Ushtarët në moshën 45-vjeçare do të munden të punësohen ose t’u paguhet nga 1.000 euro për çdo vit shërbim

Pagesë për shkurtim të punës nga 1.000 eurove për çdo vit të kaluar në ARM do të jetë opsioni i ri që do t’u ofrohet ushtarëve profesionistë kur të mbushin moshën 45 vjeç dhe të arrijnë kufirin e moshës për të shërbyer në ushtri për kategorinë e tyre. Qeveria e ka pranuar këtë propozim të Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes dhe do ta propozojë atë në Parlament si ndryshim të Ligjit për shërbim në ushtri, njoftoi ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska Jankovska. Sipas legjislacionit aktual, ushtarët profesionistë “të vjetrit” pas shërbimit në ARM punësohen në ndonjë institucion shtetëror, njofton Portalb.mk.

“Kjo është një çështje për të cilën duhet të vendosin ata. Ne kemi detyrim ligjor t’u gjejmë atyre punë dhe jemi duke e përmbushur atë. Tani ofrojmë edhe një mundësi të re, me iniciativën e ushtarëve profesionistë dhe të Sindikatës, ushtarët të vendosin nëse do të vazhdojnë të punojnë në institucionet shtetërore apo të shfrytëzojnë mundësinë e kompensimit për shkurtim nga puna me fonde nga Ministria e mbrojtjes”, tha Shekerinska.

Pagesa për shkurtim nga puna do të aplikohet me kërkesë të ushtarëve të cilët, pas karrierës në armatë, dëshirojnë të fillojnë biznesin e tyre. Sipas vlerësimeve, shumica e ushtarëve profesionistë që arrijnë kufirin e moshës për shërbim kanë midis 20 dhe 25 vjet shërbim, që do të thotë se ata do të merrnin pagë për shkurtim nga 20.000 deri në 25.000 euro, e disa edhe më shumë.

“Shkurt, u japim mundësi për fillim të ri. Kjo është gjithashtu e mirë për shtetin, që sa më shumë njerëz të jenë aktivë në sektorin privat. Megjithëse do t’i kushtojë buxhetit, ai mund të jetë i dobishëm për ekonominë. Fundja, të tregojmë se jemi të vetëdijshëm se shteti duhet të kthejë”, tha Shekerinska.

Pagesa e largimit nga puna për ushtarët profesionistë do të paguhet nga buxheti i Ministrisë së mbrojtjes. Për të planifikuar këto shpenzime, ushtarët do të duhet të aplikojnë për pagë shkëputjeje nga 30 qershori i vitit para se të mbushin 45 vjeç, dhe ministria do të duhet të përfundojë të gjitha përgatitjet administrative brenda 6 muajsh para se ushtari të arrijë kufirin e moshës. Këtë vit, thotë Shekerinska, Ministria do të duhet të jetë inventive për të arritur kap hapin me opsionin e ri.

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për shërbim, Ministria ka përfshirë kompensim për marrjen me qira të një apartamenti për të gjithë ushtarët profesionistë me të paktën 3 vjet shërbim në ARM. Në vigjilje të hyrjes në NATO, sidoqoftë, Ministria në buxhetin e saj i merr përsipër shpenzimet e pensioneve për të gjithë pensionistët e saj. Zgjidhje të tillë kanë shumica e anëtarëve të NATO-s, të cilët në buxhetet e tyre të mbrojtjes i përllogaritin të gjitha shpenzimet për personelin e forcave të armatosura dhe të mbrojtjes, por edhe për pensionistët e atyre kategorive.

Sipas legjislacionit të Maqedonisë, ushtarët profesionistë nuk kanë mundësi të pensionohen nga radhët e ushtrisë. Shërbimi deri në pensionim parashihet vetëm për oficerët dhe nënoficerët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button