RMV, lufta kundër korrupsionit nuk bëhet me deklarata, kërkohet angazhim dhe aktivitet konkret

Vullneti politik dhe deklaratat nuk kanë kuptim nëse nuk ka aktivitete konkrete. Pa zvogëlim dhe luftim të korrupsionit nuk do të ketë zhvillim. Gjithashtu, kriza për shkak të pandemisë nuk duhet dhe nuk mund të merret si pretekst për luftën e ngadalësuar dhe pa efekt ndaj korrupsionit. Kështu shprehen njohësit e çështjeve të korrupsionit në Maqedoni, lidhur me raportin e fundit të Transparency International, ku vendi ynë ishte renditur më keq se kurrë ndonjëherë deri tani në Indeksin e korrupsionit, me rënie prej 5 vendesh, shkruan Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut është ranguar në vendin e 111 në një grup me BeH, Panamanë dhe Mongolinë. Me këtë, vendi është pozicionuar pesë vende më poshtë krahasuar me vitin e kaluar. Por, ndryshime në indeks nuk ka, gjegjësisht edhe këtë vit, si dhe vitin e kaluar indeksi është 35.

Kryetarja e Transparency International Maqedoni, Sllagjana Taseva bazuar në këto rezultate deklaroi se masat të cilat ndërmerren nga ana e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera përfshirë edhe gjyqësorin dhe Kuvendin dhe institucionet e pavarura janë të pamjaftueshme.

“Numri i pikëve të indeksit nuk është ndryshuar që tregon se nuk arrihen rezultate në sferat të cilat janë përmbajtje e hulumtimeve të cilat janë përdorur për analizë të të dhënave për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por kemi ulje të sferave kyçe – sundim të drejtësisë dhe të lirive dhe të drejtave të njeriut. Bartësit e pushtetit duhet ta kuptojnë se me vullnet politik të shfaqur për luftë kundër korrupsionit, ndërsa pa aktivitete të shfaqura qartë, rezultate dhe efekte nga ajo luftë edhe më tutje do të kemi rezultate të cilat do të tregojnë për shkallë shumë të lartë të korrupsionit. Nevojitet që seriozisht të kapemi me luftë efikase dhe të vërtetë kundër korrupsionit sepse deklaratat politike nuk treguan rezultate”,  u shpreh Taseva.

Taseva u shpreh se nevojitet sigurimi i transparencës më të madhe në institucioneve, pasi sipas saj, në kushte të Kovid-19 ato gati nuk ishin të kapshme për qytetarët nën arsyetimin se është ulur kapaciteti dhe numri i të punësuarve.

Njëkohësisht, tha ajo, është e nevojshme edhe përforcim i mëtutjeshëm i demokracisë dhe përfshirjen e qytetarëve në të gjitha vendimet të cilat i sjellë Qeveria dhe qasje më e madhe në informacionet me karakter publik.

Nga ana tjetër, drejtori i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, Bardhyl Jashari shprehet se ky rezultat tregon qartë se Maqedonia e Veriut dhe Qeveria e saj, përveç deklaratave dhe strategjive nuk ka ndërmarr ndonjë aksion serioz që do të luftonte korrupsionin me të vërtetë. Vetëm në mënyrë deklarative, thotë ai, nuk do të mund të ketë përmirësim të situatës. Kriza pandemike, shton Jashari, nuk duhet të përdoret si pretekst për luftën e ngadalësuar ndaj korrupsionit

Edhe pse pikët e vendit tonë në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency mbeten të njëjta si vitin e kaluar, kjo megjithatë ka rezultuar në rënien e vendit tonë në renditjen e këtij indeksi. Kjo rënie tregon se krahasuar me vendin tonë, vendet tjera kanë ndërmarr hapa më konkrete dhe më serioze në luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu tregon, se qeveria jonë përveç deklaratave, strategjive, etj duhet ta marr me më shumë seriozitet luftën korrupsionit, të përvesh duart dhe të ndërmarr hapa konkrete, ashtuqë deklaratat dhe strategjitë t’i shndërroj në aksione dhe reforma konkrete. Duhet të kuptohet një herë e përgjithmonë, se pa zvogëlim të korrupsionit nuk ka zhvillim ! Kriza për shkak të pandemisë nuk duhet dhe nuk mund të merret si pretekst për luftën e ngadalësuar dhe pa efekt ndaj korrupsionit”, deklaroi Jashari.

