Udhëtimi i mundimshëm drejt ëndrrës së bukur

Çdo ditë herët, aty kah ora katër e mëngjesit, nëpër terr, sokakëve të mbuluar me borë shkoja e i thërrisja dy shokët e mi të klasës, Dinën dhe Lekën që të dilnim në xhade bashkë, të hipim në autobus e të shkonim në shkollë, në qytet, ku mësonim në gjimnaz, klasa e katërt. Shumicën e qenve në atë kohë i merr gjumi dhe nuk e kisha fort frikën nga ata, mirëpo në ato orë të mëngjesit ka ndodhur shpesh që të zbresin ujqit, ngase fshati ynë është rrëzë malit. Dimrit thuajse i ftonte ngrohtësia e fshatit ose i dëbonte acari i malit e ata e kërkojnë ndonjë pre të lehtë, që zakonisht është ndonjë qen që fle jashtë.  Kisha dëgjuar se kjo kafshë inteligjente s’i frikësohet as arushës, se lëre më t’i frikësohet diçkaje tjetër, mirëpo fshatarët ia kishin gjetur ilaçin kësaj pune: ujku, thoshin fshatarët, ia ka frikën vetëm dritës. Dhe, vetëm zjarri ose ndonjë dritë e fortë janë ato që i largon këto bisha të guximshme, sepse e dinin mirë ujqit se çfarë është zjarri. E kanë shijuar hatanë e zjarrit që e ka përfshirë malin shpesh dhe i ruhen edhe dritës. I ka djegur tambli, thonë, prandaj i fryjnë edhe kosit. Ballafaqimin me ujqit nuk do t’ia isha dëshiruar askujt. Prandaj i mora leje tim ati që ta marr një bateri të tij, që e kishte dhuratë nga një njeri me të cilin kishin qenë bashkë në burg në Monopolin famëkeq të Tetovës, kur regjimi komunist kishte ngujuar shumë fshatarë shqiptarë e ndër ta ishte edhe im atë. Im atë që nuk ka qejf t’i japë gjërat e tij, si ndonjë zinxhiri i orës, takëmi i duhanit ose kafesë, bateria, për çudi ma dha pa ndonjë vërejtje ose koment, siç di ai. “Merre në dollap”, tha. Ma dha çelësin dhe shtoi: “Por mos e mbaj vazhdimisht ndezur, se bateria nuk qëndron gjatë kohë. Ndize vetëm kur të shohësh ndonjë lëvizje kafshësh a njerëzish”.  Me bateri në dorë, ecja  rrugës së shkurtër të mbuluar me borë nga shtëpia ime deri te shtëpitë e Dinës e Lekës. Sa herë që dëgjoja ndonjë fëshfërimë ose çfarëdo zhurme tjetër prapa meje shpejt kthehesha dhe e ndizja baterinë e cila e zbulonte bukurinë e ftohtë të borës e cila krijonte një peizazh të paparë mbi degët e pemëve që dukeshin thuajse kanë lulëzuar. Ndonjëherë binte bora nga ndonjë degë e stërngarkuar, herën tjetër dilte dikush nga shtëpia për të shkuar në punë në fabrikën e tekstilit dhe kur ia lëshoja baterinë, ai duke e ditur se jam unë që në këtë kohë eci me bateri, menjëherë i mbulonte sytë duke më thënë: “O kadalëz, bre, Gon, se m’i lëbyre sytë”! Dhe, prej zërit e dija kush është e ia ktheja me përshëndetje: “Mirëmëngjesi o lala Xuf”, mirëmëngjesi lala Xat”… “Mirëmëngjesi Gon”, ma kthenin. Pastaj me një të thirrur: “Ooo Dinë!…”, Dina më përgjigjej: “Ohoja! Gati jam. Erdha”! Për tre-katër minuta Dina ishte në rrugë. Njësoj edhe  Leka, dilte shpejt. Të tretë bashkë e prisnim autobusin.

