Pavarësia dhe varësia në politikën e jashtme

Janari po kalon me ngjarje që përcaktuan se çfarë politike të jashtme rajonale i duhet Maqedonisë së Veriut (MV). Vonesa e vaksinave, bllokada bullgare për në BE, oferta ruse e vaksinave, ndihma dhe pritja për ndihmë nga Serbia, refuzimi i NATO-s që i propozuari i qeverisë për në aleancë të mos pranohet si përfaqësues i MV-së, tregojnë jo seriozitetin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes për të paraqitur individë të lidhur me inteligjencën serbe dhe ruse. Padyshim se informatat se Lubomir Fërçkovski (versioni i një diplomati si Grenell) do të jetë ambasador i ardhshëm i MV-së në SHBA, janë kulmi i çudirave të politikës së jashtme të MV-së.

Politika e jashtme, në teori dhe praktikë përfshin objektivat e përgjithshme që drejtojnë aktivitetet dhe marrëdhëniet e një shteti me shtetet e tjera. Zhvillimi i politikës së jashtme ndikohet nga ngjarjet e brendshme, politikat ose sjelljet e shteteve të tjera. Historiani gjerman Leopold von Ranke theksoi përparësinë e gjeografisë dhe kërcënimet e jashtme në formësimin e politikës së jashtme. Duket se Ranke ka pasur të drejtë dhe kufizimet gjeografike e bëjnë një shtet të varësohet edhe më shumë nga orbita e shteteve më të fuqishme.

Në Ballkan, rindërtimi dhe krijimi i kombeve ishte një ndër projektet më të vështira të Fuqive të Mëdha deri në vitin 1945 kur marrëdhëniet ndërkombëtare pësuan një ndërrim radikal. Ndarjet nuk ishin raciale por të lidhura me nacionalizmin e hershëm evropian dhe atë ballkanik që në thelb kishin të bënin me dominimin dhe shfrytëzimin e burimeve dhe territorin, Në Evropën Juglindore gjatë Luftërave Ballkanike dhe pas formimit të Mbretërisë Serbo-Kroate –Sllovene (SKS), Serbia ishte një ndër lojtarët kryesorë ku Fuqitë e Mëdha e llogarisnin si një bosht ku evropianët do të mund të vazhdonin ekspanzionin në jug pas përfundimit të Konferencës së Parisit.  Më shumë, një shekull pas përsëri Serbia e merr rolin dominues dhe bëhet shteti ku të gjitha qeveritë ballkanike të hapësirës ish jugosllave e vështrojnë si shtet mik. Shkupi zyrtarë pret shumë nga Beogradi.

Aktualisht qeveria e Zaevit suksesin për të luftuar pandeminë e ka mbështetur tek pala serbe dhe paketa e vonshme nga Pfizer-i dhe këtu kanë luajtur rol disa faktorë pse MV-ja nuk ka qenë e gatshme të jetë në tregun ndërkombëtar dhe të tregojë pak fytyrë juridike ndërkombëtare si shtet. Çështja e politikës së jashtme nuk është punë aktrimi apo vallëzimi në ministri dhe qeveri.

Politika e jashtme dhe diplomacia e një shteti janë si katër pistonat e një motori që po qese njëri nuk funksionon, tjetri pason rrugën e shuarjes. Ashtu njëjtë është edhe politika e jashtme e një vendi, ku caktimi i ambasadorëve të karrierës dhe atyre politikë në vendet mike dhe në organizatat ndërkombëtare ka rëndësi, sepse duhet të jenë aftë të përfaqësojnë shtetin dhe interesat kombëtare dhe të ndërhyjnë në çështjet e varësisë dhe pavarësisë së politikës së jashtme. Në shtetet multietnike e sidomos ato në Ballkan, është paksa e vështirë të dallohet se çfarë diplomatësh kemi nga grupet etnike të quajtura të rendit të dytë që duhet të na përfaqësojnë.

