Kosovë, Qeveria me vendime të reja për të ndihmuar bizneset e dëmtuara nga pandemia

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë disa vendime me qëllim të lehtësimit të ushtrimit të aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve si pasojë e gjendjes së vështirësuar ekonomike të krijuar nga pandemia e koronavirusit të ri(COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA). 

Siç është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi, një nga pikat kryesore të këtij vendimi ka qenë që Qeveria në detyrë ka shtyrë bllokimin e llogarive bankare për tatimpaguesit që kanë obligime ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) deri në fund të muajit prill të vitit 2021.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur në rrjetet sociale se për të ndihmuar bizneset në tejkalimin e gjendjes së shkaktuar nga pandemia, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të shtyjë bllokimin e llogarive bankare për tatimpaguesit që kanë obligime ndaj ATK deri më 30 prill 2021.

Gjithashtu në dokumentin e nënshkruar nga Qeveria në detyrë e Kosovës bëhet e ditur se përpos dy pikave të lartcekura, janë hequr edhe ndëshkimet për të gjithë tatimpaguesit “që kanë detyrime tatimore të pashlyera në ATK, nëse kryejnë pagesën e tatimit bazë dhe interesit deri më 30 qershor 2021”.

Vendimi obligon Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) që gjatë kësaj periudhe të iu mundësojë tatimpaguesve të kryejnë obligimet tatimore bazuar në mundësitë financiare të tatimpaguesve, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të tyre financiar.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë në detyrë të Kosovës, kabineti qeveritar gjithashtu ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Agjencinë për Barazi Gjinore për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021. Një milion euro janë ndarë për këtë qëllim dhe do të shfrytëzohen në pajtim me kriteret sipas vendimit të Qeverisë për zbatimin e Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike Faza II-Masa 4 – Mbështetje Financiare për Projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button