Protestë për rastin “Monstra” në Shkup: Të shkarkohet prokurorja Fetai, të ndërhyjnë ndërkombëtarët (FOTO+VIDEO)

Nën moton “Drejtësi dhe liri”, familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra”, dhe disa mijëra qytetarë sot protestuan prej parkut të Çairit deri te Prokuroria në Shkup, pasi që Prokuroria në seancën e fundit gjyqësore i tha fjalët përfundimtare dhe me të njëjtat, i akuzoi se ata janë fajtorë për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, me përjashtim të Sami Lutës, për të cilin e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, njofton Portalb.mk.

Kërkesat e protestës:

  1. Të shkarkohet Fatime Fetai;
  2. Gjykata të mos e merr parasysh kërkesën e Prokurorisë;
  3. Të ndërhyjë faktori ndërkombëtar, BE-ja dhe SHBA-ja për ta zbardhur rasti.

Portalb.mk ju sjellë videon e plotë, foto-galeri dhe rrjedhën e protestës minutë pas minute.

14.30 –  Protesta mbaroi e qetë, tensioni ka zgjatur disa minuta. Protestuesit janë larguar, ndërkaq pas tyre edhe Policia i ka larguar autoblindat.

14.20 – Situatë e tensionuar te protestuesit. Disa tentuan të përleshen me policinë e cila i ka provokuar. Policia gjuan me shok-bomba, por edhe disa protestues kanë gjuajtur me gur dhe gjësende në drejtim të policisë, prokurorisë, ndërtesës së MPJ-së dhe ndërtesës së Ministrisë për Sistem Politik. Organizatorët dhe disa deputetë dhe përfaqësues të opozitës kanë bërë thirrje për qetësi dhe të kthehen prapa disa nga protestuesit që kanë tensionuar situatën.

This slideshow requires JavaScript.

14.00 – Kordoni policor, i mbështetur me forca speciale dhe autoblinda i ka ndaluar protestuesit para Ministrisë së Punëve të Jashtme që të mos afrohen para objektit të Prokurorisë. 

Qytetarët kanë vazhduar me thirrje për zbardhjen e rastit, ndërkaq Policia e ka bllokuar rrugën që protestuesit të mos afrohen te objekti i Prokurorisë. Para të pranishmëve deklaratë dha kryetari i Këshillit Organizativ për rastin “Monstra”, Bedri Ajdari. Ai tha se të gjitha faktet dëshmojnë se ky rast është i montuar politik, kërkoi shkarkimin e prokurores Fatime Fetai, gjykata të mos e merr parasysh kërkesën e Prokurorisë dhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

Bedri Ajdari duke iu drejtuar protestuesve, rasti Monstra 29.01.21

“Kërkojmë të shkarkohet prokurorja Fatime Fetai e cila e ka realizuar urdhrin e qarqeve politike dorës së zezë që operon nën hijen e institucioneve relevante në RMV. Këshilli Gjyqësor i rastit të mos e merr fare parasysh kërkesën e Prokurorisë. Kërkojmë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar, BE dhe SHBA që të zbardhet ky rast dhe rastet tjera të montuara politike”, tha Ajdari duke shtuar se beson që herët a vonë të gjitha rastet e montuara politike do të zbardhen dhe drejtësia do të vjen në shesh.

Ai shtoi se ndjejnë keqardhje për viktimat dhe i dënojnë aktet terroriste.

“Ne nuk kemi edukuar familjet tona të shkaktojnë vrasje makabre. Ne i dënojmë aktet terroriste dhe jonjerëzore, por gjithmonë i mbrojmë të pafajshmit”, tha Ajdari.

13.30 – Marshi po intensifikohet. Protestuesit kanë arritur te Q.T “Mavrovasja”.

Marshit protestues, kanë vazhduar t’i bashkëngjiten qytetarë nga pjesa e Çairçanes dhe Bita Pazarit. Situata është e qetë, protestuesit vazhdojnë thirrjet për drejtësi dhe liri, por edhe me thirrjet “Poshtë Fatime Fetai”, “Fatime Fetai në burg”.