Nuk është e rastit që edhe nga pala shumicë që kanë numër më të madh diplomatësh, MV e kanë bërë qesharake në kancelaritë evropiane dhe në SHBA. Një ditë brenda 2021-ës me siguri se MV do t’i hapë negociatat me BE-në dhe vetoja bullgare do të jetë vetëm një ëndërr e keqe, po ajo që na pret është përmirësimi ynë si shoqëri dhe etnitete se pse duam të shkojmë në Evropë dhe t’i promovojmë vlerat e demokracisë liberale.

Sfera diplomatike dhe ushtarake është një mbulesë e mirë për shtetet fragjile që dëshirojnë të anëtarësohen në BE.  Përderisa e kemi NATO-n si aleancë që na mbron nga të gjitha anët, ka shumë të ngjarë të shkojmë si shtet dhe rajon si mbrapshti në fushën e të drejtave të njeriut, shtetit ligjor dhe rritjes edhe ashtu të lartë të korrupsionit. Do të ishte jashtë logjikës dhe praktikës evropiane të të drejtave të njeriut, nëse një vendim i tillë si e ish prokurores së Prokurorisë Speciale Fatime Fetai të bëhej publike në gjykatat evropiane vendore.

Kjo është një gjë e shëmtuar për vendin që pretendon të bëhet anëtare e unionit dhe t’i hapë kapitujt. Kryeministri Zaev dhe gjykatat e MV-së menjëherë të rishikojnë të gjitha vendimet mbi baza etnike dhe të ndikuara nga politika derisa nuk është vonë.

Meqenëse SHBA dhe BE kanë shpenzuar miliona dollarë dhe euro për rimëkëmbjen e ekonomisë së MV-së dhe në fushën e drejtësisë, është e turpshme për të gjitha qeveritë e MV-së që të vazhdojnë të gjykojnë dhe procesojnë lëndë si në kohën e komunizmit. Askush nuk do të vijë nga jashtë që të na përmirësojë sistemin e gjyqësisë. Po do të vijnë këshilltarë dhe do t’i vizitojmë shtetet perëndimore se si ata funksionojnë, por çështja e vizitave nuk do të ndryshojë qasjen selektive të gjykatave dhe organeve ndihmëse të drejtësisë. Tash, nëse e kemi në plan që t’i bashkohemi Evropës kjo nuk mund të kalojë pa një vëretje të madhe.

Si ka mundësi që çdo gjë të shihet nga këndi etnik dhe fetarë në MV dhe në Ballkan?! Po qese do të vazhdojmë me këtë trend as Amerika dhe Evropa nuk do të mund të na ndihmojë në thyerjet e brendshme që mund të ndodhin në të ardhmen. Rast më të freskët se sulmi mbi Kongresin Amerikan nuk kemi, e një ngjarje e tillë veçse ka ndodhur në MV në vitin 2017 dhe ende gjurmët e huaja të sulmeve për të dëmtuar edhe ashtu balancën ndëretnike, fetare qëndrojnë të fshehura me ofertat për vaksinat Sputnik -V.

Të kthemi përsëri tek politika e jashtme, ku MV-ja si shtet ka gjasa të hyjë një ditë në union dhe qeveria duhet të dallojë se dhe blerja e vaksinave hynë në çështjet e sigurisë kombëtare dhe varësisë së një shteti ndaj tjetrit. Solidariteti dhe humanizmi në Ballkan në mes popujve duhet të vazhdojë por, pa qëllime të mbatjes në kontroll të politikave. Gëzimi qeveritarë se Serbia do të na dhurojë vaksina ishte i tepruar, pasi qeveria në Shkup duhet të tregohet e aftë që të gjejë mekanizma të pavarur në tregun e vaksinave, që përveç sistemit COVAX të shpërndarjes, të fillojë fushatën e vaksinimit që është tepër e rëndësishme për të ruajtur qetësinë dhe rëniet tjera që mund të vijnë pas pandemisë ose stërgjatjes së saj. Koha e nacionalizmit dhe gjeopolitikës tashmë është aktuale dhe do të vazhdojë të jetojë të paktën edhe dy dekada me ne.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button