NRK: Rrjeti ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve u propozua për Çmimin Nobel

Ish-udhëheqësja e Partisë Liberale Norvegjeze, Trine Skei Grande konsideron se verifikimi i fakteve është bërë aq i rëndësishëm sa që meriton Çmimin Nobel për Paqe, njofton portali për mendim kritik dhe edukim mediatik, KriThink.

Në një kohë kur lajmet e rreme po përhapen më shpejt se kurdo herë më parë dhe kur i demonizojmë me forcë mendimet e njëri-tjetrit, fakti që dikush lufton për të vërtetën, lufton për faktet dhe përpiqet t’i eliminojë lajmet e rreme, mendoj se është një akt paqeje, thotë Grande për NRK

Mu për këtë arsye Grande zgjodhi ta propozojë  Rrjetin Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve për Çmimin Nobel për Paqe. Rrjeti është i vendosur në SHBA dhe është themeluar në vitin 2015.

“Është një organizatë e verifikuesve të fakteve që garanton se verifikuesit e fakteve të kenë metoda të mira dhe se janë të certifikuar për punën që e bëjnë” – thotë Grande.

Grande, e cila është gjithashtu ish-Ministre e Kulturës dhe Arsimit, beson se gënjeshtrat dhe përhapja e shpejtë e lajmeve të rreme përmes mediave sociale e bëjnë verifikimin e fakteve më të rëndësishme se kur do herë më parë:

“Mediat sociale kanë një ndikim të tillë në përhapjen e gënjeshtrave, për të cilin ish-diktatorët mund vetëm të ëndërrojnë” – thotë Grande.

Duke e theksuar rëndësinë e verifikimit të fakteve dhe zbulimin e lajmeve të rreme, ajo potencon:

“Shohim se dikush po i minon demokracitë dhe dialogun midis vendeve, duke e demonizuar imazhin e kombeve, feve dhe grupeve etnike. Fakti që dikush po lufton për faktet është mbase më i rëndësishëm se kurdo herë më parë, kur shohim se lajmet e rreme kanë një terren kaq pjellor në mediat sociale, që nuk i kemi parë kurrë më parë” – thotë Grande.

Edhe organizata norvegjeze “Norske Faktisk” është pjesë e rrjetit ndërkombëtar të verifikuesve të fakteve. Redaktori Kristoffer Egeberg pajtohet me shqetësimet e Grande në lidhje me pasojat e lajmeve të rreme. Ai e përmend pandeminë dhe komplotet rreth saj, si një gjë që e përdorin forcat që duan të minojnë demokracinë në vende të caktuara.

“Në këtë drejtim, verifikuesit e fakteve në shumë vende kanë bërë një përpjekje me të vërtetë fantastike. Edhe rrjeti IFCN është gjithashtu tepër i rëndësishëm” – thotë Egeberg.

Ai gjithashtu thekson se përpjekjet e IFCN për të vendosur standarde për verifikimin e fakteve e kanë bërë organizatën të rëndësishme dhe opinionin e saj të dëgjohet. Ai është bërë një lojtar që platformat kryesore si Facebook, Google, Twitter dhe të tjerat, e respektojnë kur bëhet fjalë për etiketimin e lajmeve të rreme, shkruan NRK.

Drejtori i Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve, Baybars Orsek deklaroi se nominimi është një nder i madh që duhet të pranohet me modesti. Ai gjithashtu vuri në dukje se kundërshtimi i gënjeshtrave dhe i manipulimeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrethana të pandemisë globale.

“Megjithëse e pranojmë se ky nominim është vetëm hapi i parë drejt mundësisë për t’u futur në konkurrencë të ngushtë për këtë çmim të pakrahasueshëm, ne e konsiderojmë nominimin si një konfirmim të rëndësishëm të rëndësisë së punës së verifikuesve të fakteve në të gjithë botën. Thënë thjesht: faktet janë të rëndësishme dhe verifikimi i fakteve mund të shpëtojë jetë”  – deklaroi Orsek.

Prioriteti i Rrjetit është bashkëpunimi midis verifikuesve të fakteve nga vende, gjuhë dhe kultura të ndryshme. Iniciativa “Aleanca e Fakteve për koronavirusin” (#CoronavirusFactsAlliance), e cila kohët e fundit mori mirënjohje nga Forumi i Paqes në Paris, dhe e cila përfshin 99 organizata të verifikimit të fakteve nga më shumë se 70 vende dhe ka ndërtuar një arkiv publik me më shumë se 10.000 verifikues të fakteve. Kjo bazë të dhënash i ofron publikut informacion të saktë për një sërë çështjesh që lidhen me pandeminë Kovid-19.

Rrjeti i Verifikimit të Fakteve krijoi një Kod të Parimeve për verifikuesit e fakteve në bazë të të cilit kryhen revizione vjetore publike të cilësisë së punës së anëtarëve. Kodi aktualisht ka 79 përdorues të certifikuar nga 51 vende.

Shërbimi i verifikimit të fakteve “Vërtetamësi” i krijuar nga Fondacioni “Metamorfozis” është pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve që nga krijimi i tij dhe është e vetmja organizatë nga Maqedonia e Veriut që është certifikuar nga IFCN-ja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button