fbpx

Efikasiteti energjetik në Çair, një pjesë e qytetarëve nuk janë informuar për projektin

Një pjesë e banorëve të ndërtesave në Komunën e Çairit nuk kanë qenë të informuar fare rreth projektit për efikasitet energjetik, përkatësisht rinovimit të fasadave të ndërtesave në territorin e kësaj komune. Portalb.mk, kontaktoi disa qytetarë që jetojnë në banesa në këtë komunë dhe të njëjtit u shprehën për Portalb.mk se nuk kanë dëgjuar se komuna ka iniciuar një projekt të atillë, shkruan Portalb.mk.

“Ka qenë premtim zgjedhor para katër viteve, por me neve nuk ka kontaktuar askush deri më tani. Kemi pasur një premtim dhe kemi mbajtur takim me përgjegjësit e ndërtesës për ta shfrytëzuar rastin nëse mundemi të përfitojmë diçka. Nuk jemi takuar me kryetarin e komunës, vetëm e di se ka qenë premtim parazgjedhor”, tha një qytetar për Portalb.mk.

Ata u shprehën se janë të interesuar që të realizohet ky projekt, por se nuk kanë dorëzuar kërkesa në komuna, pasi nuk kanë qenë të informuar rreth kësaj.

“Ne nuk jemi të informuar rreth këtij projekti. Në ndërtesën tonë nuk na kanë informuar rreth kësaj. Edhe pse ne jemi të interesuar që të rinovohet fasada sepse kemi nevojë për një gjë të tillë, pasi një pjesë e saj është duke rënë”, u shpreh një qytetar tjetër.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se është e vërtetë efikasiteti energjetik i ndërtesave ka qenë një ndër premtimet kryesore të tij që ai e ka bërë gjatë fushatës zgjedhore dhe se ai ka bërë përpjekje për të stimuluar banorët e ndërtesave, por nuk është arritur një gjë e tillë.

“Është e vërtetë se ajo ka qenë në programin tim, se efikasitetin energjetik e kam ofruar si shtyllë të parë në atë kontratën time. Por, ne disa vite me radhë bëjmë thirrje për të stimuluar banorët ku me 30 për qind të shumës që kushton në ato ndërtesa i mbulon Komuna e Çairit. Por, deri më tani nuk kemi hasur asnjë ndërtesë që të jenë të një mendimi dhe të pajtohen që banorët të japin nënshkrim që të fillojmë me një projekt të tillë. Në qoftë se ka ne jemi të gatshëm. Por, ligji nuk na mundëson dhe nuk na jep atë të drejt që në tërësi të shkojmë në ato ndërtesa dhe ta bëjmë në tërësi investimin”, tha sot Ganiu.

Nga ana tjetër zëdhënësi i kësaj komune, tha për Portalb.mk, atëherë ka pasur thirrje publike, kanë qenë të ftuar kryetarët e disa prej këshillave banesor në takim dhe aty nuk është arritur marrëveshje, sepse ata nuk janë shprehur të gatshëm që ta pranojnë në atë formë.

Ndërkaq, Zoranço Dimitrov nga OJQ “Habitat for Humanity Macedonia”, deklaroi para disa ditëve për Portalb.mk se me ish kryetarin e Komunës së Çairit kanë nënshkruar memorandum për bashkëpunim për renovimin e ndërtesave banesore përkatësisht të fasadave të tyre dhe me atë masë u rinovuan disa ndërtesa dhe ajo u ndërpre me ardhjen e pushtetit të ri. Sepse, duhej të nënshkruhej memorandum i ri dhe të fillohet nga fillimi dhe ajo u ndërprit për arsye të cilat nuk i di. Sipas tij, ata kanë realizuar rikonstruimin e vetëm dy ndërtesave në territorin e kësaj komune.

“Kushtet janë subvencione nga ana e komunës dhe një hua e vogël nga ana e “Habitat for Humanity Macedonia” që të bëhet konstruktimi financiar. Shuma e subvencioneve më së shumti u intereson qytetarëve të ndërtesave, përkatësisht pjesa që ata duhet ta mbulojnë dhe habitat ta sigurojë në formë të huazimit apo ndonjë institucion tjetër financiar, “Habitat for Humanity Macedonia” nuk është monopol i kësaj. Shuma e donacionit nga ana e komunës më herët ka qenë 20 për qind në memorandumin e mëhershëm, do të thotë komuna financonte 20 për qind nga çmimi i ndërhyrjes. Me siguri ajo është shumë pak për banorët e ndërtesave sepse, nëse marrim një rekonstruim mesatar të një ndërtese prej 20 banesave, nga eksperienca jonë e mëhershme e dimë se ajo kushton mesatarisht 2 mln denarë, nëse komuna jep 20 për qind ato bëjnë 400.000 denarë.  Me siguri 20 për qind që i ofron komuna janë shumë pak për banorët”, deklaroi Dimitrov.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu gjatë fushatës së tij parazgjedhore, premtoi se do të fillojnë t’i pajisin shkollat me efikasiteti energjetik dhe për 141 ndërtesat që janë premtuar se do të pajisen me efikasitet energjetik thotë komuna nuk participon dukshëm në atë, por kanë marrë iniciativë për t’i formuar këshillat banesor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button