ShBA, në fokus ekstremistët në radhët e policisë

Sulmi vdekjeprurës i 6 janarit në Kapitol ka rikthyer vëmendjen tek një sekret jo fort i fshehtë se elementë të ekstremit të djathtë kanë infiltruar në radhët e forcave policore në mbarë vendin, Portalb.mk.

Për vite, megjithëse ekspertët paralajmëronin për rrezikun në rritje nga ekstremizmi në repartet policore, shumë shefa policie e injoronin problemin si zhurmë e nxitur nga media sociale.

Pasi u bë e ditur se dhjetëra policë aktualë, ose në pension, si dhe zjarrfikës e pjesëtarë të forcave të armatosura kishin marrë pjesë në trazirat e 6 janarit, udhëheqja e forcave të rendit është detyruar të përballet me problemin, transmeton VOA.

Pesë vetë humbën jetën në trazirat e 6 janarit, ndër ta polici i repartit të Kapitolit, Brian Sicknick, të cilin e qëlluan në kokë me një mjet metalik. Shumë policë të tjerë u plagosën. Ish-Presidenti Trump përballet me një proces gjyqësor në Senat nën akuzën se nxiti protestat e dhunshme për të penguar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Të paktën 30 policë nga më shumë se 10 shtete që nga Virxhinia e Pensilvania, deri në Oklahoma e Kaliforni janë nën hetime nga eprorët për sjelljen e tyre në Uashington. Ata mund të përballen me akuza penale për pjesëmarrjen në protestat me dhunë.

“E meta më e madhe e strukturave të rendit ka qenë se kanë dëgjuar komente ekstremiste nga kolegët dhe i kanë konsideruar si liri e fjalës, në vend që ta pranonin se komente të tilla gërryejnë demokracinë e Amerikës,” thotë David Mahoney, sherifi i komunës Dejn në Uiskonsin. Ai është president i Shoqatës Kombëtare të Sherifëve.

Javën e kaluar, kur agjentë federalë erdhën për të komunikuar akuzat ndaj një polici në Hjuston lidhur me incidentet në Kapitol, Shefi i Policisë, Art Acevedo u përcolli një paralajmërim të fortë kadetëve:

“Nëse ka njeri në këtë dhomë që mendon se dikush prej jush duhet të ishte në Kapitol, më mirë lëreni këtë karrierë. Nuk do ta keni të gjatë këtu me atë mendësi,” tha ai.

Përfshirja në Protestat e Dhunshme në Kapitol

Polici Tam Pham me një karrierë 18 vjeçare, u akuzua për futje të paligjshme në Kapitol dhe për akte që ndërprisnin aktivitetin zyrtar.

Pham u tha fillimisht hetueve federalë se kishte shkuar me të shoqen në Uashington për biznes dhe se kishte marrë pjesë në protesta në mëngjes, por nuk ishte futur në Kapitol.

Por ai e ndryshoi dëshminë pasi agjentët federalë zbuluan në celularin e tij fotografi që ai kishte bërë në mjediset e brendshme të Kapitolit. Në një prej tyre ai qëndron pranë statujës së Presidentit Gerald Ford, i mbështjellë me një flamur me emrin e Presidentit Trump.

Avokatja e tij, Nicole DeBorde tha për Zërin e Amerikës se ish-polici “është penduar shumë që kishte shkuar dhe do të distancohet nga çdo formë terrorizmi të brendshëm, nga ata që sulmuan Kapitolin”.

Pham është një ndër të paktën gjashtë pjesëtarë të forcave të rendit që janë nën akuza federale për sulmin ndaj Kapitolit dhe akte të tjera penale.

Jacob Fracker dhe Thomas Robertson, dy policë nga Roki Maunt i Virxhinias bënë 320 km rrugë që të vinin në Kapitol. Si shumë protestues të tjerë, ata bënë fotografi gjatë trazirave dhe i postuan në median sociale. Në Instagram, Robertson shkruan se fotografitë tregojnë “dy burra që janë të gatshëm të rrezikojnë dhe të ngrihen për të drejtat e tyre,” sipas dokumentave gjyqësore.

Dy të akuzuarit nuk iu përgjigjën kërkesës për komente.

Chuck Wexler, drejtor ekzekutiv me Forumin për Kërkime mbi Aktivitetin Policor, tha se këta pjesëtarë të forcave të rendit e kaluan cakun kur u përfshinë në këto protesta.

“Këto demonstrime precipituan nga protesta për të shprehur mendime, në sjellje të dhunshme. Kjo ka lënë përshtypje në të gjithë repartet policore,” thotë ai.

Deri tani FBI-ja ka ngritur akuza ndaj 130 pjesëmarrësve dhe po heton qindra të tjerë. Por mbetet ende i panjohur numri i saktë i pjesëtarëve të forcave të rendit.