Nga ana tjetër Qeveria është shprehur se është e vendosur të ndryshojë imazhin dhe perceptimin e saj në luftën kundër korrupsionit dhe ky është një nga përparësitë kryesore të “Aksionit 21 – Standardet Evropiane në vend”.

“Pavarësisht faktit se zvoglimi i perceptimit të korrupsionit është një proces më i ngadaltë sesa zvogëlimi faktik, ne sigurojmë që perceptimi i qytetarëve do të ndryshojë me çdo vendim pasues të gjykatës, me secilën fazë pasuese të spastrimit që ka filluar dhe që tregon rezultatet. Jemi të vetëdijshëm për alarmin që vjen nga raporti i fundit i Transparency International dhe theksojmë se asgjë nuk do t’i shkundë institucionet që janë në ballë të luftës kundër korrupsionit. Qeveria dhe qytetarët janë në të njëjtën anë kur bëhet fjalë për luftën e korrupsionit. Luftimi i krimit dhe korrupsionit kërkon një prokurori të pavarur dhe gjyqësor të pavarur. Qeveria ka siguruar të gjitha kushtet për reformën në drejtësi dhe me të drejtë presim rezultat”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Këto hulumtime janë zbatuar në vitin 2019 dhe 2020, nga organizata relevante dhe në bazë të metodologjisë së konfirmuar dhe të kontrolluar.

Me këtë rezultat Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina janë më poshtë të radhitura nga vendet e rajonit tonë në Ballkanin Perendimor.

Maqedonia e veriut në 2014 ishte renditur në pozitën e 64-t me 45 pikë, ndërsa prej atëherë shënohet rënie e vazhdueshme. Përpara këtij viti, rënie më  e madhe u regjistrua në vitin 2017 kur nga vendi i 90-të vendi ra në vendin e 107-të. Vitin e kaluar vendi ndodhej në vendin e 106-të, ndërsa tani jemi në vendin e 111-të.

Ndërkohë dy e treta e gjithsej 180 vendeve të renditura indeksi është më i vogël se 50 pikë, ndërsa vlera mesatare në nivel global është 43 pikë që tregon se në gjithë botën përkeqësohet situata me korrupsionin.

Më mirë të renditura në Indeksin e perceptimit të korrupsionit janë Danimarka dhe Zelanda e Re me 88 pikë indeksi pas çka vjen Finlanda, Singapori, Suedia dhe Zvicra me 85, Norvegjia, Holanda, Gjermania dhe Luksemburgu me 84, ndërsa më keq të renditura përsëri janë Somalia dhe Sudani Jugor. Në rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore ku renditet edhe vendi indeksi mesatar i perceptimit të korrupsionit është 36, ndërsa për Bashkimin Evropian është 66 pikë indeksi. Nga vendet e BE-së përsëri më poshtë të renditura janë Hungaria, Rumania dhe Bullgaria me 44 pikë indeksi.

Nëse analizohen renditjet e 10 viteve të fundit, mund të vërehet se Danimarka, Zelanda e Re, Finlanda dhe disa vende të tjera, vazhdimisht kanë mbajtur renditjen më të mirë sa i përket perceptimit të korrupsionit. Këto vende edhe në kohë pandemie qëndruan të renditura lart, duke treguar kështu se nëse një vend lufton korrupsionin do ta luftojë atë pavarsisht situatës globale, ndryshe nga shumë vende të tjera, ku tregohet, ashtu edhe siç u shprehën edhe krerët e Transparency International,  se në gjithë botën përkeqësohet situata me korrupsionin, sidomos në kohën e pandemisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button