fbpx

RMV, stop importit të automjeteve të vjetra – në rrugë vetëm me EURO 5 e më lartë

Maqedonia e Veriut planifikon që këtë vit të ndalojë importin e automjeteve nën standardin EURO 5. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi njoftoi ndryshimet në rregullat për import të makinave të përdorura dhe ngritjen e standardit, i cili pritet të ndihmojë në uljen e ndotjes dhe rinovimin e flotës në vend, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Janë planifikuar dy masa – njëra duhet të sigurojë ndihmë të drejtpërdrejtë financiare për ata që do të zëvendësonin automjetet që i kanë, të cilat janë nën Eurostandard 4, me automjete me Eurostandard 5 ose 6. Masa e dytë është subvencionimi i blerjes së automjeteve hibride. Fondet duhet të sigurohen për të dy masat.

Rregulla të reja

Për momentin nuk është e mundur të importohen automjete me standard mjedisor më të ulët se Eurostandard 4. Këto automjete nuk mund të regjistrohen dhe të lëvizin në rrugët në të gjithë Maqedoninë, kurse së shpejti mund të hyjë në fuqi edhe ndalimi i automjeteve nën standardin EURO 5.

“Këtë vit duhet të rritet standardi për importin e automjeteve në vendin tonë. Sa i përket masave, ne tashmë po zbatojmë disa masa për instalimin e pajisjeve të gazit në automjete”, njoftoi Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën “Vizioni për tranzicion energjetik 2040”.

Lidhur me masat tjera të planifikuara në lidhje me komponentin ekologjik të sektorit të transportit, Bekteshi përmendi subvencionet për familjet për të instaluar pajisje gazi ose pajisje metani, si lëndë djegëse ekologjike – masë që do të zbatohet këtë vit.

 Importi i automjeteve të përdorura në rënie

Të dhënat doganore tregojnë se vitin e kaluar numri i makinave të përdorura të importuara u ul ndjeshëm në krahasim me vitet e mëparshme. Në vitin 2020, janë importuar rreth 23.900 makina të përdorura, ndërsa në vitin 2019 ky numër ishte afër 38.600. Importuesit e makinave komentojnë se kjo masë do t’u sjellë atyre goditje serioze. Automjetet me standardin EURO 5 janë më të shtrenjta dhe do të duhet të investojnë më shumë para për t’i sjellë ato, por nuk ka asnjë garanci se do t’i shesin ato. Arsyeja për këtë është fuqia e dobët blerëse e popullsisë – interesi më i madh është për automjete më të lira, ndërsa çmimet e atyre me standardin EURO 5 zakonisht shkojnë nga 3,500 euro e lart.

Në vitin 2019, Bekteshi paralajmëroi subvencion deri në tre mijë euro për qytetarët të cilët blejnë automjete të reja, por me kusht që automjeti i vjetër me standard të ulët mjedisor të përfundojë si mbeturinë. Vlera e automjeteve që do të blihen të kufizohet në 12.000 euro.

Mosha mesatare 19 vjeç

19 vjet është mosha mesatare e automjeteve të përdorura të importuara në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave nga Drejtoria e doganave, në pesë vitet e fundit, janë importuar rreth 150.000 automjete të përdorura. Pjesa më e madhe e këtyre automjeteve e përmbushin standardin ekologjik EURO 4, të cilin BE-ja po e nxjerrë ngadalë nga përdorimi për të përdorur standard më të lartë të emetimit të gazrave të dëmshme Euro 6.

Maqedonia e Veriut vitet e fundit është bërë vend ku përfundojnë automjetet nga të cilat Evropa po lirohet, duke u kthyer kështu në një deponi për automjetet e përdorura, të cilat janë të dëmshme për mjedisin dhe cilësinë e ajrit, kurse ende lejohen të “rrotullohen” nëpër rrugë.

Flota e automjeteve në vend është relativisht e vjetër dhe mosha mesatare e automjeteve vlerësohet në 19 vjet, prej të cilave më shumë se 200.000 automjete si karburant e kanë dizelin, analizon profesoresha në Fakultetin Teknik në Manastir, prof. D-r. Jasmina Bunevska Talevska. Si shembull, shton ajo, në ajër ka deri në 25% të substancave të dëmshme që vijnë nga trafiku, ndërsa pothuaj 40% të substancave të dëmshme vijnë nga kamionët.

Në Manastir, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, nga numri i përgjithshëm i automjeteve të regjistruara të pasagjerëve, 55.07% përdorin benzinë ​​si lëndë djegëse, 43.46% përdorin dizel dhe 1.47% përdorin gaz. Pikërisht për shkak të shkallës së lartë të motorizimit dhe përqindjes së lartë të automjeteve me dizel, profesoresha Bunevska Talevska në një deklaratë për “Terra” apelon se është i nevojshëm integrimi i disa masave në lidhje me shumën e sigurimit, regjistrimit, tarifave të inspektimit teknik. Ajo gjithashtu propozon kufizimin e importeve, subvencionimin e furnizimit të automjeteve alternative (hibrid, trolejbus hibrid, automjete hibride me dizel dhe elektrike), motoçikleta elektrike dhe investime në infrastrukturë (stacione për karikim të baterive elektrike).

Propozohet edhe të subvencionohen taksi automjetet, të subvencionohen 60% për zëvendësimin me automjete elektrike dhe 40% për zëvendësimin me automjete hibride plug-in, të fillojë përdorimi i kompensimit të përshtatshëm (taksa ekologjike) dhe privilegje përkatëse për mobilitet ekologjik – parkim falas për automjetet elektrike, krijim të zonave me emetim të ulët dhe ngjashëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button