Koalicioni ASH-AAA lëshoi seancën për pyetje deputetësh: Nëse Sela nuk parashtron pyetje nuk do të ketë as seancë

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në shenjë revolte, është tërhequr nga seanca e sotme parlamentare për pyetje deputetësh, sepse lideri i ASh-së, Zijadin Sela nuk është në mesin e deputetëve të parë për të parashtruar pyetje. Deputeti i ASH-së, Syrija Rashidi paralajmëroi se nëse deputetët nga partitë opozitare shqiptare nuk janë në mesin e dy të parëve për të parashtruar pyetje deputetësh, atëherë nuk do të ketë fare pyetje deputetësh, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi e lexoi listën që deputetët nga partitë opozitare shqiptare i kanë dorëzuar më 26 janar për seancën për pyetje deputetësh dhe tha se në atë listë nuk është paraqitur deputeti Sela.

“Si ta vendos tani Selën të parashtrojë pyetje deputetësh kur në listën që ma keni dorëzuar prej 26 deputetëve, Sela nuk është askund. Në koordinimin para seancës për pyetje deputetësh nuk vini që të dakordohemi”, tha Xhaferi.

Ndërkaq, në pjesën e parë të seancës për pyetje deputetësh kishte përplasje mes kryeparlamentarit, Talat Xhaferi dhe koordinatorit të grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Skender Rexhepi.

Rexhepi akuzoi Xhaferin se po tenton ta hesht opozitën shqiptare.

“Kryetari i Kuvendit bëhet vazhdimisht zëdhënës I BDI-së, duke i bërë bllokadë opozitës shqiptare, një bllokadë që seriozisht nuk i takon një kryetari të Kuvendit, që duhet të jetë I paanshëm, i barabartë, transparent, për gjithë deputetët dhe të gjitha grupet parlamentare. Këtë shkelje që e bërë kryetari i Kuvendit, me plot vetëdije, me qëllim dhe synim që ta bllokojë opozitën shqiptare ta ngrejë zërin që t’i parashtrojë pyetjet që janë të ndjeshme për qytetarët, që t’i parashtrojë pyetje që i tangojnë qytetarët sidomos shqiptarët, që ta pyes kryeministrin dhe ministrat tjerë pse ndodh që të keqpërdoret gjyqësia, prokuroria në rastin Monstra”, tha Rexhepi.

Xhaferi i’u përgjigj këtyre akuzave, duke thënë se opozita shqiptare listën e kanë dorëzuar jashtë afatit të paraparë me rregullore.

Sipas rregullores deputetët e opozitës kanë të drejtë që të parashtrojnë pyetje në proporcion dy me një me pushtetin, ndërsa në këtë rast reagimi erdhi pasi Ziadin Sela ishte vendosur i pesti në listë, ndërsa koordinatori Rexhepi i 13-ti me radhë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button