Përplasje në Kuvend, Skender Rexhepi akuzoi kryeparlamentarin se po tenton ta heshtë opozitën shqiptare

Seanca për pyetje deputetësh në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut filloi me zënkë mes kryeparlamentarit, Talat Xhaferi dhe koordinatorit të grupit parlamentar ASH – AAA, Skender Rexhepi.  Në fjalimin e tij procedural, Skenderi akuzoi kryeparlamentarin se po bllokon fjalën e opozitës shqiptare, duke e quajtur atë “zëdhënës” të BDI-së. Ai po ashtu kërkoi edhe pauzë një orëshe, shkruan Portalb.mk.

Xhaferi fillimish iu përgjigj se nuk do të jep pauzë, pasi kjo nuk është praktikë e seancave për pyetje deputetësh. Por më pas, Rexhepi doli në foltore dhe tha se opozita shqiptare nuk do të lejojë që të vazhdojë seanca dhe sipas rregullores, mund të jepet pauzë. Pas këtij debati, Xhaferi dha pauzë një orëshe.

Ndërkaq, Rexhepi gjatë kësaj pauze ka mbajtur konferencë për media, ku ka akuzuar Xhaferin se me qëllim nuk i jep hapësirë të mjaftueshme deputetëve të opozitës shqiptare, për të folur për problemet e qytetarëve shqiptar. Ai kishte vërejtje sa i përket vendosjes së deputetëve të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, në listën për të marrë fjalën gjatë seancës për pyetje deputetësh.

“Kryetari i Kuvendit e bën heshtjen e opozitës shqiptare me një qëllim shumë të precizuar duke dashur që opozitën shqiptare ta pamundësojë në ngritjen e zërit të saj, në ngritjen e halleve të qytetarëve në një pikë kaq të rëndësishme, siç është pika e pyetjeve të deputetëve ku ne kishim planifikuar që, personalisht kryetari i Aleancës për Shqiptarët, të merret me çështjen dhe hallet e qytetarëve nga vendbanimet shqiptare, të merret me çështjet që i tangojnë shqiptarët dhe që duhet nëpërmjet përfaqësuesve politik në Kuvend, ta ngritin zërin drejtuar pushtetit në këtë rast. Kryetari i Kuvendit e pamundësoj një gjë të tillë dhe në ndarjen e vendeve të ulëseve dhe fjalëve që duhet t’i kemi ne aty, ai e bën një shkelje të rëndë. Brenda 11 propozuesve të flasin e pozicion opozitën maqedonase 2 me 1 karshi pozitës qeveritare, ndërsa pozitën shqiptare e vendon dy herë me të drejtë fjale përball neve, që dalim vetëm me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, apo përfaqësuesin e koalicioni Aleanca dhe Alternativa”, deklaroi Rexhepi.

Ai shtoi se, kjo është bërë me një vetëdije të plotë ku kryetari i Kuvendit e luan rolin e zëdhënësit të BDI-së, e luan rolin e atyre që duan ta heshtin opozitën shqiptare, e luan rolin e atyre që duan ta pamundësojnë që hallet dhe problemet e qytetarëve të vijnë deri te Kuvendi.

“Kjo çështje duhet të ndërpritet sot e përgjithmonë, opozita shqiptare është dhe do mbetet zëri i shqiptarëve dhe i halleve të qytetarëve dhe çdo vendbanimi shqiptar e më gjerë, që t’ju dëshmojmë të gjithëve se ne do e përfaqësojmë çdo brengë të çdo qytetari, nga Likova deri në Strugë e Dollnen. Sot kishim planifikuar që të flasim disa pikë shumë të rëndësishme, posaçërisht pikën e shkeljes së të drejtave të qytetarëve që u bë në rastin Monstra, nga ana e gjykatës për fat të keq të korruptuar, partizuar dhe politizuar, me të cilën do të kishim pyetur edhe kryeministrin dhe ministrat kompetent që të na tregojnë pse u përsërit gjykata, gjykimi, prokuroria në rastin Monstra, për fat të keq e njëjta siç ishte me rastin Geshovska”, tha Rexhepi.

Sipas rregullores deputetët e opozitës kanë të drejtë që të parashtrojnë pyetje në proporcion dy me një me pushtetin, ndërsa në këtë rast reagimi erdhi pasi Ziadin Sela ishte vendosur I pesti në listë, ndërsa koordinatori Rexhepi i 13-ti me rradhë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button