Të premten në Shkup mbahet marsh protestues për rastin “Monstra”, pasi prokurorja Fetai i akuzoi 3 persona për “terrorizëm”

Familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra”, për të premten në ora 13:00 kanë paralajmëruar protestë në Shkup, pasi që Prokuroria në seancën e fundit gjyqësore i tha fjalët përfundimtare dhe me të njëjtat, i akuzoi se ata janë fajtorë për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, me përjashtim të Sami Lutës, për të cilin e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, njofton Portalb.mk.

Marshi protestues do të fillojë nga parku i Çairit dhe do të mbarojë para Prokurorisë së Përgjithshme Shkup.

“Të nderuar vëllezër e motra, para disa ditëve prokurorja e rastit “Monstra”, shqipfolësja Fatime Fetai, e përmbylli fjalën e saj përfundimtare me akuzën se, të akuzuarit janë fajtorë për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smilkovës, madje duke i akuzuar për vepër terroriste duke i qëndruar besnike shefes së saj Gordana Jankulloska dhe prokurores së parë Gordana Geshkoska. “Amaneti në vend!”, shkruan kryetari i Këshillit Organizativ për rastin “Monstra”, Bedri Ajdari, në rrjetin social Facebook.

Për këtë, ai u bën thirrje të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë protestë në mënyrë paqësore, duke i respektuar masat anti-kovid.

“Në emrin tim personal si kryetar i Këshillit Organizativ për rastin “Monstra” dhe të familjarëve të të burgosurve, i ftojmë të gjithë shqiptarët (pa marrë parasysh bindjet e tyre politike) që të na mbështesin dhe ta ngremë zërin e popullit për drejtësi. Ju ftojmë të na mbështesni duke marrë pjesë në këtë protestë, sigurisht duke i ruajtur protokollet e mbrojtjes nga virusi Covid – 19, por edhe duke qenë të kujdesshëm ndaj provokimeve të mundshme. Drejtësi dhe asgjë tjetër!”, shkruan Ajdari, duke theksuar se organizator të protestës janë ai dhe familjarët e të burgosurve në këtë rast

Ndryshe, gjykimi për rastin “Monstra” në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar sërish valë pakënaqësie në opinion. Edhe pse ende nuk ka mbaruar dhe pritet që gjykatësit të thonë fjalën e fundit, kërkesa e Prokurorisë për burgim të përjetshëm për 3 persona, është shkak për riaktualizimin e protestave, pas atyre të të tensionuara të vitit 2014-të. Që konfuziteti dhe acarimi në opinion të jetë më i madh, përpos avokatit të të akuzuarve që thotë se ata janë të pafajshëm, problem shtesë është dhe deklarimi i kryeministrit Zoran Zaev, i cili kur ishte në opozitë, deklaronte se “persona të pafajshëm qëndrojnë pas grilave”. Por, sot ai tha se gjithmonë ka folur me rezerva dhe se do të vendosin organet e drejtësisë.

Gjatë publikimit të materialeve të përgjuara të ashtuquajtura “bomba” në pyetjet e gazetares së Portalb.mk në disa seanca, Zaev përgjigjej se ai do të publikojë gjithçka për këtë rast, por këtë nuk e bëri para opinionit. Megjithatë më pas, “bombat” i dorëzoi në Prokurorinë Speciale, e cila u shpërbë pas skandalit me prokuroren kryesore, Katica Janeva e cila gjendet në burg për korrupsion. Pasi që lënda u kthye në rigjykim, rastin e morën prokurorët që ishin të punësuar në këtë prokurori.

Të dielën para gazetarëve, Zaev deklaroi se gjithmonë për këtë rast ka folur me rezervë dhe se ka pritur që organet e drejtësisë ta thonë fjalën e fundit.

“Gjithmonë e kam thënë se gjykata është ajo që e thotë fjalën e fundit. Gjithmonë kur kam dhënë përgjigje për këto çështje, kam lënë rezerva. Gjithmonë e kam thënë se fjalën e fundit duhet ta thonë organet e gjyqësisë. Më vjen mirë që arritën që përmes dorëzimit të materialeve të përgjuara të mundësohet rigjykimi i proceseve gjyqësore dhe përmes të cilave do të zbulohet e vërteta… Asnjëherë nuk kam përmendur person tjetër si fajtor për rastin. Kam dhënë gjithmonë përgjigje për çdo rast, gjithmonë e kam thënë atë që kam menduar, por e përsëris sërish se fjalën e fundit e kanë organet e drejtësisë”, tha Zaev.

Më 3 shkurt mbrojtja do të mbajë fjalë përfundimtare, ndërkaq më pas Gjykata duhet të caktojë një termin tjetër për ta shqiptuar aktgjykimin.

Rasti “Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, në gjykimin e parë janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button