Tetovë, gjatë kësaj jave çdo ditë është denoncuar kafshim nga qentë endacak

Në secilën kumtesë të Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë gjatë ditëve të punës së kësaj jave, figuron nga një denoncim nga qytetarët, të cilët janë kafshuar apo sulmuar nga qentë endacak. Komuna e Tetovës e pasuksesshme në çdo tentative për zgjidhjen e këtij problemi. Veterinari Rami Selmani bën thirrje që të ketë qasje sa më serioze ndaj kësaj problematike, shkruan Portalb.mk.

Gazetari i Portalb ka analizuar të gjitha kumtesat të cilat kanë arritur deri në e-mailin tonë nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) gjatë javës në ikje, ajo që bije në sy është se çdo ditë ka pasur nga një denoncim për kafshim nga qentë endacak.

“Me datë 18 janar, një 69 vjeçar nga Miletina ka denoncuar se në fshatin e tij ka qenë i kafshuar nga një qen endacak, të nesërmen, një 50 vjeçar denoncoi të njëjtin rast në rrugën “Goce Delcev” në Tetovë. ndërkaq të mërkurën, një nënë kishte denoncuar se fëmija i saj ishte kafshuar nga një qen endacak në rrugën “Blagoja Toska”, të enjten, rreth orës 16:50 minuta një 50 vjeçar kishte denoncuar rastin e njëjtë” shkruan në kumtesat e SPB-së, me zëdhënës Fatmir Rexhepi.

Komuna e Tetovës deri tani ka dështuar në çdo tentative për zgjidhjen e kësaj problematike, ndërsa kryetarja Arifi thotë se për zgjidhjen e këtij problemi, nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse dhe se nuk mjafton vetëm forca e qeverisjes lokale.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Disa çështje në qoftë se nuk kanë kornizë shtetërore të zgjidhjes, është shumë problematike që në mënyrë parciale të bëhet zgjidhja. Andaj, ka raste që qentë sillen nga jashtë, unë gjithmonë kam kërkuar fotografi apo video incizim nga qytetarët të cilët denoncojnë diçka të tillë në mënyrë që të hapim procese gjyqësore” tha Teuta Arifi në “Click Plus”, TV21.

E njëjta, gjithashtu për Portalb.mk një muaj më herët deklaroi se gjatë vitit 2021 do ti qaset më seriozisht këtij problemi, kështu duke ndarë më shumë mjete financiare për trajtimin e qenve endacak.

“Ndërkaq për vitin 2021 kemi planifikuar buxhet prej gjithsej 3 milion denarëve për qasje të kësaj problematike të Tetovës” deklaruan nga Komuna e Tetovës.

Kush duhet të ju paguaje në qoftë se ju kafshon qeni endacak?

Për kafshim nga qentë endacak, qytetarët fillimisht duhet të paraqesin rastin në polici dhe më pas në komunën, në territorin e të cilës janë kafshuar. Në qoftë se vjen rasti deri në gjykatë, praktika tregon se qytetari për dhimbjet fizike mund të marrë dëmshpërblim 35.000 denarë, për frikën 30.000 denarë, për dhimbjet shpirtërore 20.000 denarë dhe për shëmtim prej 5.000 denarë, apo kjo shumë gjithsej kap vlerën prej 90.000 denarë,

Cila është qasja më e mirë kundrejt kësaj problematike?

Sipas veterinarit Rami Selmanit, kjo problematikë nuk është vetëm e Tetovës por shtetërore, ai tha se në qoftë se ndahen mjete të mjaftueshme në të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut, për pak kohë ky problem zgjidhet.

Ambulanta e cila ka fituar të gjithë tenderët për zgjidhjen e këtij problemi, në Tetovë, Gostivar dhe Dibër.
Ambulanta e cila ka fituar të gjithë tenderët për zgjidhjen e këtij problemi, në Tetovë, Gostivar dhe Dibër.

“Problemi i qenve endacak është problem shtetërorë dhe jo vetëm i Tetovës, në qoftë se secila komunë, sigurohet që në qytetin e vetë qentë janë të sterilizuar dhe i qasen seriozisht kësaj problematike, problemi mund të zgjidhet” shtoi Rami Selmani.

Ai gjithashtu theksoi se shumë qen sillen nga qytete të ndryshme të vendit, duke mos potencuar se nga ku dhe kush i sjellë.

Ndryshe, nga Sektori për Punë të Brendshme disa muaj më herët në lidhje me sjelljen e qenve nga jashtë për Portalb.mk thanë se deri në momentin që diçka e tillë nuk është denoncuar te ata me dëshmi relevante, bëhet fjalë thjeshtë për thashetheme.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button