RMV, duke pritur vaksinat, po fitojmë imunitet kolektiv natyror

Derisa në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore, por edhe ato në fqinjësi, procesi i imunizimit të popullsisë nga korona virusi është duke vazhduar, Maqedonia është ende duke pritur për dozat e premtuara të lëngut me të cilin duhet t’i jepet fund pandemisë dhe të kthejë shpresën se sërish do të kemi jetë normale, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Dozat e para të vaksinave nga kompania “Pfizer” përmes mekanizmit “KOVAKS” duhet të arrijnë në vend muajin tjetër, kurse autoritetet sigurojnë që sistemi shëndetësor është gati për vaksinim. Ata shtojnë se vaksinat, përmes sistemit të solidaritetit, ende nuk kanë arritur sepse vendet që është dashur të na japin vaksinat e tyre nuk kanë marrë sasinë e porositur. Sipas paralajmërimeve, Maqedonia duhet të marrë vaksina nga Austria, Polonia, Bullgaria, Greqia, Serbia. Procedura për nënshkrimin e një kontrate për 800,000 vaksina Pfizer është duke u zhvilluar dhe kjo sasi, që do të mbërrijë në vend këtë vit, do të jetë e mjaftueshme për 400,000 qytetarë.

Qytetarët nuk do të jenë në gjendje të zgjedhin se cilën vaksinë do të marrin, por zyrtarët shëndetësorë thonë se të gjitha vaksinat do të jenë të sigurta dhe të testuara.

Venko Filipçe, Foto: Fejsbuku zyrtar

“Të gjitha vaksinat që ne do t’i sjellim në vendin tonë do të jenë të certifikuara si duhet dhe të sigurta për t’u aplikuar. Kështu që nuk shoh fare dallim midis vaksinave që ne presim të mbërrijnë dhe në atë kuptim, sipas planit të shpërndarjes, do të bëhet edhe plani për aplikim”, tha Ministri Filipçe këto ditë.

Ndërkohë, autoritetet po përgatisin fushata edukative mbi rëndësinë e imunizimit. Ministria e Shëndetësisë së bashku me Organizatën botërore të shëndetësisë dhe UNICEF po zhvillojnë një strategji komunikimi dhe fushatë për vaksinimin kundër kovid-19 e cila, siç thonë nga Ministria e shëndetësisë, ka për qëllim ndarjen e informacionit të saktë dhe në kohë në lidhje me vaksinat dhe vaksinimet, si dhe ngritjen e vetëdijes publike. mbi rëndësinë e vaksinimit kundër kovid-19 në luftën kundër virusit. Nga Ministria thotë se me informacione të sakta dhe të duhura, do të informojë publikun me kohë për procesin e vaksinimit.

Fushata e vaksinave duket se është shumë e nevojshme sepse më shumë se gjysma e atyre të anketuar në Maqedoninë veriore besojnë në teoritë e konspiracionit lidhur me koronavirusin dhe se po aq njerëz refuzojnë të vaksinohen kundër kovid-19. Një sondazh i realizuar në Ballkanin Perëndimor një muaj më parë nga BIPAG (Balkans in Europe Policy Advisory Group) zbuloi se më shumë se 40% përqind e të anketuarve në vend thanë se “sigurisht” nuk do të vaksinoheshin, ndërsa edhe 10% kanë thënë se “mbase nuk do të” vaksinohen. Rreth 15% kanë thënë se do të vaksinoheshin me siguri, 20 përqind thanë se “ndoshta” do të vaksinoheshin dhe 10 përqind e të anketuarve ende nuk kishin vendosur se çfarë të bënin.

Ndërkohë që disa sondazhe mbi përqindjen e qytetarëve që planifikojnë të vaksinohen tregojnë një raport pothuajse të barabartë midis atyre që do ta marrin dhe atyre që nuk do të vaksinohen, të rinjtë nuk kanë dyshim se vaksinat janë hapi i parë drejt kthimit në jetën normale.

“KOVID-19 mund të lë pasoja serioze dhe të rrezikshme për jetë, ndërsa asnjëri nga ne nuk e di çfarë do të jetë epilogu nga sëmundja nëse sëmuret, prandaj e theksoj rëndësinë e vaksinës dhe që të jemi përgjegjës për shëndetin tonë e njëkohësisht edhe për shëndetin publik, thotë Tamara Tanevska, studente në Fakultetin e mjekësisë.

