Koncepti i ri, Carovska zhvilloi takim me drejtorët e shkollave fillore dhe përfaqësues të Universiteteve

Ministrja e Arsimit Milla Carovska zhvilloi takime me drejtorët e shkollave fillore dhe përfaqësues të Universiteteve të vendit, ku u bisedua për konceptin e ri në arsimin fillor. Qëllimi i takimeve, siç u shpreh Carovka, ishte zhvillimi i debatit, sugjerimeve dhe komenteve të të gjitha palëve të përfshira në këtë proces reformues, njofton Portalb.mk.

“Sot kishim takim me përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, nga Fakultete të ndryshme, Universitete të ndryshme. Të gjithë ata kanë mundësi të kontribuojnë në përmirësimin e konceptit dhe të cilët besojnë se ky koncept përbën një hap domethënës në përmirësimin e arsimit fillor, ndërsa më pas do të bëhen diskutime të tjera për nivelet tjera të arsimit”, deklaroi Carovska.

Përfaqësuesja e Fkultetit Pedagogjik-Shtip tha se të gjithë janë të një mendimi se çdo kohë bartë sfida dhe se një reformë e tillë është e nevojshme.

“Unë do të thoja se në konceptin e propozuar, jepen udhëzime konkrete, në të cilat nëse përfshihen të gjithë aktorët, duke filluar nga prindërit e deri te arsimtarët, do të japim kontribut për përmirësimin e këtij koncepti, që do të jetë në interes të nxënësve tanë”, tha Emilija Petrova Gjorgjieva, nga Universiteti Goce Dellçev-Shtip.

“Sot kishim debat të frytshëm, ku dham përkrahjen për realizimin e konceptit të ri. Sugjerimet do t’i marrim deri në javën e ardhshme, kur do të kemi debat në Parlamentin e Maqedonisë dhe pas saj do ta finalizojmë në bazë të këtyre sugjerimeve”, tha një përfaqësues tjetër.

Sllavço Dimitrov nga Universiteti Fon deklaroi se iniciativa dhe reformat më thelbësore deri tani është një proces ku duhet të kyçen të gjithë aktorët përgjegjës. Nxënësit, u shpreh ai, duhet të jenë fokusi i këtij procesi.

Dekani i Fakultetit Pedagogjik i Universiteti të Tetovës Fatbi Osmani tha se ata e përkrahin reformën dhe kanë dhënë sugjerimet dhe vërejtjet e tyre.

“Në këtë takim u diskutua gjerë e gjatë me të gjitha segmentet që përfshin reforma dhe po zhvillohet një debat shumë i frytshëm dhe shumë konstruktiv, sidomos nga fakultetet pedagogjike. Unë mendoj që ka pas diskutime të rëndësishme dhe ne si Universitet i Tetovës kemi përkrahur këtë reformë me gjithë sugjerimet dhe vërejtjet tona”, deklaroi Osmani.

Mimoza Ristova nga Fakulteti matematiko-natyror Shkup tha se koncepti nënkupton dëshirë për ndryshim në arsim.

“Koncepti do të formojë një shoqëri të integruar”, tha Ristova.

Ndërkohë edhe në takimin e Carovskës me Shoqatën e Drejtorëve të Shkollave Fillore dhe të Mesme temë diskutimi ishte procesi e reformave në arsim.

Siç thuhet në kumtesën e MASh-it, drejtorët i dhanë mbështetjen e tyre të plotë reformave dhe kanë vënë në dukje se do të përfshihen plotësisht dhe me përkushtim në të gjithë procesin e implementimit.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska tha se me reformën për herë të parë nxënësit  vihen në fokusin e arsimit, dhe mësimdhënësit janë lidhja kyçe  në mësim.

Ministrja theksoi se shkollat ​​duhet të bëhen vende interesante ku do të stimulohet kurioziteti dhe mendimi kritik dhe krijues i fëmijëve dhe kjo është pikërisht ajo që ofron kjo reformë.

Ndryshe, siç kanë paralajmëruar institucionet kompetente, ndryshimet që janë planifikuar në lidhje me lëndët mësimore, do të fillojnë nga viti i ardhshëm dhe do të futen në klasën e parë dhe në të gjashtën.

Do të përgatiten libra të rinj, materiale mësimore, manuale për të gjitha risitë e planifikuara dhe do të vijojë punë intensive me mësuesit që do të japin mësim.

Në secilën shkollë janë përgatitur mësues të historisë, gjeografisë, filozofisë, të cilët do të mund të zhvillojnë mësimin, t’i  planifikojnë bashkërisht aktivitetet, kurse mënyra e organizimit të mësimdhënies do të specifikohet në programet mësimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button