RMV, autoritetet luajnë “ping-pong” me përgjegjësinë për rezultatin e dobët në luftën kundër korrupsionit

Maqedonia e Veriut edhe pse ka organ të pavarur antikorrupsioni, zëvendëskryeministër për antikorrupsion, Strategji Nacionale për Luftë Kundër Korrupsionit e premtime nga partitë e autoritetet, sërish sipas Transparency International e cila e mat indeksin e perceptimit të korrupsionit, vendin tonë që aspiron Bashkimin Evropian, e ka radhitur në një grup me Panamanë dhe Mongolinë. Antikorrupsioni ia hedh fajin politikës, ndërsa zv. kryeministri për Antikorrupsion na “qetëson” se ky është qenka vetëm indeks perceptimi dhe ky perceptim ka ardhur si rezultat i mediave të lira dhe informimit për raste që në të kaluarën më rrallë është dëgjuar, shkruan Portalb.mk.

Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion Biljana Ivanovska thotë se lufta kundër korrupsionit është shumë e vështirë dhe kërkon vullnet politik.

“As KShPK-ja dhe as emërimi i zëvendëskryeministrit për korrupsion nuk mund ta zgjidhë luftën kundër korrupsionit menjëherë. Duke punuar në raste dhe raporte nga qytetarët, kemi zbuluar shumë dobësi që duhet të eleminohen më tej, por për atë përsëri na duhet vullneti politik, shteti, ministritë që të veprojnë në përputhje me rekomandimet tona dhe të bëjnë ndryshime në ligjet përkatëse për të kapërcyer dobësitë sistematike . Një gjë e tillë është kyçe dhe thelbësore, që të mos lejohet, që nën moton “gjithçka është e ligjshme” të ndodhin shumë vepra korruptive. Na duhet një luftë gjithëpërfshirëse, e gjithë shoqëria duhet të vendosë një herë e përgjithmonë – Po, ne do t’i japim fund korrupsionit. Por për sa kohë që dikush sheh vetëm interesin e vet, ndërsa duhet ta pranojmë se ka të tillë, lufta normalisht është shumë më e vështirë”, tha Ivanovska.

Nga ana tjetër zëvendëskryeministri i ngarkuar me luftimin e korrupsionit Lupço Nikollovski për Portalb.mk, thotë se është e rëndësishme të theksohet se ky mjet i Transparency International nuk tregon që korrupsioni është rritur, gjegjësisht, mbetet në perceptimin e qytetarëve. Perceptimi i qytetarëve, thotë ai, se korrupsioni është rritur është rezultat i disa faktorëve, përfshirë këtu edhe mediat, që janë më të lira se më parë të transmetojnë raste që nuk kanë mundur më parë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se qytetarët prisnin dhe presin zgjidhje të shpejta ligjore me ndryshimin e qeverisë. Por sot të gjithë e dimë mirë se çfarë instalimesh regjimi kishim dhe kemi akoma në gjyqësor dhe pse e kush i pengoi reformat në lidhje me shtetin e së drejtës. Vërtetë, qytetarët kanë perceptime të këqija për korrupsionin kur shohin se partia më e madhe opozitare VMRO DPMNE me numrin e saj të deputetëve ishte kundër Ligjit për Prokurorinë Publike, kundër zgjatjes dhe zgjidhjes së një çështjej që ndjek penalisht krime të larta”, deklaroi Nikollovski.

Zëvendëskryeministri i antikorrupsionit shprehet se njëjta organizatë në dhjetor të vitit të kaluar e renditi Maqedoninë e Veriut në vendin e dytë më të lartë midis vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, sipas Indeksit të Integritetit të Qeverisë në sektorin e mbrojtjes. “Ne arritëm të ishim më mirë se 4 vende që janë tashmë anëtare të BE-së dhe 6 vende që janë anëtare të NATO-s. Kjo tregon progres të madh në transparencën dhe integritetin e operacioneve”, thotë Nikollovski.

Qeveria e Maqedonisë, me caktimin e një zëvendës kryeministri të ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe burimet njerëzore, e ka ngritur këtë çështje midis prioriteteve që do të adresohen në mandatin e ri. Por, nga ana tjetër, për më shumë se një vit Strategjia Nacionale për Luftën kundër Korrupsionit dhe Parandalimin e Konfliktit të Interesit, të cilën e zhvilloi Komisioni Antikorrupsion së bashku me disa institucione, nuk u miratua kurrë. Për një vend, i cili pretendon se lufta kundër korrupsionit është në krye të përparësive të tij, ky është një fakt që nuk shkon në favor të qëllimeve të deklaruara.

Ndërkohë bashkëpunimin midis organeve për luftimin e korrupsionit, Bashkimi Evropian në raportin e fundit në tetor të vitit 2020, e konsideroi të kufizuar dhe kërkoi angazhim më të madh në këtë drejtim.

Ekspertët vlerësojnë se vullneti politik dhe deklaratat nuk kanë kuptim nëse nuk ka aktivitete konkrete. Pa zvogëlim dhe luftim të korrupsionit nuk do të ketë zhvillim. Gjithashtu, kriza për shkak të pandemisë nuk duhet dhe nuk mund të merret si pretekst për luftën e ngadalësuar dhe pa efekt ndaj korrupsionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button