Komuna e Çairit thotë se planifikon të ndërmerr masa për efikasitetin energjetik, nuk dihet se kur

Komuna e Çairit po shqyrton mundësitë për të ndërmarrë hapa të mëtejmë sa i përket projektit për efikasitet energjetik, përkatësisht të rinovimit të fasadave të ndërtesave në territorin e kësaj komune. Këtë e kanë konfirmuar për Portalb.mk nga kjo komunë.

“Jemi në procedurë e sipër, po e diskutojmë këtë çështje. Ende nuk ka diçka të re. Gjatë kësaj periudhe do t’ju informojmë”, thonë nga Komuna e Çairit.

Efikasiteti energjetik ka qenë një ndër premtimet më të theksuara të kryetarit aktual të kësaj komune, Visar Ganiu gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara komunale. Edhe pse komuna inicioi realizimin e këtij projekti, i njëjti ka ngecur.

Në vitin 2018, Ganiu në raportin e tij njëvjeçar të punës, kishte vendosur edhe këtë projekt, për të cilin ka theksuar se: “Në bashkëpunim me organizatën Habitat filluam projektin për efikasitet energjetik për banesat kolektive;”.

Në dhjetor të të njëjtit vit, Ganiu kishte realizuar edhe një takim me këshillat e disa prej ndërtesave në Bit Pazar, por nuk është arritur marrëveshje për realizimin e projektit pasi, banorët nuk i kanë pranuar kushtet që u ka ofruar komuna.

Takimi i Visari Ganiut me kryetarët e Këshillave Banesore, dhjetor 2018

Ndërkaq, Portalb.mk para disa ditëve, kontaktoi disa banorë të kësaj komune dhe të njëjtit u shprehën për se  nuk kanë dëgjuar se komuna ka iniciuar një projekt të atillë.

“Ka qenë premtim zgjedhor para katër viteve, por me neve nuk ka kontaktuar askush deri më tani. Kemi pasur një premtim dhe kemi mbajtur takim me përgjegjësit e ndërtesës për ta shfrytëzuar rastin nëse mundemi të përfitojmë diçka. Nuk jemi takuar me kryetarin e komunës, vetëm e di se ka qenë premtim parazgjedhor”, tha një qytetar për Portalb.mk.

Ata u shprehën se janë të interesuar që të realizohet ky projekt, por se nuk kanë dorëzuar kërkesa në komuna, pasi nuk kanë qenë të informuar rreth kësaj.

“Ne nuk jemi të informuar rreth këtij projekti. Në ndërtesën tonë nuk na kanë informuar rreth kësaj. Edhe pse ne jemi të interesuar që të rinovohet fasada sepse kemi nevojë për një gjë të tillë, pasi një pjesë e saj është duke rënë”, u shpreh një qytetar tjetër.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu gjatë fushatës së tij parazgjedhore, premtoi se do të fillojnë t’i pajisin shkollat me efikasiteti energjetik dhe për 141 ndërtesat që janë premtuar se do të pajisen me efikasitet energjetik tha se komuna nuk participon dukshëm në atë, por kanë marrë iniciativë për t’i formuar këshillat banesor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button