Komiteti i Helsinkit: Në dhjetor është rritur me 130% numri i denoncimeve për gjuhë të urrejtjes

Pothuajse gjysma, gjegjësisht 48% e raporteve të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale të regjistruara gjatë dhjetorit të vitit 2020 në Komitetin e Helsinkit janë në bazë të përkatësisë etnike, tregojnë të dhënat e raportit mujor të Komitetit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në të njëjtën kohë, denoncimet në baza të orientimit politik dhe orientimin seksual dhe identitetit gjinor, përsëri janë rritur në dhjetor, me 30% të numrit të përgjithshëm të raporteve, njofton Portalb.mk.

“Komiteti verifikoi gjithsej 110 denoncime për dhjetorin e vitit 2020, që përbën rritje prej 130 përqind në krahasim me të njëjtiin muaj të vitit 2019. Shumica e rasteve në tetor iu referuan përsëri denoncimeve të gjuhës së urrejtjes bazuar në etninë, e cila ka qenë në rritje që nga fillimi i pandemisë globale”, thuhet në raportin e Komitetit të Helsinkit, në të cilin thuhet se rritje më e madhe e denoncimeve të rilla u vu re në periudhën kur Qeveria siguroi fonde për mbështetje të Komunës së Haraçinës, vendim që u prit me kritika të ashpra dhe diskutime publike, pasi i ishte dhënë një kahje etno-politike.

Nga atje potencojnë se zhvillimet e brendshme politike kanë çuar në thellimin e retorikës negative, e cila shpesh bazohet në keqinformim dhe lajme të rreme pa kontrolluar faktet për diskutim të mëtejshëm, siç është situata gjatë me publikimin e projekt konceptit për reformimin e disa proceseve arsimore, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Një nga arsyet kryesore për përhapjen e gjuhës së urrejtjes është mungesa e informacionit të verifikuar dhe përhapja e informacioneve të gabuara dhe të rreme. Faktor shtesë për këtë situatë është mosveprimi në raste të gjuhës së urrejtjes, veçanërisht nga ana e Prokurorisë Publike”, konstatojnë nga Komiteti i Helsinkit.

Siç shtojnë tutje nga kjo organizatë, vazhdon përdorimi i një toni jashtëzakonisht homofobik në diskursin publik, duke përdorur fjalë fyese dhe diskriminuese. Në veçanti, është vërejtur rritje e gjuhës së urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor pas njoftimit për themelimin e një grupit ndërparlamentar për mbështetjen e të drejtave të komunitetit LGBTI brenda përbërjes së re parlamentare.

Përveç kësaj, paaftësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian ka kontribuar në futjen shtesë të retorikës negative në diskursin publik, e cila pasqyrohet në denoncimet e bazuara në përkatësinë politike, thuhet në raport.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut i bën thirrje Qeverisë, posaçërisht Ministrisë së Brendshme, që urgjentisht të marrë masa brenda kompetencave të veta që të sanksionojë këtë fenomen – gjegjësisht punë më intensive me organizatat e shoqërisë civile dhe fushatë publike për edukim shtesë të qytetarëve.

Raporti i plotë mund të gjendet në këtë link.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button