Zaharieva: Lidhjet e Maqedonisë së Veriut me Serbinë dhe Rusinë nuk janë ndërprerë

Zëvendëskryeministrја dhe ministrja e Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva tha se Shkupi nuk i kishte ndërprerë lidhjet me Beogradin dhe Moskën pasi kryeministri Zoran Zaev njoftoi kthimin e gjuhës serbe në shkolla, njofton Portalb.mk.

“Kthimi i gjuhës serbe në shkollat ​​e Republikës së Maqedonisë së Veriut hedh poshtë pikëpamjet se lidhjet me Serbinë dhe Rusinë janë ndërprerë”, i tha Zaharieva për BTV-në, raporton BGNES.

Ajo gjithashtu iu referua qëndrimit të saj se maqedonizmi është ide gjeopolitike e krijuar nga Beogradi dhe Moska dhe tha se nuk ishte e befasuar nga vendimi për gjuhën.

“Fatkeqësisht, nuk jam e befasuar nga vendimi i till i autoriteteve maqedonase. Kthimi në gjuhën serbe do të thotë që të gjitha palët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pavarësisht nga dallimet e tyre politike, janë unanim në këtë çështje, si dhe në temën e marrëdhënieve me Bullgarinë”, tha Zaharieva.

Kthimin e gjuhës serbe Zaevi e paralajmëroi para dy ditësh me rastin e Shën Savës – ditës kombëtare të serbëve në Maqedoninë e Veriut.

“Me bashkëqytetarët tanë nga Serbia ne jemi duke promovuar marrëdhëniet tradicionalisht të mira me Republikën e Serbisë dhe në atë drejtim në Komunën e Qendër do të përfundojnë të gjitha procedurat e mëparshme për ndërtimin e një Qendre kulturore serbe, ndërtimi i së cilës do të fillojë këtë vit, njëkohësisht kur edhe në Serbinë fqinje do të realizohet projekti ideor për Qendrën kulturore maqedonase në Beograd. Shkojmë një hap përpara dhe kthejmë programet mësimore për mësimin e gjuhës dhe kulturës serbe, për të cilën janë aprovuar programet mësimore nga klasa e tretë në të gjashtën,  ndërsa programet mësimore për klasën e shtatë, të tetë dhe të nëntë janë në proces aprovimi, ndryshe nga koha kur VMRO-DPMNE-ja në 2007 shfuqizoi mundësinë që gjuha serbe të studiohet si lëndë zgjedhore”, shkroi Zaev.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimt, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në prill, kështu që me gjasë vendimi, nëse nuk ndodh siç paralajmërojnë disa zyrtar portuges, ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button