Një listë e krijuar nga Jonathan Ben-Menachem, kandidat për doktor shkencash në Universitetin Columbia, thotë se në protestat e dhunshme morën pjesë të paktën 39 policë nga 18 shtete. Ndër ta edhe një shef policie nga Nju Hempshër dhe një sherif nga Oklahoma, si dhe një person i zgjedhur si prokuror në Indiana. Ndërsa vazhdojnë hetimet, shumë prej personave të identifikuar thonë se thjesht morën pjesë në protesta por nuk u futën me dhunë në Kapitol. Sherifi Mahoney thotë se gjithsesi kjo sjellje është e pajustifikueshme.

“Nëse ishe në protesta pranë Kapitolit dhe nuk u angazhove për të penguar të tjerët, që të mos futeshin me forcë në ndërtesë, je me faj njësoj si ata që u futën brenda,” tha ai në një intervistë.

Ndërkaq, mbi 10 policë të forcës policore të Kapitolit janë nën hetime për rolin e tyre në këto incidente. Të paktën dy prej tyre janë pezulluar. Sipas njoftimeve një prej tyre bëri fotografi me disa prej protestuesve. Një tjetër është parë me një kapele me slloganin e ish-presidentit Trump ndërsa udhëheq turmën brenda ndërtesës.

Policia e Kapitolit nuk iu përgjigj kërkesës për komente.

Lidhje me Grupe Ekstremiste

Megjithëse nuk është zbuluar ndonjë lidhje mes ndonjë prej policëve që morën pjesë në protestat me dhunë dhe ndonjë organizate terroriste, grupe ekstremiste që rekrutojnë pjesëtarë të forcave të armatosura dhe të rendit ishin të pranishëm në masë në protesta. Ndër ta ishin anëtarë të organizatave Oath Keepers dhe Three Perventers.

Javën e kaluar prokurorët federalë paraqitën akuza për komplot kundër tre anëtarëve të Oath Keepers lidhur me rolin e tyre për të orkestruar sulmin në Kapitol disa ditë para aktit. Jessica Watkins, veterane amerikane, kishte shkruar në platformën e medias sociale Parler “Sot sulmuam Kapitolin. Na sulmuan me gaz lotsjellës. Ushtruam forcë për t’u futur tek salla qendrore. U futëm edhe në Senat”.

Ajo nuk iu përgjigj kërkesës për komente.

Nuk është gjë e re që repartet policore janë infiltruar nga elementë të ekstremit të djathtë. Që në fillimet e shekullit XX, anëtarë të grupit për supremaci të bardhë Ku Kluks Klan kishin infiltruar departamentet policore, duke terrorizuar komunitetet që supozohej që do të mbronin, sipas ekspertëve.

Me shtimin e grupeve paraushtarake anti-qeveritare gjatë viteve të fundit, shqetësimet për infiltrimin e ekstremistëve në radhët e policisë janë shtuar. Në 2015, FBI-ja paralajmëronte se në hetimet e saj mbi grupe të ekstremit të djathtë kishte zbuluar lidhje aktive me reparte të zbatimit të ligjit.

Nevoja për një Strategji Kombëtare

Megjithëse FBI-ja e ka veçuar terrorizmin e brendshëm si një kërcënim madhor, Departamenti i Drejtësisë nuk ka zhvilluar një strategji kombëtare për të luftuar kërcënimin e ekstremit të djathtë në repartet policore, thotë ish-agjenti i FBI-së, Michael German.

“Nëse qeveria do të kishte mësuar se al-Qaida apo ISIS-i kishin infiltruar në agjencitë amerikane të rendit, pa diskutim do të kishte filluar një përpjekje kombëtare për ta identifikuar dhe neutralizuar rrezikun,” thotë zoti German.

Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes nëse ky department ka një strategji kombëtare në përgjigje të shqetësimeve për infiltrimin e ekstremistëve në reparte policore.

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Michael Sherwin tha se Departamenti i Drejtësisë do të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për protestat e dhunshme në Kapitol, përfshirë edhe policë.

“Nuk duam t’ia dimë se çfarë profesioni ka individi. Nëse ka kryer aktivitet kriminal, do të akuzohet, do të arrestohet,” tha ai.

Amy Cooter, pedagoge e sociologjisë në Universitetin Vanderbilt, vuri në dukje se aktiviteti i grupeve paraushtarake zakonisht bie gjatë administratave republikane, pasi anëtarët e këtyre grupeve ekstremiste i shohin republikanët si më të afërt me shqetësimet e tyre dhe këmbënguljen e tyre për të drejtën e armëmbajtjes e tema të tjera.

“Por në vend që të qetësoheshin këto shqetësimet, Trumpi i nxiti, i bëri të duken si më urgjente, më të përligjshme. Pra u shndërrua në një kuti baruti dhe u bë më e lehtë për këto grupe të dilnin haptazi në hapësirën publike,” thotë zonja Cooter.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button