“Kuptohet që do të vaksinohem, ekzistojnë më tepër lloje vaksinash të zhvilluara nga më shumë kompani, të gjitha të aprovuara nga trupa legjitim shkencor dhe rregullator. Nëse dëshirojmë që të poërfundojë kjo pandemi, hapi dhe ilaçi i vetëm për këtë është vaksina”, thotë Lluka Paviqeviq, anëtar i Lidhjes së gjimnazistëve.

“Vlerësoj që vaksinimi, është minimumi që secili individ mund ta ofrojë për shoqërinë dhe me atë ta maksimizojë kënaqësinë dhe lumturinë, ndërsa ta minimizojë vuajtjen”, thotë studenti Martin Toshevski.

“Po, unë do të vaksinohem kundër koronavirusit për shkak se vaksina është mënyra më e shpejtë dhe më efikase për të fituar mbrojtje përkatësisht imunitet kundër ndonjë virusi”, na deklaroi studenti Stefan Mitiq.

Aleksandra Grozdanova
Aleksandra Grozdanova

Kryetarja e Komitetit nacional për imunizim, profesoresha Aleksandra Grozdanova në intervistë për Radio Evropa e Lirë para pak kohe tha që vaksinimi do të rrjedhë në etapa dhe sipas kësaj do të përcaktohet kush në çfarë kohe do të vaksinohet, sipas arritjes së vaksinave.

“Me mekanizmin Kovaks, shteti ynë fillimisht siguron, vetëm në momentin e parë sasi për 20% të popullatës. Sa i përket stafit, sipas analizave që i bëjmë për nevojën e inkuadrimit edhe të kolegëve tanë në procesin e imunizimit, pasi duhet të kemi parasysh që procesi nuk do të zbatohet me një herë. Këto 400 mijë në sasi nuk do t’i pranojmë përnjëherë por do të jetë me dinamikë të përcaktuar dhe pikërisht në bazë të planit të përcaktuar të aktiviteteve që do të bëhen si dhe të rishpërndarjes së vaksinave dhe angazhimit të kolegëve”, deklaroi Grozdanova.

Grozdanova shton që prioritet gjatë vaksinimit do të kenë punonjësit shëndetësorë të cilët punojnë në kovid-qendrat ose janë drejtpërsëdrejti të ekspozuar apo punojnë me të sëmurë dhe me simptoma. Ajo thekson që një nga teoritë është që “popullata e aftë për punë duhet sa më shpejtë të kthehet në funksion, nëpërmjet vaksinimit, përkatësisht të mbrohet. Megjithatë, nga aspekti etik dhe shkencor, fillimisht mbrohen ata që janë grup më i lëndueshëm, e ato janë personat me sëmundje kronike si dhe pacientët dhe popullata mbi 65 vjeç.

Ekspertët vlerësojnë që sasitë e planifikuara të vaksinave për vendin duhet të mjaftueshme për t’i fituar imunitet kolektiv, ndërsa me atë edhe për ballafaqim me epideminë.

“Duhet të jetë e mjaftueshme, po. Tani kryqëzohemi për atë imunitet t-qelizor, mirëpo ta qartësojmë se jo të gjithë që e kanë kaluar sëmundjen kanë imunitet të tillë për shkak se pjesë e madhe e tyre nuk kanë qenë as të infektuar, ashtu që, nuk donë të thotë se ai që ka qenë pozitiv nuk duhet të vaksinohet. Deri diku nënkupton që është imun, mirëpo mbase ka qenë sasi e vogël e virusit që e ka pranuar, ashtu që edhe kësaj duhet ti kushtojmë vëmendje, thotë d-r Nikolla Panovski, mikrobiolog.

Për një pjesë të mjekëve, çështja për vaksinën dhe efektet e saj nuk duhet të jenë temë diskutimi. Drejtori i spitalit të qytetit “8 Shtatori”, Hristijan Kostov tha që para se të fillojë vaksinimi i punonjësve shëndetësorë duhet të analizohet sa përqind prej tyre kanë antitruptha të SARS KOV2 visurit.

