Na duhet më shumë se një vaksinë kundër Covid-19

Në një kohë kur gjithnjë e më tepër rritet numri i njerëzve që nuk besojnë në vaksina dhe me plot vetëdije nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre as kundër tuberkulozit është e çuditshme të shihet histeria që e ka kapur gjithë Evropën lidhur me vonesën në furnizim me vaksinat anti-Covid. Megjithatë, kur punët vinë ngushtë, atëherë i kthehemi sërish shkencës dhe i lëmë mënjanë teoritë konspirative. Bile fillojmë të ankohemi me të madhe pse na anashkalojnë dhe nuk na japin vaksinat e premtuara. Fillojmë fajësojmë gjithkënd duke harruar se deri dje shumë njerëz bëheshin mjekë të vetë-deklaruar dhe predikonin mbi efektet anësore të vaksinave duke u bazuar tek informatat e portaleve të pa-verifikuara, duke injoruar vite e vite studimi nga mjekë të specializuar.

Tani është e qartë që na duhet vaksina, na duhet se s’bën, por më tepër se vaksina kundër Covid-it na duhet një vaksinë e përgjithshme kundër injorancës, e një vaksinë e tillë për fat të keq ende nuk është zbuluar.

Na duhet një vaksinë e përgjithshme kundër letargjisë dhe mos-vendosjes së përgjegjësisë. Na duhet një vaksinë kundër ligësisë së njeriut që përdor teknologjinë për të shpërndarë materiale pornografike me të mitur. Na duhet një vaksinë kundër idiotizmit të mësuesit që akuzohet për sulm seksual ndaj nxënëseve të tij. Na duhet urgjent një vaksinim që do të mundësojë bartjen e përgjegjësisë për kryerësit e këtyre veprave të neveritshme penale të cilët megjithatë gjithmonë arrijnë t’i arratisen drejtësisë.

Na duhet vaksinim urgjent kundër krimit të organizuar që arrin të tejkalojë çdo gjykim dhe sërish të gjendet në krye të shoqërisë. Kreu i procesit të përgjimit, ish shefi i shërbimeve sekrete, nuk u dënua sepse vepra penale iu parashkrua pikërisht atij. Nuk u vendos asnjë lloj përgjegjësie sepse disa në këtë shtet janë imunë ndaj drejtësisë, ata moti janë imunizuar me vaksina të fuqishme anti-përgjegjësisë penale dhe prandaj nuk duhet të habitemi pse arrijnë ta anashkalojnë burgun dhe rrëshqasin si zhiva nga një termometër i thyer. Ai termometër tregon që temperatura e organizmit rritet dhe që të njëjtit i duhet urgjent vaksina që do të mundësojë sundimin e së drejtës, e kjo vaksinë assesi të arrijë në Maqedoninë e Veriut.

Vaksina anti-Covid edhe do të arrijë, eventualisht, nga Evropa, nga Kina apo nga Rusia, por me këto vaksinat tjera që janë ende të paarritshme për ne si t’ia bëjmë hallin?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button