fbpx

SHBA dhe Rusia para vazhdimit të marrëveshjes për çarmatimin

Menjëherë pas ndryshimit të pushtetit në Uashington, ethet morën fund: SHBA dhe Rusia ranë dakord për zgjatjen e marrëveshjes për kufizimin e armëve strategjike bërthamore, shkruan Dojçe Vele.

“Zgjatja (e marrëveshjes për çarmatimin “New Start” – “Fillimi i Ri “) është në interes të të dy vendeve tona dhe të gjithë botës”, kumtoi Kremlini në Moskë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti i ri i SHBA-së, Joe Biden kanë biseduar para lëshimit të kësaj kumtese, për herë të parë me telefon.

Të dy palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre në parim për të zgjatur marrëveshjen e fundit të madhe për çarmatimin bërthamor, për një periudhë prej dy deri në pesë vjet. Të martën janë shkëmbyer edhe notat përkatëse diplomatike për këtë çështje. Putini madje prezantoi një projektligj menjëherë në parlamentin rus. Kreu i Komisionit për Punë të Jashtme i Dumës ruse, Leonid Slutsky, tha se procesi i ratifikimit do të fillojë menjëherë.

Koha po kalon

Marrëveshja aktuale “Fillimi i Ri” skadon në fillim të muajit shkurt. Marrëveshja, e cila hyri në fuqi në 5 shkurt 2011, kufizon arsenalin bërthamor të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në 800 sisteme bartëse dhe 1.550 koka bërthamore për secilin vend. Marrëveshja është nënshkruar për një periudhë dhjetëvjeçare – deri më 5 shkurt 2021.

Nëse marrëveshja nuk zgjatet, për herë të parë prej dekadash, nuk do të kishte një marrëveshje që kufizon numrin e armëve bërthamore strategjike. Kjo do të thotë se menjëherë do të mund të fillonte një garë armatimesh mes SHBA-s dhe Rusisë.

Qeveria e ish-presidentit Donald Trump nuk ka arritur të merret vesh me Kremlinin për zgjatjen e marrëveshjes. Përveç kësaj, administrata e kaluar donte të përfshinte edhe Kinën në një marrëveshje shumëpalëshe të çarmatimit. Por udhëheqja në Pekin deri tani ka refuzuar të negociojë arsenalin e saj bërthamor, i cili po rritet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button