“Shpresoj që do t’i pranojmë ato vaksina, mirëpo sipas meje duhet të analizohet stafi mjekësor, për shkak se rreth 30% prej tyre e kanë kaluar kovid 19 dhe pjesa më e madhe e tyre kanë krijuar antitruptha. Sipas pohimeve të fundit, vlerësohet që ata të cilët e kanë kaluar, nuk u nevojitet vaksina, prandaj them që duhet në mënyrë të saktë statistikore të përcaktohet cilët janë të mbrojtur, cilët jo dhe për cilët është e domosdoshme ajo vaksinë”, thotë doktor Kostov.

Ndërkohë, numri i të infektuarve nga koronavirusi zvogëlohet, ndërsа rënie shënon edhe numri i pacientëve të hospitalizuar në kovid qendrat.
Ndërkaq, një pjesë e ekspertëve theksojnë që përafërsisht gjysma e popullatës te ne praktikisht ka pasur kontakt me virusin dhe që në fakt ne në mënyrë natyrale jemi duke u përballur me epideminë.

“Ndoshta nuk ishte mirë që u çliruan masat, mirëpo është ajo që është, do të shohim çfarë do të ndodh. Nuk besoj që do të ndodhin rritje spektakulare të shifrave, por edhe nëse rritet pak numri i rasteve të reja, me atë disi proporcionalisht shkon edhe rritja e numrit të të vdekurve, ashtu që shumë keq për ata që do të vdesin. Nevojitet të demonstrojmë pak më tepër durim. Te ne, tani më gjysma e popullatës praktikisht ka pasur kontakt me virusin. Ne në fakt, në mënyrë natyrale jemi duke u përballur me epideminë. Virusi tani më vështirë gjen viktima të reja, vetëm edhe pak duhet të durojmë”, thotë Danillovski, duke theksuar që kjo është me kusht që në Maqedoni të mos shfaqet ndonjë mutacion më i rrezikshëm i virusit,thotë profesori Dragan Danillovski.

Qëndrim identik ka edhe doktor Panovski.

“Unë shpresoj që vaksina vetëm do të ndihmojë, që në qershor do të kemi imunitet të mjaftueshëm kolektiv natyral që të mund të jetojmë në mënyrë mjaft normale e që me vaksinimin diku nga shtatori, fëmijët do të fillojnë me mësim në shkolla, universitetet do të hapen, ndeshjet sportive dhe gjithçka tjetër, ndaj nëse jo normale të plotë, të jetojmë së paku 80% normal”, thotë profesori Panovski.

Gjatë kulmit në mes të nëntorit, në Maqedoni, mesatarisht kishte nga më shumë se 1100 raste të reja në ditë, ndërsa tani ka tre herë më pak. Në disa vende të Evropës perëndimore, festat e fundvitit sollën rritje të re të numrit të rasteve, por ndikim ka edhe mutacioni i ri i koronavirusit, që u zbulua në Britaninë e Madhe, virus i cili përhapet shumë më shpejtë. Informatat e para thonë që vaksinimi ka efekt edhe mbi atë mutacion. Mirëpo, derisa të arrijnë vaksinat, Maqedonia është rrugës për të arritur imunitet kolektiv.

“Do të vijmë në situatë, në mënyrë analoge si me gripin sezonal. Do të ngelin edhe më tej të pambrojtur dhe të rrezikuar ata me sëmundje kronike, personat mbi 65 vjet, të ekspozuar dhe në rrezik do të ngelin disa profesione specifike siç janë punonjësit shëndetësor, ashtu që kur të vijnë vaksinat këtu, situata do të jetë analoge sikur me gripin. Sërish do të them që duhet të vaksinohen vetëm ata”, konkludon Danillovski.

Nacionalizëm vaksinor

Vaksinë, foto: Nataliya Vaitkevich- Pexels
Vaksinë, foto: Nataliya Vaitkevich- Pexels

BE pati fillim të rëndë në vitin e ri kur bëhet fjalë për luftën kundër kovid. U shfaqen mutacione të reja, numër i zmadhuar i të infektuarve, karantina të reja. Por më keq nga kjo është mënyra e ngadalshme dhe e pabarabartë e shpërndarjes së vaksinës në vendet evropiane. Gara për blerje të vaksinave kundër Kovid-19 në botë, po tregon që edhe në kushte pandemie, vendet e pasura dhe të fuqishme kanë përparësi. Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë deklaroi që ekziston problem i qartë.

