RMV, vendimet e qeverisë për vaksinat, rrugët, dy liqenet e vendit dhe tema tjera

Plani nacional për vaksinat Kovid-19 është miratuar sot në kuadër të seancës së 41-të qeveritare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk. Për realizimin e këtij plani, Ministria e Shëndetësisë duhet të raportojë rregullisht çdo muaj.

“Vaksinimi në vend do të realizohet në tri faza ku janë të përfshirë kategori të ndryshme të qytetarëve”, deklarojnë nga Qeveria, duke sqaruar që vaksinimi do të realizohet në hapësirat ekzistuese dhe nga kuadri profesionist që deri më tani ka realizuar vaksinimin në shtet.

Në këtë seancën gjithashtu janë miratuar edhe disa propozime tjera, duke përfshirë edhe miratimin e Programit për reforma ekonomike 2021-2023. Qeveria theksoi se kjo është në përputhje me procesin eurointegrues, ndërsa Ministria e Financave deri më 31 janar të këtij viti duhet ta dorëzojë këtë Program në Komisionin Evropian.

Komuna e Dojranit do të pranojë 40 milionë denarë për përmirësimin e gjendjes në Liqenin e Dojranit, gjithashtu edhe Komuna e Resnjës do të pranojë një shumë të tillë për zgjidhjen e problemeve në Liqenin e Prespës.

Për ndërtimin, rekonstruktimin, rehabilitimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e rrugëve shtetërorë, Qeveria ka vendosur që në vitin 2021 të ndaj 4 milionë denarë më shumë se vitin e kaluar në NP Rrugët shtetërore.

Qeveria miratoi ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rezervat e detyrueshme të naftës, si dhe vazhdoi të shkarkojë dhe emërojë drejtorët dhe anëtarët e institucioneve të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button