Ligji për regjistrim te Pendarovski, presidenti do të konsultojë ekspertë juridik

Presidenti Stevo Pendarovski së pari do të konsultohet me ekspertë juridik, e pastaj do ta nënshkruajë Ligjin për Regjistrim të Popullsisë, thonë për TV21 nga kabineti i shefit të shtetit. Shtojnë se qëndrimi i Presidentit do të kumtohet këto ditë.

“Presidenti Pendarovski do të ketë konsultime me ekspertë juridik për Ligjin për Regjistrim që u soll dhe ditëve në vijim do ta kumtojë qëndrimin e tij”, thonë nga Kabineti i Presidentit Stevo Pendarovski.

Nga VMRO-DPMNE i bëjnë thirrja Presidentit të mos e nënshkruajë Ligjin. Thonë se LSDM dëshiron të zbatojë regjistrim politik, në të cilin numrat janë dakorduar paraprakisht.

“Ne kërkojmë propozime konkrete – në ç’mënyre Maqedonia mund të organizojë regjistrim elektronik, sepse kemi kapacitet për këtë? Por, është evidente se hasëm në vesh të shurdhër. Ky regjistrim është tërësisht i politizuar”, u shpreh Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.

Sipas liderit të partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, Ligji për Regjistrim në mes të pandemisë dhe gjendjes së shpallur krize, është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë.

“Domethënë unë – sipas fuqisë së Kushtetutës, mund t’i mos pranojë regjistruesit në shtëpinë time në mes të epidemisë, sepse mund të më infektojnë me koronavirus”, potencoi Dimitar Apasiev – “E Majta”.

Partitë e koalicionit BDI-LSDM pohojnë se regjistrimi nuk është politik dhe se është një proces i cili patjetër duhet të zbatohet.

“Është duke u kërkuar nga institucionet relevante ndërkombëtare, nga KB, nga BE. Kjo për të pasur një statistikë më të saktë mbi ekonominë e vendit, mbi pasuritë e vendit, mbi banorët rezidentë të vend”, deklaroi Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.

Edhe pse disa parti opozitare filluan t’u bëjnë thirrje qytetarëve të mos i pranojnë në shtëpi regjistruesit, sepse mund të ballafaqohen me rrezik nga Covid-19, zëvendësministri i Shëndetësisë, siguron se do të zbatohen të gjitha protokollet për mbrojtje.

“Punojmë në drejtim të përpunimit të protokolleve. Kemi kohë edhe disa javë para se të fillojë procesi. Do të bazohemi në protokollet e sjella që i kemi dhe të cilat zbatohen për të gjitha aktivitetet”, thotë Ilir Hasani – zëvendësministër i Shëndetësisë.

Enti Shtetëror për Statistikë, javën e ardhshme do të përfundojë me përgatitjen e Metodologjisë për zbatim të regjistrimit, si akt nënligjor që e definon tërë procedurën. Sipas zëvendësdrejtorit të Entit, Ilmi Selami, edhe pse ligji parasheh që Metodologjia për punë të përgatitet 1 muaj nga miratimi i ligjit, megjithatë siç thotë, kjo do të ndodhë më herët ose brenda 10-15 ditëve.

“Shpresoj se në një afat sa më të shkurtër ta mbarojmë si proces dhe njerëzit që do të angazhohen të bëjmë edhe trajnimin e tyre sa më të shpejtë, një trajnim më kualitativ dhe të intensifikuar. Gjithsesi, do të jenë njerëz të udhëzuar në përdorimin e lap-topëve dhe IT teknologjisë. Shpresoj se gjithë ky angazhim një muaj – një muaj e gjysmë do të rezultojë me regjistrim kualitativ”, theksoi Ilmi Selami – zëvendësdrejtor i ESHS-së.

Për regjistrimin do të angazhohen rreth 6 mijë njerëz, prej të cilëve – 5 mijë regjistrues në terren dhe 1 mijë instruktorë rajonalë dhe komisionarë rajonalë. Konkursi për angazhimin e tyre pritet të shpallet ditëve në vijim dhe menjëherë pas përzgjedhjes fillon periudhën e trajnimit.

Përndryshe, ligji parasheh gjobë në vlerë prej 200 deri në 300 euro në kundërvlerë në denarë nëse një person refuzon ose jep informacione të gabuara personale. Nëse dikush fsheh ose dëmton të dhënat e regjistrimit, do të dënohet me burg prej 5 vjetëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button