Autobusi vinte plot me njerëz dhe në çdo stacion mbushej me udhëtarë të tjerë, kështu që në qytet arrinim thuajse të ngjitur për njëri-tjetrin si fije shkrepëseje në kuti. Ndonjëherë ndodhte që mos të kishim të holla për biletën mujore për shkak të rrogave të etërve tanë që ndonjëherë i vononin. Kot mundoheshim që ta bindim konduktorin që ditën tjetër do ta paguanim, se pasnesër  do t’i merrnim biletat, sepse dihet që prindërit tanë do ta marrin rrogën në gurore ku punonin. Kot. Konduktori ishte si një polic i pashpirt. “O, të lutemi, jemi nxënës!… Mos na e humb mësimin!”… “Problemi juaj”!  thoshte ai me indiferencë. Pastaj na urdhëronte: “Zbritni menjëherë”! Edhe udhëtarët solidarizoheshin me konduktorin. Edhe ata reagonin dhe kërkonin të zbresim, sepse mund të vonoheshin në punë. Zbrisnim me krenari të gjunjëzuar. Na mbetej vetëm ta shikojmë autobusin si humbte prapa kthesës së parë. Në vetminë që na pushtonte, shfaqej era dimërore, e cila e sillte këngën e gjelave të fshatit të cilët i zgjonin fshatarët tonë, që zgjohen herët dhe e fillojnë ditën me kafe. “Ehe”, thoshte me shaka Leka, “edhe gjelat na tallin”! Dëgjohej edhe ndonjë e lehur qeni.  “Si ia bëjmë tash? “Do t’ia bëjmë disi”!

Ndonjë herë kalonte ndonjë kamion. Ne të tretë i ngrinim duart të ndalet, por ai nuk ndalej. Ne ia jepnim vrapit të ngjitemi. Rrallë ndodhte ta arrijmë. “Po tash”? pyeta  kur s’e arritëm kamionin. “Tash” tha Dina, “këmbët e lehta, faqja e bardhë… Via gjimnazi!” Kështu ne e morëm rrugën për në qytet. Pas tri orësh udhëtimi hynim në klasë ku bora dhe këpucët e ngrira shkriheshin dhe ne bëheshim qull. Uleshim, kurse në klasën e ngrohtë mua më merrte gjumi. Profesori i biologjisë menjëherë e përsëriste një avaz: “Nuk është e thënë që të gjithë fshatarët të vijnë në shkollë këtu, në qytet. Neve na duhen edhe bujq…”. Kështu mbaronte mësimi dhe ne mbeteshim në rrugët e mbuluara me borë dhe në krahët e pasigurisë. Ngadalë shkonim te stacioni. Ndoshta tash do të mëshirohet konduktori e do të na lejojë të kthehemi në fshat. “Përsëri ju”! bërtiste konduktori. E dinim se do të duhej t’i shtrëngojmë opingat, si thuhet, dhe të marrim udhën në këmbë për në shtëpi. Tri orë të tjera udhëtim.

Njëherë kur i pasiguria i nxori dhëmbët dhe këmbët tona filluan të ngrihen nga të ftohtit, para nesh u shfaq profesori i gjuhës shqipe, Myedin Hadri. Ai vazhdimisht e kontrollonte stacionin të shohë mos ndoshta autobusi nuk shkon, sepse prishej ngaqë ishte i vjetër ose nuk na kanë marrë konduktori e shoferi. “Hajde, djem, ecni të shkojmë”! tha.

Ai na mori në shtëpinë e tij ku koftori thuajse bubullonte nga gëzimi i mbushur me qymyrin që digjej për të na ngrohur, kurse e shoqja na gostiti me ushqime të shijshme që ne nuk i kishim nëpër shtëpitë tona. Aty fjetëm.

“Po vështirë e kemi”, tha Leka. “Vështirë, vështirë, po ne s’kemi shteg tjetër”, iu përgjigja unë. “E ku na çon ky shtegu yt”? pyeti  Dina. “Drejt ëndrrës që të bëhemi si profesori ynë, Myedin Hadri”, i thashë. “A nuk të duket shumë i gjatë ky shteg, o Gon”! “Është udhëtim i gjatë, shumë i mundimshëm, por vetëm kështu realizohen ëndrrat. Po nuk është i pakapërcyeshëm. Modelin e vetëmohimit dhe të vendosmërisë e kemi, e kemi profesor Myedinin. A nuk na ka thënë, nuk ka dorëzim në udhën drejt ëndrrës së bukur?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button