Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër investitorit në rastin “Mavrovasja”

Prokuroria Publike sot i ka dorëzuar Gjykatës Penale në Shkup akt akuzë për rastin e objektit pa leje te QT “Mavrovasja”, ku investitori në mënyrë të paligjshme filloi ndërtimin e objektit me materiale të forta, i cili më pas u rrënua nga organet kompetente, njofton Portalb.mk.

“Pas përfundimit të procedurës hetimore, prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike Shkup ka ngritur akt akuzë kundër një personi për vepër penale – Ndërtim të paligjshëm nga neni 244-1 paragrafi 1 nga Kodi Penal. I akuzuari M.A., gjatë qershorit dhe korrikut të vitit 2020, në cilësinë e investitorit, ka ndërtuar objekt me sipërfaqe prej 330 m2 para QT “Mavrovasja”, ndërsa nuk ka pasur leje për ndërtim të dhënë nga organ kompete”, njoftuan nga Prokuroria.

 Prokuroria Themelore Publike në shtator të vitit 2020 miratoi urdhër për hapje të procedurës hetimore kundër investitorit të objektit pa leje para QT “Mavrovasja”, Mevludin Aliti, për shkak të dyshimit bazë se ka kryer vepër penale – Ndërtim pa leje sipas nenit 244 – a paragrafi 1 nga Kodi Penal. Më pas, Gjykata Penale në Shkup pranoi propozimin e Prokurorisë për marrjen e pasaportës së investitorit. Me rekomandim të Prokurorisë Publike, u morën masa preventive, si marrjen e dokumenteve të udhëtimit dhe obligim që të paraqitet në gjykatë.

Objekti pa leje te QT “Mavrovasja” filloi të rrënohej në shtator të vitit të kaluar.

Pasi Komuna e Çairit nuk pati sukses për rreth dy muaj që të gjëjë operator për rrënim të objektit, Qeveria solli vendim me të cilin obligoi Ndërmarrjen Publike për Mirëmbajtjen dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale “Rrugët e Maqedonisë” që të rrënojë objektin pa leje para QT “Mavrovasja”.

Së fundi, kanë filluar sërish ndërtimet, por këtë herë po vendosen shtylla të çelikut, për të cilat kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu deklaroi sot se, nuk ka asgjë kontestuese dhe se lokali kthehet në gjendjen që ka qenë para se ta kaplojë zjarri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button