fbpx

Diplomacia e fshehtë në pandemi: Kina pas perdeve të saja

Fundi i vitit të kaluar, shënoi fundin e një viti të trazuar nën jetesën e re në kuadër të një pandemie botërore. Kjo pandemi, që origjinë kishte Republikën Popullore të Kinës ndryshoi edhe arenën e politikës së jashtme. Në këtë arenë të politikës së jashtme, imazhi i shtetit kinez u zymtua dhe morri kritika negative, aq sa që edhe ish presidenti i SHBA-ve Donald J. Trump, virusin COVID19 e quante si ‘virus kinez’. Kina tentoi disa herë të përmirësoj imazhin e saj, ndihmat humanitare e së fundmi edhe vaksina e prodhuar nga shteti kinez SINOVAC, janë përpjekjet e saj për të krijuar një imazh publik të pafajshëm drejtuar vendeve të tjera. Pafajësinë e saj e shprehu edhe me festimet e Vitit të Ri 2021, të koncentruar me turma të mëdha njerëzish në qytetin Wuhan, pikërisht në vendin ku kishte filluar gjithçka në pandeminë COVID19.  Por në realitet diplomacia e saj është e fshehtë, andaj çfarë fshihet prapa perdeve të saja?

Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë

Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë qenë gjithnjë në kundërshtime sa i përket çështjes së pandemisë COVID19. Që nga shpërthimi i rasteve të para në Wuhan, shteti kinez ka nguruar të jep informacione të plota Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Republika Popullore e Kinës gjithnjë ka fshehur gjurmët e virusit të ri, duke i lënë hapësirë vendeve anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të dyshonin në një virus ‘laboratorik’, gjë që acaroi edhe më shumë marrëdhëniet e Kinës me shtetet e perëndimit. Kërkesa e OBSH-së për të vërtetuar origjinën e COVID19, gjithnjë është shtyrë dhe refuzuar nga Kina, gjë që linte edhe më tej dyshime në relacionet e jashtme të shteteve drejtuar origjinës së virusit të ri. Më 6 Janar të këtij viti, Kina do të refuzonte vizat e shkencëtarëve të deleguar nga OBSH, duke vazhduar presionet e saj. Më 14 Janar, Kina zyrtarisht do të ‘dorëzohej’ përpara presionit të OBSH-së, duke lejuar përfundimisht që OBSH të kryej hulumtime të detajuara për origjinën e virusit COVID19, por në realitet duke bërë presion dhe fshehje të informacioneve të plota për situatën epidemike dhe historikun e virusit të ri.

Rasti Taiwan

Shpërthimi i rasteve të para në Kinë, ishte një alarm për fqinjët e saj, të cilët me ndihmën e OBSH-së, filluan të marrin masat parandaluese të përhapjes së virusit të ri. Por, kjo çështje nuk u shtrua në Tajvan, kjo erdhi nga shkaku që shteti i Tajvanit është i bllokuar plotësisht nga lidhjet e jashtme, sidomos ato me organizatat kombëtare. Republika Popullore e Kinës, vazhdon të kontestoj shtetin e Tajvanit, duke mos e pranuar si një shtet të pavarur dhe duke cenuar sovranitetin e tij. Kjo politikë e buruar nga qeveria kineze ka rezultuar që Tajvani të jetë jashtë Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Tajvani, menaxhimin me virusin COVID19 e ka pasur të suksesshëm duke u bazuar në forcat e saja dhe ka rezultuar me raste jo të shumta, duke u bërë një ndër vendet më të sigurta, sa i përket situatës epidemiologjike. Në Nëntorin e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë tentativat e tyre për të anëtarësuar Tajvanin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kjo tentativë është kundërshtuar ashpër nga Misioni i Kinës në Kombet e Bashkuara, duke i quajtur politikat e SHBA-ve si të ‘deformuara’ në drejtim të Tajvanit. Deri sa në anën tjetër OBSH është  arsyetuar se është duke bashkëpunuar me Tajvanin në tejkalimin e krizës. Ndërsa ditë më parë, Tajvani ka raportuar kërcënime ‘ajrore’ nga avionët ushtarak të Kinës, të cilët edhe në kohë pandemie vazhdojnë të shtrojnë presionet e tyre ndaj Tajvanit.

Ndihmat e Kinës, propaganda në përmirësim të imazhit – I

Në fillimet e pandemisë së korona virusit të ri, Republika Popullore e Kinës drejtoi politikat e saja të jashtme në drejtim të përmirësimit të imazhit shtetëror. Cak i kësaj politike, ishin ndihmat humanitare që Kina filloi ti dërgonte në drejtim të shteteve të tjera, duke luajtur rolin e të pafajshmit në një periudhë ku ajo fshihte të gjitha informacionet rreth situatës epidemiologjike të saj. Edhe gadishulli Ballkanik, ishte një rajon në të cilin Kina u fokusua për të rritur influencën e saj dhe për të përmirësuar raportet me shtetet përbërëse të tij. Qeveria kineze fillimisht dërgoi ndihma në Serbi, ku përveç ‘maskave’ dhe ‘dorezave’ ajo do të dërgonte edhe staf mjekësor, të cilët u pritën në protokolle të larta diplomatike nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Të njëjtën politikë Kina e drejtoi edhe ndaj Shqipërisë, por me më pak ndihma mjekësore, por qeveria shqiptare u tregua falënderuese nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë duke mos i dhënë hapësirë ndonjë ‘protokolli të veçantë’ dhe duke treguar një qëndrim neutral që jepte mesazhin e ruajtjes së raporteve me shtetet perëndimore. Edhe Maqedonia e Veriut u përfshi në ndihmat nga qeveria kineze, duke vepruar njësoj si Shqipëria, por në një marrëdhënie më të avancuar ndaj Kinës, por përsëri me një qëndrim të ftohtë që të vazhdohej raporti me aleatët perëndimor. Të gjitha këto ndihma humanitare, Republika Popullore e Kinës i drejtonte në kohën kur imazhi i tyre ishte zymtuar dhe vende të ndryshme e shihnin atë si fajtore kryesore të shpërthimit të pandemisë. Kjo politikë e Kinës në thelb ishte vetëm një propagandë për të shfrytëzuar momentin e tyre kritik, që të rriste nivelin e relacioneve me vendet e jashtëm. Njëjtë si në Ballkan, Kina u fokusua edhe në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë ku propaganda e tyre e politikës së jashtme filloi të luaj rolin e ‘shpëtimtarit’.

