Ukraina ka nisur hetimet rreth tentimeve për ndërhyrje në zgjedhjet e SHBA-së

Ukraina ka nisur një hetim penal rreth tentimeve për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara më 2020.

Andriy Yermak, udhëheqës i zyrës së Zelenskiyt, ka thënë më 28 janar se Ukraina do të bëjë gjithçka që mundet për të sjellë para drejtësisë ata që kanë tentuar të dëmtojnë lidhjet në mes të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, transmeton REL.

“Byroja Shtetërore e Hetimeve ka hapur rast penal”, është cituar të ketë thënë Yermak, në një intervistë për mediumun ukrainas, NV, që është publikuar në faqen presidenciale.

“Ky hetim është duke vazhduar edhe ne jemi duke pritur rezultatet. Hetimet duhet të japin përgjigjje për shumë pyetje”, ka thënë Yermak.

Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar më 11 janar dhjetëra individë dhe subjekte ukrainase, duke i akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane dhe lidhjet me një ligjvënës ukrainas, pro-rus, të lidhur me përpjeket e aleatëve të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për të gjetur informata të dëmshme për presidentin e ri të SHBA-së, Joe Biden dhe djalin e tij.

Kërkesa e Trumpit ndaj Zelenskiyt gjatë korrikut të vitit 2019, pati rezultuar me nisje të procedurave nga Dhoma e Përfaqësuesve për padi kundër tij për dy krime.

Megjithatë, Senati pati shfajësuar atë në fillim të vitit 2020, ndonëse ky rast ka dëmtuar marrëdhëniet e administratës me Kievin.

Presidenti Biden, që ka mbikëqyrur politikat e SHBA-së ndaj Ukrainës sa ka qenë duke shërbyer si nënpresident amerikan në periudhën 2009-2017, duke përfshirë udhëtimin drejt Kievit për gjashtë herë gjatë asaj periudhe, ende nuk ka biseduar me Zelenskiyn prej kur ka nisur udhëheqësinë më 20 janar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button