“Vendet e pasura e kanë pjesën më të madhe të furnizimit me më shumë vaksina. Tani e shohim që edhe vendet e pasura edhe mesatarisht të pasura, që janë pjesë e KOVAKS, bëjnë porosi shtesë bilaterale. Kjo mbase do ta rrit çmimin për të gjithë dhe do të nënkuptojë që personit në rrezik të lartë në vendet e varfra dhe të margjinalizuara nuk do të fitojnë vaksina”, deklaroi Tedros Gebrejesus, shef i OBSH-së.

Ai u bëri thirrje shteteve dhe prodhuesve të vaksinave të mos bëjnë marrëveshjes bilaterale dhe distribuimi të zhvillohet nëpërmjet sistemit KOVAKS.

“Nacionalizmi vaksinor na dëmton të gjithëve dhe është auto destruktiv”, tha Gebrejesus.

Ursula von der Leyen

Mirëpo, apelet e Gebrejesus nuk ndihmojnë. Bashkimi Evropian njoftoi që ka arritur marrëveshje me Fajzer dhe Bionteh për 300 milionë doza shtesë të vaksinës së tyre. Megjithatë, për shkak të porosive të mëdha, kompanitë farmaceutike, vaksinat e të cilave janë aprovuar, nuk mund të arrijnë gjithçka. Fajzer vonohet me porosinë për BE-në, ndërsa disa shtete evropiane kanë vlerësuar që kjo nuk është e lejueshme dhe që i tërë procesi i vaksinimit është vënë nën pikëpyetje.

“Menjëherë iu paraqita drejtorit të Fajzer dhe ai ma sqaroi që ka një prolongim në prodhimtari për javët në vijim, mirëpo më bindi që të gjitha dozat e garantuara nga tremujori i parë do dorëzohen në tremujorin e parë”, deklaroi Ursula Fon Der Lejen”, kryetare e Komisionit Evropian.

Mirëpo, edhe në suaza të Bashkimit Evropian, vaksinimi nuk rrjedhë me të njëjtin ritëm në të gjitha shtetet. Në Bullgari, në fund të dhjetorit filloi vaksinimi me vaksinat e Fajzer, kurse deri tani janë vaksinuar rreth 20 mijë njerëz. Javën e kaluar filloi vaksinimi edhe me vaksinat e Moderna, mirëpo kanë arritur vetëm rreth 2.500 doza. Bullgaria duhet të fitojë edhe një milion doza nga Fajzer dhe 500 mijë nga Moderna deri në fund të korrikut, që mjafton vetëm për 10% të popullatës. Në Shqipëri, shtet që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian, vaksinimi ka filluar javën e kaluar me vaksina të Fajzer. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi që kanë prokuruar 500 mijë doza.

“Ne jemi pjesë e KOVAKS, mirëpo nuk është e qartë kur do të fillojë të funksionojë. Ndaj kemi vendosur që të mos presim KOVAKS, fillojmë me negociata bilaterale me Fajzer dhe me disa vende tjera miqësore, pra tani filluam pa e pritur KOVAKS, pa e pritur BE-në”, tha Rama.

Serbia, në anën tjetër, shkoi edhe më larg. Prokuron vaksina nga Fajzer, nga Rusia, vaksinën Sputink, por edhe nga Sinofarm të Kinës. Vetëm nga Sinofarm, Serbia duhet të pranojë rreth një milion doza shtesë. Dërgesat e para veç më kanë mbërritur dhe vaksinimi është duke u zhvilluar.

Ndryshe, përfaqësues i OBSH-së deklaroi që distribuimi i vaksinave për vendet e varfra mund të fillojë nga muaji i ardhshëm, mirëpo nuk ka detaje. Sido që të jetë, është e qartë vaksinimi global masiv i popullatës në botë do të zgjasë deri në fund të këtij viti, kurse diku ndoshta edhe më vonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button