Maqedonia e Veriut do të sigurojë nga Kina vaksina kundër koronavirusit

Autoritetet shëndetësore në vend po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e blerjes së vaksinave kundër kovid-19 nga prodhuesit kinezë “Sinovac” dhe “Sinofarm”. Informacionin e konfirmoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili në një intervistë për emisionin “360 gradë” në TV Alsat, tha se me ndihmën e Ambasadës kineze në vend, ata krijuan kontakte me prodhuesit e atjeshëm të vaksinave, njofton Portalb.mk.

“Presim detaje në lidhje me marrëveshjen, në lidhje me çmimin dhe dorëzimin dhe besoj se deri në fund të kësaj jave do t’i kemi të gjitha këto detaje. Tani nuk do të doja të flisja për afate, megjithatë, thelbi është në atë se duket qartë që prodhuesit që arritën të hyjnë për herë të parë në treg, dhe kjo është Pfizer, për shembull, kanë problem me kapacitetin. Shumë vende evropiane po shpallin procese gjyqësore për mospërmbushje të marrëveshjeve, Kroacia po ndërpret procesin e imunizimit dhe kjo është diçka që na bën të punojmë praktikisht në të gjitha fushat për të siguruar një proces të integruar, pa pauzë nga momenti i fillimit të imunizimit, natyrisht, me të gjitha këto vaksina të sigurta”, tha Filipçe gjatë kësaj interviste të shkurtër.

Në pyetjen se a mund të përbëjë problem fakti që këto vaksina nuk janë miratuar nga Agjencia evropiane e barnave, ministri u përgjigj:

“Dokumentet, certifikatat që të gjithë prodhuesit e vaksinave kanë nga vendet e tyre janë plotësisht të përshtatshme. Në atë kuptim, mënyra në të cilën evaluojnë të gjitha rezultatet e studimeve klinike, procesi i bërjes së vaksinave, konkretisht këto për të cilat flasim, është e njohur për ekspertët tanë. Kjo është pikërisht ajo që ata kanë analizuar për pothuajse të gjitha vaksinat që tani janë në treg, në mënyrë që të mos ketë pengesë administrative dhe, patjetër, që nuk ka dyshim në cilësinë e tyre”.

Sidoqoftë, Filipçe tha se vendi nuk heq dorë nga dozat e planifikuara përmes mekanizmit Kovaks, për të cilin u njoftua takim të premten, në të cilin duhet të specifikohet se kur dhe sa vaksinë do të vijë në vendet që aplikuan përmes këtij mekanizmi. Pfizer pritet gjithashtu t’i përgjigjet detajeve të marrëveshjes dhe lejes për sasitë që do të mbërrijnë nga Serbia.

Njoftimi për një furnizim të mundshëm të vaksinave nga Kina vjen mes vonesave në shpërndarjen e vaksinave te Pfizerit dhe prodhuesit e tjerë perëndimorë, për të cilat disa shtete anëtare të BE-së kanë njoftuar procese gjyqësore. Filipçe thotë se po përpiqen të sigurojnë sasi nga të gjithë prodhuesit në mënyrë që kur të fillojë procesi i imunizimit të mos ketë ndërprerje.

Ku dallojnë vaksinat kineze nga të tjerat? 

Ndryshe nga vaksinat “Pfizer” dhe “Moderna”, të cilat bazohen në injektimin e një pjese të kodit gjenetik të koronavirusit në trupin e njeriut, vaksinat kineze bëhen tradicionalisht në bazë të një virusi të dobësuar.

SINOVAK

Vaksina e prodhuar nga kompania kineze “Sinovak” nga Pekini quhet “Koronavak”. Funksionon duke përdorur pjesë të “dobësuara” të virusit që më pas aktivizojnë sistemin imunitar të njeriut, pa rrezik për paraqitje të formës serioze të kovid-19. “Koronavak” është metodë tradicionale e vaksinës që është përdorur me sukses në shumë vaksina të njohura. Si edhe të gjitha vaksinat e tjera, edhe për këtë janë të nevojshme dy doza. Një nga avantazhet kryesore të kësaj vaksine është se mund të ruhet në frigoriferë standardë në një temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius.

Koronavak ka kaluar fazën e tretë të testimit në disa vende. Të dhënat nga faza e mëvonshme e testimit në Turqi dhe Indonezi treguan efikasitet prej 91.25%, gjegjësisht 65.3%. Në Brazil, fillimisht u raportua 78%, ndërsa pastaj 50.4%. Kufiri më i ulët i efikasitetit i pranueshëm i vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është 50%.

SINOFARM

Kompania shtetërore kineze Sinofarm po zhvillon dy vaksina kundër kovid-19, të cilat, ashtu si vaksina Sinovak, bazohen në virus të dobësuar. Studimet kanë treguar se efikasiteti është 79%.

Për krahasim, vaksinat e Modernas dhe Pfizerit janë vaksina mRNA. Kjo do të thotë që një pjesë e kodit gjenetik të koronavirusit injektohet në trup, me çka sistemi imunitar fillon të bëjë proteina virale, por jo edhe të gjithë virusin, që është e mjaftueshme për trajnimin e sistemit imunitar për të sulmuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button