Rasti “Monstra”, premtimet dhe jehona e “bombave” u kthye në heshtje të zhurmshme

Gjykimi për rastin “Monstra” në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar sërish valë pakënaqësie në opinion. Edhe pse ende nuk ka mbaruar dhe pritet që gjykatësit të thonë fjalën e fundit, kërkesa e Prokurorisë për burgim të përjetshëm për 3 persona, mund të jetë shkak për përsëritjen e protestave të tensionuara të vitit 2014, gjë që përflitet nëpër rrjetet sociale. Që konfuziteti dhe acarimi në opinion të jetë më i madh, përpos avokatit të të akuzuarve që thotë se ata janë të pafajshëm, problem shtesë është dhe deklarimi i kryeministrit Zoran Zaev, i cili kur ishte në opozitë, deklaronte se “persona të pafajshëm qëndrojnë pas grilave”. Por, sot ai tha se gjithmonë ka folur me rezerva dhe se do të vendosin organet e drejtësisë, shkruan Portalb.mk.

Gjatë publikimit të materialeve të përgjuara të ashtuquajtura “bomba” në pyetjet e gazetares së Portalb.mk në disa seanca, Zaev përgjigjej se ai do të publikojë gjithçka për këtë rast, por këtë nuk e bëri para opinionit. Megjithatë më pas, “bombat” i dorëzoi në Prokurorinë Speciale, e cila u shpërbë pas skandalit me prokuroren kryesore, Katica Janeva e cila gjendet në burg për korrupison. Pasi që lënda u kthye në rigjykim, rastin e morën prokurorët që ishin të punësuar në këtë prokurori.

Sot para gazetarëve, Zaev deklaroi se gjithmonë për këtë rast ka folur me rezervë dhe se ka pritur që organet e drejtësisë ta thonë fjalën e fundit.

“Gjithmonë e kam thënë se gjykata është ajo që e thotë fjalën e fundit. Gjithmonë kur kam dhënë përgjigje për këto çështje, kam lënë rezerva. Gjithmonë e kam thënë se fjalën e fundit duhet ta thonë organet e gjyqësisë. Më vjen mirë që arritën që përmes dorëzimit të materialeve të përgjuara të mundësohet rigjykimi i proceseve gjyqësore dhe përmes të cilave do të zbulohet e vërteta… Asnjëherë nuk kam përmendur person tjetër si fajtor për rastin. Kam dhënë gjithmonë përgjigje për çdo rast, gjithmonë e kam thënë atë që kam menduar, por e përsëris sërish se fjalën e fundit e kanë organet e drejtësisë.”,  tha Zaev sot.

Portalb rikujton deklaratat publike të kryeministrit:

2015

Zaev në vitin 2015 për agjencinë bullgare “Fokus” kishte deklaruar se posedon përgjime të rëndësishme për këtë rast, dhe se gjithçka do të publikohet, kjo nuk ndodhi.

“Ne premtuam se do të publikojmë gjithçka që posedojmë. Do të publikojmë edhe materiale për rastin “Monstra” i cili është posaçërisht një rast i tmerrshëm ku mbetën të vrarë katër fëmijë dhe një person i rritur pranë liqenit të Smillkovës. Janë të vrarë maqedonasit ndërsa janë të burgosur shqiptarët. Tërë të vërtetën që e posedojmë për këtë rast do ta publikojmë “ tha Zaev, për agjencinë bullgare “Fokus” me datë 18 mars, 2015.

Më 24 prill 2015, në një prej regjistrimeve që publikuan atëherë mund të dëgjohej bisedë mes ministres së brendshme Jankuloska dhe drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov ku të dytë flasin edhe rastin “Monstra”, megjithatë nuk kishte donjë të dhënë konkrete.

Të njëjtën, kryetari i atëhershëm i opozitës dhe kryeministri aktual, Zoran Zaev, në maj të vitit 2015 premtoi para qytetarëve se shumë shpejt ata do të mësojnë të vërtetën për rastin “Monstra”, që le të nënkuptoje se aktgjykimet e atëhershme, nuk kanë qenë të vërteta.

Titulli i intervistës, “këto njerëz janë të pafajshëm” në Die Zeit

“Shtatë shqiptarët që janë dënuar për rastin ‘Monstra’ janë të pafajshëm”, tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në një intervistë për gazetën Di Cajt, transmeton DW më datë 26 maj 2015.
Intervista e plotë në shqip në këtë link.

“Ekzistojnë dyshime të mëdha për rastin “Monstra”, përgjimet do të publikohen shumë shpejt dhe qytetarët do ta mësojnë të vërtetën për këtë rast” tha Zaev në 27 maj, 2015.

2017

Deklaratë të ngjashme, kryeministri Zaev për këtë rast ka dhënë në vitin 2017, i cili për “Kuririn” serb kishte deklaruar se posedon dëshmi, të cilat tregojnë se persona të pafajshëm janë në burg për rastin “Monstra” dhe se pushteti është i përzier në këtë rast.

“Ekzistojnë biseda në të cilat tregohet se për personat që janë në burg nuk ka kurrfarë dëshmi për atë. Në biseda nuk ekzistojnë dëshmi se kush e ka bë atë (vrasjen, shkrim i redaksisë), por ekziston dyshim se pushteti është i përzier” tha Zaev për “Kuririn” serb në vitin 2017.

Fetai: Prej materialeve të përgjuara nuk kanë dalë fakte të rëndësishme

Në ri-gjykimin që ndodhi ditë më parë, sipas Prokurorisë, Zaevi nuk e ndryshoi “të vërtetën për Monstrën”, funksionarët nuk janë të përzier.

“Prej materialeve të përgjuara nuk kanë dalë fakte të rëndësishme. Edhe përskaj deklarimeve publike, u hodhën dyshime që që përgjimet do ta tregojnë një të vërtetë tjetër për Monstrën, ndaj të cilës tërhiqej opinioni. Por, as përgjimet e as dëshmia e tij, nuk e ndryshuan të vërtetën për Monstrën”, tha prokurorja Fatime Fetai.

Fetai u ndal duke shpjeguar edhe për dëshmitë e funksionarëve të tjerë, sipas të cilës, u dëshmua se asnjëri prej tyre nuk ka qenë i përfshirë në këtë rast. Ai përmendi dëshmitë e Ali Ahmetit, Musa Xhaferit, Bujar Osmanit, Blerim Bexhetit, Xhelal Bajramit, Sasho Mijallkovit, Lubço Todorovskit.

Pas fjalëve përfundimtare të Prokurorisë më 3 shkurt fjalët përfundimtare duhet t’i japin edhe pala mbrojtëse. Pas kësaj, fjalën e ka trupi gjykues, i cili duhet t’i vlerësojë provat e mbrojtjes dhe akuzës dhe të shqiptojë aktgjykim.

Rasti “Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button