13.00 – Protestuesit kanë filluar protestën e sotme me moton “Duam drejtësi!” dhe “Duam liri!”.

Galeri nga protesta, foto nga Faton Curri – Portalb.mk.

This slideshow requires JavaScript.

 




Marshi protestues u organizua nga Këshilli Organizativ i rastit “Monstra”.  Protestën e mbështetën deklarativisht dhe me pjesëmarrje partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Partia në pushtet nuk ka dhënë kurrfarë deklarate në lidhje me protestën.

Zëvendëskryeministri dhe funksionari i lartë i BDI-së, Artan Grubi,22 janar nuk dëshiroi t’i komentojë  fjalët përfundimtare të prokurores Fatime Fetai, Grubi tha se momenti i vetëm kur BDI ka qenë e përzier në këtë proces, ka qenë kërkesa për përsëritje të plotë të gjykimit.

“Nuk i komentojmë vendimet gjyqësore. Çështja ishte se a ishte e përzier politika në këtë rast. Momenti i vetëm ku ne si parti politike ishim të përzier në këtë rast ishte në kërkesën që të përsëritet gjykimi, për shkak të mosbesimit nga tërë opinioni në vendimin e Gjykatës, paraprake. Atë e arritëm. Prej këtu e andej është punë e Prokurorisë, gjyqësorit dhe mbrojtjes që në procedurë gjyqësore t’i tregojnë të gjitha argumentet”, tha Grubi.

Ndryshe, gjykimi për rastin “Monstra” në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar sërish valë pakënaqësie në opinion. Edhe pse ende nuk ka mbaruar dhe pritet që gjykatësit të thonë fjalën e fundit, kërkesa e Prokurorisë për burgim të përjetshëm për 3 persona, është shkak për riaktualizimin e protestave, pas atyre të të tensionuara të vitit 2014-të. Që konfuziteti dhe acarimi në opinion të jetë më i madh, përpos avokatit të të akuzuarve që thotë se ata janë të pafajshëm, problem shtesë është dhe deklarimi i kryeministrit Zoran Zaev, i cili kur ishte në opozitë, deklaronte se “persona të pafajshëm qëndrojnë pas grilave”. Por, sot ai tha se gjithmonë ka folur me rezerva dhe se do të vendosin organet e drejtësisë.

Gjatë publikimit të materialeve të përgjuara të ashtuquajtura “bomba” në pyetjet e gazetares së Portalb.mk në disa seanca, Zaev përgjigjej se ai do të publikojë gjithçka për këtë rast, por këtë nuk e bëri para opinionit. Megjithatë më pas, “bombat” i dorëzoi në Prokurorinë Speciale, e cila u shpërbë pas skandalit me prokuroren kryesore, Katica Janeva e cila gjendet në burg për korrupsion. Pasi që lënda u kthye në rigjykim, rastin e morën prokurorët që ishin të punësuar në këtë prokurori.

Të dielën para gazetarëve, Zaev deklaroi se gjithmonë për këtë rast ka folur me rezervë dhe se ka pritur që organet e drejtësisë ta thonë fjalën e fundit.

“Gjithmonë e kam thënë se gjykata është ajo që e thotë fjalën e fundit. Gjithmonë kur kam dhënë përgjigje për këto çështje, kam lënë rezerva. Gjithmonë e kam thënë se fjalën e fundit duhet ta thonë organet e gjyqësisë. Më vjen mirë që arritën që përmes dorëzimit të materialeve të përgjuara të mundësohet rigjykimi i proceseve gjyqësore dhe përmes të cilave do të zbulohet e vërteta… Asnjëherë nuk kam përmendur person tjetër si fajtor për rastin. Kam dhënë gjithmonë përgjigje për çdo rast, gjithmonë e kam thënë atë që kam menduar, por e përsëris sërish se fjalën e fundit e kanë organet e drejtësisë”, tha Zaev.

Më 3 shkurt mbrojtja do të mbajë fjalë përfundimtare, ndërkaq më pas Gjykata duhet të caktojë një termin tjetër për ta shqiptuar aktgjykimin.

Rasti “Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, në gjykimin e parë janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button