Vaksina SINOVAC, propaganda në përmirësimin e imazhit si ‘shpëtimtarë’ – II

Në garën globale farmaceutike të gjetjes së një vaksine të sigurt për mbrojtje ndaj COVID19, përveç vendeve perëndimore edhe shteti kinez do të futej në garë duke shpejtuar hapat e saj, dhe duke zbuluar vaksinën SINOVAC si një preventivë për virusin e ri. Edhe pse vaksina ende nuk ishte e autorizuar nga OBSH, dhe ende vazhdojnë dilemat e efikasitetit të saj (vetëm 50.4%), Indonezia ishte vendi i parë jashtë Kinës që do të përdorte vaksinën SINOVAC, duke treguar një raport të mirë miqësie me Kinën. Njëjtë do të vepronin edhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke pranuar vaksinën kineze si një emergjencë për imunizimin e popullatës. Por fakti më interesant i shpërndarjes së vaksinave kineze, do të vinte nga Turqia, ku presidenti turk Tayyip Erdogan do të bëhej lideri i parë jashtë Kinës që do të merrte vaksinën SINOVAC. Turqia edhe pse aleate perëndimore, më shumë në aspektin ushtarak veri-atlantik, do të autorizonte përdorimin e vaksinës kineze si një domosdoshmëri për arritjen e imunizimit kolektiv. Edhe Ballkani nuk do të hiqej nga caku i Kinës, duke dhuruar miliona doza për shtetin e Serbisë dhe duke treguar edhe një herë raportet miqësore në kuadër të pandemisë. Edhe Maqedonia e Veriut, nëpërmjet Kryeministrit të saj Zoran Zaev dhe Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe kanë bërë të ditur që do të pranojnë doza nga vaksina SINOVAC. Kjo e fundit do të vështirësonte raportin me perëndimorët të cilët janë në dyshim të përdorimit të një vaksine të tillë. Nga vaksina kineze del diplomacia e krijimit të raporteve të mira të vendeve të tjera, shfaqen e një ‘shpëtimtari’ për botën. Kina po e shfrytëzon vaksinën e saj për të ndikuar më shumë në relacione me shtetet e huaja se sa të ndihmojë në tejkalimin e krizës.

Diplomacia kineze, pas perdeve të saj

Pas perdeve të Republikës Popullore të Kinës, fshihet një diplomaci sekrete e cila në bazë ka propagandën për të luajtur rolin e shpëtimtarit botëror. Është e njëjta Kinë, që paraqitet humane në Ballkan, ndërsa Tajvanin vazhdon ta izolojë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë duke e lënë pa ndihmë mjekësore në kohë të pandemisë. Kina është ajo që afron marrëdhëniet në Ballkan, pas një ndërhyrje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një bllokade të plotë të rrjetit 5G Kinez. Është e njëjta Kinë, e cila fsheh ende gjurmën e origjinës së virusit COVID19, ndërsa vazhdon të reklamohet nëpërmjet vaksinës SINOVAC si shpëtimtare tek vende të ndryshme të botës. Kina në politikën e saj diplomatike e luan rolin e përmirësimit të imazhit të saj, për të krijuar raporte me vende të ndryshme të botës dhe për tu paraqitur e pafajshme.

Ardhja në krye të Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Joe Biden do të thotë politikë të re drejtuar Kinës, por me qëllim të njëjtë atë të shfaqjes së imazhit të vërtetë të Republikës Popullore të Kinës. Presidenti i 46-të i SHBA-ve është zotëruar në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Azi – Paqësor duke forcuar lidhjet me Japoninë dhe Korenë e Jugut. Nga kjo aleancë diplomatike synohet ruajtja e sigurisë së këtij rajoni nga kërcënimet e vazhdueshme të Kinës në drejtim të vendeve tjera. Gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë premtuar që do të bëjnë përpjekje për të zgjidhje të çështjes së Tajvanit, duke e çliruar atë nga izolimi ndërkombëtar që i bëhet vite me radhë si pasojë e politikës kineze.

Zhang Zhang, reporteri i parë që tregoi për përhapjen e virusit COVID19 në Wuhan, është dënuar me 4 vite burgim nga qeveria kineze. – Pra kjo është ana tjetër e perdes që Kina nuk dëshiron të shfaq. Është bllokimi i rrjeteve sociale që Kina mban larg opinionin rreth situatave aktuale. Kjo, është diplomacia e fshehtë pas perdeve të saja, dhe jo imazhi që krijon për diplomacinë nëpërmjet ndihmës duke u shfajësuar në fajin që duhet të merr përgjegjësi.

 

Ardonit Ismaili,

Student në studimet Master të Diplomacisë pranë UEJL

Ky shkrim botohet në kuadër të lëndës ‘Analizë të Politikave të Jashtme’

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button