Administratorët sipas MO-së në shkurt duhet të nisin në punë, nëse nuk e pranojnë, do t’u shfuqizohet marrëveshja

Ka filluar procedura për 1.349 administratorëve të punësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit, të cilët kanë marrë rrogë dhe nuk kanë shkuar në punë. Të njëjtët do të shpërndahen në 237 institucione të shtetit, ndërkaq duhet të fillojnë me punë prej 1 shkurtit. Këtë sot e tha zëvendëskryeministri Artan Grubi në konferencë për shtyp, njofton Portalb.mk.

Në pajtueshmëri me planin që e ka miratuar Qeveria, të punësuarit nuk do të kenë opsion që të zgjedhin se në cilin institucion duan të punojnë, ashtu siç paraprakisht u paralajmërua.

“Nëse në çfarëdo lloj baze, cilido prej tyre nuk vjen që ta marrë vendimin në afat prej 7 ditëve, do t’i shfuqizohet vendi i punës”, tha Grubi.

Grubi, thotë se lista është e pastruar nga ata persona që janë janë shtetit. Me një pjesë të të punësuarve janë shfuqizuar marrëveshjes, a disa vetë kanë dhënë dorëheqje.

Pjesa më e madhe e këtyre të punësuarve janë ekonomistë dhe juristë, por ka edhe me shkollë të mesme. Në listën nuk ka vetëm shqiptarë, por edhe maqedonas, serbë, turq… Institucionet që i pranojnë janë të detyruar që t’i trajnojnë për punë.

“Qeveria e miratoi planin për transferim të administratorëve. 1.349 administratorë, para se gjithash janë ekonomistë, juristë, por edhe me shkollë të mesme të cilët do të transferohen në 237 institucione. Përveç shqiptarëve, mes administratorëve ka edhe maqedonas, romë, turq, serb, boshnjakë. Transferimi kryhet nëpërmjet sistematizimit të të punësuarit, në vend pune përkatëse me atë që i plotëson kushte”, tha Grubi.

Megjithatë, për shkak të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, opinioni, të paktën deri më tani, nuk do të mund të ketë qasje në atë se cili i punësuar në cilin institucion do të shkojë. Lista duhet që të pastrohet dhe është e mundshme që të publikohen emrat e tyre, profesionaliteti dhe shkalla e arsimit të mbaruar.

Grubi i përmendi disa prej institucioneve ku do shkojnë të punësuarit:

  • Ministria e Punëve të Brendshme: 134
  • Agjencia për Punësim: 20
  • Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale: 30
  • Agjencia për Kadastër: 39
  • Agjencia për Ushqim dhe Veterinari: 10
  • Qeveria – Shërbimi për Punë të Përgjithshme: 12
  • Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim: 10
  • Arkivi Shtetëror: 12
  • Inspektorati Shtetëror i Punës: 13
  • Inspektorati i Tregut 35
  • Ministria e Shoqërisë Informatike 11
  • Ministria e Punëve të Jashtme: 26
  • Ministria e Arsimit 11
  • Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë: 41
  • Drejtoria Doganore: 74
  • Gjykata Themelore Tetovë: 10
  • Prokuroria Publike Tetovë 10
  • Ministria e Bujqësisë: 21

Ndryshe, punësimi i këtyre administratorëve, gjithmonë është pare si një makineri votuese nga kritikët. Temellko Ristevski, ligjërues në Fakultetin e Administratës Politike, disa muaj më pare deklaroi se “t’i gjesh punë dikujt vetëm sa për ta punësuar, nuk është në rregull, sepse bie ndesh me parimin për të pasur një administratë efikase dhe profesionale. Punësimet për qëllime politike në një mënyrë do të thosha paraqesin gangrenë për funksionalitetin e administratës”.

Ai e mbështeti zvogëlimin e administratës për 20 për qind, megjithëse shtoi se do të jetë shumë e vështirë për ta realizuar, pasi siç nënvizoi, çdo përbërje qeveritare ka frikë nga humbja e votuesve nëse le pa punë një pjesë të administratorëve.

Problemet me administratën kanë qenë edhe ndër kritikat më të mëdha të Komisionit Evropian dhe grupit të ekspertëve të  Rejhard Pribesë ndër vite. Ata në vazhdimësi kanë kërkuar departizim dhe sistematizim të administratës. Komisioni Evropian në raportin e fundit,  krahas përparimeve, numëroi edhe shumë mangësi në fushën e administratës publike. Sipas raportit administrata e Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë e mbingarkuar, megjithëse janë ndërmarr disa hapa në këtë drejtim. Në të thuhet se duhet të sillet vendim përfundimtar nga institucionet përkatëse për pjesën e mbetur të këtyre punonjësve, pasi kjo çështje prej kohësh minon parimet e meritës dhe efektivitetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button