ANALIZË: (Jo)transparenca në RMV: 677 ankesa kundër “heshtjes” së institucioneve! (Infografik)

Presioni për transparencë dhe llogaridhënie të institucioneve shtetërore po rritet, e gjithashtu rritet edhe vetëdija e qytetarëve, gazetarëve, institucioneve civile se ata kanë të drejtë të kërkojnë informacione me “karakter publik”.  Institucionet shpesh “nuk duan” të flasin për furnizimet publike, punësimet, shpenzimet e parave publike, shfrytëzimin e zyrave shtetërore. Para deputetëve është Raporti Vjetor për punën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik – institucion kyç që është përgjegjës për monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të zgjidhjeve ligjore në këtë segment, por gjithashtu vendos edhe për ankesat e parashtruara kundër institucioneve që “heshtin”, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

411 ankesa kundër organizatave shëndetësore – janë dërguar nga një adresë!

Organizatat shëndetësore, gjyqësia, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, komunat – kundër të gjitha këtyre instancave janë adresuar ankesa për shkak të mosveprimit brenda afatit ligjor – për të siguruar informacion me karakter publik, ashtu siç lejohet dhe mundësohet nga legjislacioni. Deri në 90% të ankesave të parashtruara në Komision i referohen “heshtjes” së institucioneve, gjegjësisht poseduesve të informacionit.

“Gjatë vitit 2019, në Komision janë dorëzuar 755 ankesa kundër akteve administrative dhe reale të organeve të shkallës së parë, ose kundër heshtjes së poseduesve të informatave. Madje 677 ankesa nga numri i përgjithshëm i ankesave janë parashtruar për shkak të heshtjes së administratës” – thuhet në Raportin e ri vjetor.

Shumica e ankesave, ose 411, ishin parashtruar kundër institucioneve shëndetësore, edhe atë nga e njëjta shoqatë e qytetarëve, e pastaj vijnë 130 ankesa kundër institucioneve shtetërore.

“Është interesante se shumica e 411 ankesave janë parashtruar kundër organizatave shëndetësore edhe atë nga e njëjta shoqatë e qytetarëve, në kuadër të zbatimit të aktiviteteve të saj të projektit. Duhet të theksohet se të gjitha 411 ankesat e parashtruara gjatë korrikut ishin nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave ESE – Shkup, që është më se gjysma e ankesave të përgjithshme të parashtruara në vitin 2019” – thuhet në raportin vjetor, ku shpjegohet se të gjitha këto të dhëna tregojnë për faktin se poseduesit e informatave nuk veprojnë në lidhje me kërkesat për qasje të lirë në informatat me karakter publik brenda afatit të paraparë ligjor.

Në vitin 2019, krahasuar me vitin 2018, numri i ankesave është rritur për 133 ankesa të reja.  Megjithëse janë mbajtur punëtori, gjegjësisht trajnime me zyrtarët e poseduesve të informatave (institucionet), kjo nuk ka dhënë, siç thuhet në raport, “efektin e duhur” në eliminimin e arsyes më të zakonshme për parashtrimin e ankesave në Komision – heshtjes së administratës.

Më shpesh, institucionet demonstrojnë jo-transparencë në lidhje me shpenzimin e parave të qytetarëve, punësimet, furnizimet publike, e madje edhe biografitë e anëtarëve të këshillave drejtues dhe mbikëqyrës.

Më poshtë është lista e pyetjeve që ishin më të vështira për t’u përgjigjur:

  • evidencat dhe raportet për furnizimet e kryera publike, planet vjetore të furnizimeve publike
  • informata për mjetet e pranuara dhe të shpenzuara buxhetore sipas programeve që trajtojnë sëmundje të veçanta
  • biografitë e anëtarëve të këshillave mbikëqyrës dhe drejtues dhe lartësia e kompensimeve të tyre
  • informata për shpalljet dhe procedurat për punësimet
  • kopjet e provave/dëshmive të nevojshme në procedurat gjyqësore
  • dokumentacioni për legalizimin e ndërtesave
  • dokumentet për pronësinë e ambienteve të punës së komunave
  • planet e biznesit për të mbështetur vetëpunësimin dhe ndërmarrësinë

Më së shumti informata, madje 4,054 janë kërkuar nga institucionet shtetërore, 981 kërkesa për informata me karakter publik janë parashtruar në Kuvend, ndërsa tek autoritetet komunale janë parashtruar 1,999 kërkesa. 845 kërkesa iu drejtuan poseduesve të informatave nga pushteti gjyqësor, 509 kërkesa iu drejtuan ndërmarrjeve dhe institucioneve publike, 353 kërkesa u arkivuan nga institucionet arsimore në të gjitha nivelet, si dhe 896 kërkesa u adresuan tek institucionet shëndetësore.

Sipas evidencës së Komisionit, janë regjistruar gjithsej 1,257 posedues të informatave me karakter publik. Prej tyre, 83.2% kanë dorëzuar Raport vjetor për zbatimin e ligjit, ndërsa pjesa tjetër prej 16.7% nuk e kanë përmbushur këtë detyrim. Komisioni funksionon tashmë 15 vjet, tani si Agjenci për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, dhe konsiderohet si një “lidhje” e rëndësishme në sistemin e forcimit të transparencës dhe llogaridhënies për punën e institucioneve shtetërore.

Lajme të ngjashme

Back to top button