimit të anëtarëve të asaj grupe, përkundrazi, siç thotë Drdarevska, kryerësve të kësaj vepre penale u është dhënë mbështetje.

“Kur u paraqit rasti, institucionet kompetente tentonin të na bindin se po ndërmarrin gjithçka bazuar në ligjin, dhe se kryerësit do të sanksionohen. Megjithatë, pas një viti, u bë e dukshme se kjo nuk do të ndodhe, me çka, u dha mbështetje për kryerësit, dhe jo për viktimat. Viktimat po rriteshin, ndërsa kryerësit e veprës nuk frikësoheshin, vazhduan me ngacmimin seksual, me keqpërdorimin e të dhënave personale” shtoi Drdarevska.

Foto nga Vanco Dzambaski:

This slideshow requires JavaScript.

Video nga marshi protestues:

Të hënën Ministria e Brendshme tha se ekzaminon telefonat celularë të katër të dyshuarve në çështjen “Dhoma Publike”. Sektori për krim kompjuterik në Ministrinë e Brendshme po heton përmbajtjen dhe kërkon prova se çfarë fotografish dhe videosh posedojnë, nëse mes tyre ka materiale pornografike për të mitur.

Paraprakisht, Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, në profilin e tij në Facebook njoftoi se grupi “Dhoma Publike” ishte mbyllur.

“Nga Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale më informuan se grupi “Dhoma Publike” është e mbyllur. Përshëndesim këtë hap të platformës Telegram”, njoftoi Spasovski.

Ai premtoi që do të dënohen gjithë personat që e kanë shkelur ligjin, duke sqaruar se janë duke dokumentuar rastet.

“Bëj thirrje për kujdes, pasi në platformën Telegram ka edhe grup tjetër të ngjashëm, do të veprojmë edhe për anëtarët e kësaj grupe”, paralajmëroi Spasovski, duke theksuar se të gjithë që do të shkelin ligjin do të mbajnë përgjegjësi.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut dje janë arrestuar katër persona në lidhje me rastin “Dhoma publike”, një grup në rrjetin social “Telegram” në të cilin shpërndahen fotografi private dhe eksplicite të vajzave dhe grave të Maqedonisë së Veriut. Një grup i tillë u paraqit para një viti, por rasti është pluhurosur në Prokurori pasi që ende është në fazë parahetimore.

Në lidhje me rastin, presidenti, kryeministri, e ministri i Punëve të Brendshme  kanë reaguar me tone të ashpra për rishfaqjen e “Dhomës publike”. Gjatë ditës ishin arrestuar dy të dyshuarit e parë të rastit.

Kryeministri Zoran Zaev, njoftoi se Qeveria ka dërguar kërkesë kategorike deri te “Telegram” që ta fshijë grupin “Dhoma publike”, në të kundërtën do të marrin masa për bllokimin e këtij rrjeti social në vendin tonë.

“Do t’i ndërmarrim të gjitha masat e domosdoshme që të ju mbrojmë dhe t’i ndëshkojmë kryerësit e këtyre veprave të tmerrshme”, shkruan kryeministri duket dërguar mbështetje për të gjithë ata që kanë treguar solidaritet dhe e kanë dënuar këtë akt.

Edhe presidenti Stevo Pendarovski ka reaguar me tone të ashpra për rastin “Dhoma publike”, Ai kërkon që organet e shtetit ta hulumtojnë rastin dhe t’i ndëshkojnë përfaqësuesit.

Dënime të larta, por s’ka kush t’i shqiptojë

Kodi Penal parashikon dënime me burg për veprat që lidhen me prodhimin dhe shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve. Dënimet varrojnë nga pesë deri në tetë vjet.

Në nenin 193-a thuhet:

  • (1) Një person që prodhon pornografi të fëmijëve për qëllimin e shpërndarjes së tij ose e transmeton ose e ofron atë, ose ndryshe e vë në dispozicion pornografinë e fëmijëve, dënohet me burgim së paku pesë vjet.
  • (2) Personi që blen pornografi të fëmijëve për veten e tij ose për një tjetër ose posedon pornografi për fëmijë, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet.
  • (3) Nëse vepra penale nga paragrafët (1) dhe (2) të këtij neni është kryer përmes një sistemi kompjuterik ose mjeteve të tjera masive, kryerësi dënohet me burgim së paku tetë vjet.

Derisa Ministria e Punëve të Brendshme po punon në pastrimin e rastit me riaktivizimin e grupit “Dhoma publike”. E njëjta situatë ndodhi para 1 viti, por Prokuroria ende nuk e ka pastruar, madje ende është në procedurë parahetuese, që sipas ekspertëve, është zgjatur shumë dhe për atë tani dalin grupe të tilla, pasi që askush nuk i ndëshkon.

Grupi asokohe ka pasur rreth 8.000 anëtarë, ndërkaq në të janë shpërndarë rreth 800 video dhe fotografi private. Policia asokohe i ftonte në bisedë informative vetëm ata të cilët kanë shpërndarë përmbajtje, dhe jo të gjithë anëtarët, por rasti ende nuk është zbardhur.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut tha se qëndrimi i Prokurorisë është skandaloz dhe kërkoi që menjëherë dhe plotësisht të pastrojë rastin.

“Ne konsiderojmë se qëndrimi i Prokurorisë Publike është skandaloz dhe i papranueshëm, nga e cila pritet ta procedojë rastin në mënyrë që ta provojë fajësinë dhe t’i sanksionojë krijuesit dhe pjesëmarrësit në një formë kaq serioze të ngacmimit seksual të vajzave, shumë prej të cilave janë të mitura”, vlerësojnë nga Komiteti.

Kritika për Prokurorinë ka edhe ish kryetari i Gjykatës Supreme, Dane Iliev, i cili thotë se shumë është zgjatur procedura parahetimore për rastin në fjalë.

“Absolutisht tokë e frytshme për formimin e këtyre grupeve është se janë lënë anash masat paraprake për sanksionim të personave të tillë të cilët hapin këso grupe. Duhet që të jetë prioritet, pasi që bëhet fjalë për rrjete sociale të cilat masivisht vizitohen. Pasojat janë të paparashikueshme për atë parahetimet duhet të jenë reale, të shpejta dhe të ndërmerret sanksionim ndaj personave të tillë. Anulohen punët dhe vendosen në sirtarë”, tha Iliev.

Aktivitetet e këtij grupi, i cili i risolli pas një viti kanë shkaktuar shqetësime të mëdha në mjedisin shoqëror, ende më shumë te prindërit, e mos të flasim për viktimat. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button