Vendimet e takimit të liderëve të BE-së, Ballkani Perëndimor do të marrë vaksina sa më shpejt të jetë e mundur

Sigurimi i vaksinave përmes sistemit Kovaks, është e komplikuar, prandaj KE-ja ka rekomanduar rrugë të re përmes mekanizmit të BE-së, gjegjësisht, përmes vendeve anëtare të BE-së, të cilat më pas mund të dhurojnë për vendet e treta të tilla si Ballkani Perëndimor, tha presidentja e KE-së Von der Leyen, njofton Portalb.mk.

Von der Leyen, nuk ishte në gjendje të thotë një afat specifik se kur Ballkani Perëndimor mund të presë vaksinat përmes BE-së ose mekanizmit Kovaks.

Në pyetjen e MIA-s, nëse mund të thoshte qartë se kur do të mbërrinin vaksinat e premtuara në rajon, Ursula von der Layen tha se kjo do të ndodhë “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe siguroi se solidariteti me vendet e treta mbetet përparësi për BE-në.

Mekanizmi Kovaks, i cili synon të ndihmojë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të marrin vaksinat që u duhen, edhe pse merr më shumë financime nga BE, nuk është ende funksional. Për shkak të kësaj, Komisioni Evropian është zotuar të prezantojë një mekanizëm të dytë për ndarjen e vaksinave me vendet e treta, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, por edhe për këtë mekanizëm të ri nuk ka afat specifik për dorëzimin e vaksinave të kërkuara jashtë BE.

“Padyshim që është e komplikuar për Kovaksin të sigurojë vaksina, kështu që po fusim një rrugë të re përmes mekanizmit të BE-së për sigurimin e vaksinave përmes vendeve anëtare të BE-së, të cilat më pas mund t’i dhurojnë ato në vendet e treta të tilla si Ballkani Perëndimor, për shembull”, tha von der Layen.

Presidentja e KE-së tha se në takimin e djeshëm të liderëve theksoi se vaksinimi jashtë BE-së është në interes të të gjithë vendeve anëtare të BE-së, sepse “sa më shumë që virusi të qarkullojë, aq më i madh është rreziku i mutacioneve të reja“.

“Pjesë të tjera të botës ndihen të lëna pas dore, ne kemi investuar në Kovaks që nga fillimi dhe kjo mbetet rruga më e mirë, por ka mungesë të vaksinave”, tha kreu i ekzekutivit evropian.

Von der Layen siguroi se mekanizmi i ri i BE-së që duhet të përdoret derisa sistemi Kovaks të bëhet funksional nuk do të çojë në probleme në planet kombëtare të vaksinimit të popullsisë së vendeve anëtare të Unionit

BE-ja, gjithashtu, përkujtoi kompanitë farmaceutike që duhet t’i respektojnë dhe t’i dorëzojnë vaksinat e premtuara.

Vendet kanë të drejtë të kufizojnë udhëtimet

Në takimin e djeshëm, udhëheqësit e BE-së ranë dakord që nëse disa shtete anëtare mendojnë se duhet të kufizojnë udhëtimet e brendshme dhe ndërkufitare, është e drejtë e tyre, por se është i nevojshëm koordinimi maksimal në nivelin evropian për të shmangur situatën kaotike të valës së parë.

“Ne jemi plotësisht të bindur se kufijtë duhet të qëndrojnë të hapur për të siguruar funksionimin e tregut të brendshëm, por gjithashtu që udhëtimet jo-thelbësore duhet që të mund të kufizohen”, tha presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

Udhëheqësit gjithashtu adresuan mundësinë e certifikatave të vaksinimit dhe ranë dakord që duhet pasur kujdes me këtë ide dhe që rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të respektohen.

Von der Layen theksoi se aplikimi për këto certifikata udhëtimi nuk duhet të shkelë të drejtat dhe liritë e atyre që nuk kanë pasur qasje në vaksinë ose nuk kan mundur të vaksinoheshin për arsye legjitime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button