Maqedonia ka shënuar renditjen më të keqe historike në indeksin e korrupsionit sipas Transparency International

Maqedonia e Veriut është renditur më keq se kurrë ndonjëherë deri tani në Indeksin e korrupsionit të Transparency International, me rënie prej 5 vendesh, gjegjësisht në vendin e 111 në një grup me BeH, Panamanë dhe Mongolinë, njofton Portalb.mk.

Me këtë, vendi është pozicionuar pesë vende më poshtë krahasuar me vitin e kaluar. Por, ndryshime në indeks nuk ka, gjegjësisht edhe këtë vit, si dhe vitin e kaluar indeksi është 35. Kjo është renditja më e keqe historike deri më tani prej se matet në vend, thotë Sllagjana Taseva nga zyra maqedonase e Transparency International.

“Ky është historikisht rezultati më i keq i indeksit, deri më tani më poshtë kemi qenë deri në 107, ndërsa tani jemi akoma më poshtë, kjo është hera e parë që kur Maqedonia renditet, qtë ketë një renditje kaq të keqe, pikët e indeksit 35 njësoj si vitin e kaluar. Absolutisht nuk kemi vërejtur asnjë përparim dhe është shumë e rëndësishme të dimë që metodologjia bazohet në hulumtime jo më të vjetra se dy vjet”, tha Taseva.

Indeksi në pesë vitet e kaluara varionte nga 37 në 35, me çka edhe renditja ishte nga vendi 90-të deri në vendin që kemi sot 111-të. Kjo do të thotë që vendi nuk po tregon asnjë progres ose tregon përparim të dobët në luftën kundër korrupsionit.

Taseva shpjegon se hulumtimet, që janë marrë parasyshë për rezultatin e Maqedonisë tregon rënie serioze të indeksit kryesor të sundimit të ligjit dhe drejtësisë.

“Kjo drejtpërdrejt tregon që ne nuk jemi marrë siç duhet me korrupsionin në gjyqësor dhe se reforma e premtuar e gjyqësorit nuk është zbatuar, ndërsa indeksi tjetër ku është vërejtur rënie është Freedom House, do të thotë që të drejtat dhe liritë e njeriut, gjërat kryesore që duhej të merreshin si prioritare në reforma. Aty vërejtëm rënie si dhe si rezultat i këtij fakti, ne vërejmë rënie të indeksit, këtu është lidhja e drejtpërdrejtë”, tha Taseva.

Nga vendet në Ballkanin Perëndimor, vetëm Shqipëria është përmirësuar duke kërcyer dy vende në renditje, ndërsa Kroacia nuk ka ndryshuar.

Qeveria e Maqedonisë, me caktimin e një zëvendës Kryeministri të ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe burimet njerëzore, e ka ngritur këtë çështje midis prioriteteve që do të adresohen në mandatin e ri. Në Planin aksional 21, Qeveria njoftoi se do të krijohet një Qendër Thirrjesh e sinkronizuar dhe unike për raportimin e korrupsionit dhe monitorimin e procedurave në institucione.

Por, nga ana tjetër, për më shumë se një vit Strategjia Nacionale për Luftën kundër Korrupsionit dhe Parandalimin e Konfliktit të Interesit, të cilën e zhvilloi Komisioni Antikorrupsion së bashku me disa institucione, nuk u miratua kurrë. Për një vend, i cili pretendon se lufta kundër korrupsionit është në krye të përparësive të tij, ky është një fakt që nuk shkon në favor të qëllimeve të deklaruara.

Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion Biljana Ivanovska thotë se lufta kundër korrupsionit është shumë e vështirë dhe kërkon vullnet politik.

“As KShPK-ja dhe as emërimi i zëvendëskryeministrit për korrupsion nuk mund ta zgjidhë luftën kundër korrupsionit menjëherë. Duke punuar në raste dhe raporte nga qytetarët, kemi zbuluar shumë dobësi që duhet të eleminohen më tej, por për atë përsëri na duhet vullneti politik, shteti, ministritë që të veprojnë në përputhje me rekomandimet tona dhe të bëjnë ndryshime në ligjet përkatëse për të kapërcyer dobësitë sistematike . Një gjë e tillë është kyçe dhe thelbësore, që të mos lejohet, që nën moton “gjithçka është e ligjshme” të ndodhin shumë vepra korruptive. Na duhet një luftë gjithëpërfshirëse, e gjithë shoqëria duhet të vendosë një herë e përgjithmonë – Po, ne do t’i japim fund korrupsionit. Por për sa kohë që dikush sheh vetëm interesin e vet, ndërsa duhet ta pranojmë se ka të tillë, lufta normalisht është shumë më e vështirë”, tha Ivanovska.

Në raportin e fundit të Transparency International për vitin 2020, Covid-19 zë vendin kyç. Raporti thekson ndikimin e korrupsionit në përgjigjet e qeverive gjatë pandemisë duke krahasuar performancën e vendeve me investimet e tyre të kujdesit shëndetësor dhe shkallën në të cilën institucionet e tyre janë dobësuar gjatë pandemisë. Në përgjithësi, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2020 zbulon se korrupsioni i vazhdueshëm minon sistemet shëndetësore dhe kontribuon në prapambetje demokratike gjatë kohës së pandemisë me kovid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button