Përkatësia etnike në letërnjoftime, LSDM dhe BESA thonë se do ta realizojnë, ASH thotë se po mashtrojnë

Dorëzimi në Kuvend i disa ndryshimeve ligjore nga ana e Qeverisë për letërnjoftimet dhe për dokumentet e udhëtimit, pa përfshirjen e grafës etnike në letërnjoftime, ka shkaktuar reagime në opinion, pasi që diçka e tillë u premtua nga Lëvizja BESA, e cila ia vuri si kusht LSDM-së, që të votojë për ndryshime kushtetuese dhe pastaj dhe të hyjë në koalicion parazgjedhor. Nga LSDM dhe BESA thonë se përkatësia e etnike do të vendoset në letërnjoftime, por ende nuk është gati propozim-ligji, nga opozita akuzojnë se po mashtrohen qytetarët, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri Zoran Zaev, para ca ditësh konfirmoi se në dorëzimin e ndryshimeve ligjore për letërnjoftimet dhe dokumentet e udhëtimit, nuk është vendosur edhe përfshirja e grafës etnike në letërnjoftime, pasi që për atë duhet të ketë zgjidhje të re ligjore.

“Ligji për përkatësi etnike është zgjidhje e re ligjore dhe besoj se do ta harmonizojmë politikisht”, deklaroi Zaev, ndaj të cilës reagoi Aleanca për Shqiptarët, duke akuzuar se po i mashtron qytetarët, por edhe partnerin e koalicionit, gjegjësisht Lëvizjen BESA.

“Pas mashtrimeve të vazhdueshme ndaj qytetarëve, Zoran Zaev mashtron edhe Lëvizjen Besa, si partner të Koalicionit “МОЖЕМЕ” (MUNDEMI, shkrim i redaksisë). Ligji i ri për letërnjoftime dhe dokumente të udhëtimit, sipas deklaratave të fundit të kryeministrit Zaev, nuk do të përfshijë grafën etnike. Arsyetimi i tij na qenka krejtësisht teknik dhe se do të duhet të presim për “tender” për operator të ri të dokumenteve biometrike! Ku mbeti marrëveshja dhe premtimi juaj i përbashkët në fushatën zgjedhore  të koalicionit “МОЖЕМЕ” (MUNDEMI, shkrim i redaksisë) ndaj shqiptarëve, apo ky ishte mashtrimi i dyfishtë i radhës nga LSDM-BESA? Deri kur çdo e drejtë e shqiptarëve do të duhet të kaloj nëpër tenderët tuaj, me qëllim përfitimin financiar?”, thanë nga ASH.

Nga ana tjetër, nënkryetari I LSDM-së, Muhamed Zekiri, në një deklaratë për Portalb.mk, thotë se grafa etnike në letërnjoftime, sipas marrëveshjes me Lëvizjen BESA, do të vendoset dhe kjo gjë nuk është lënë anash.

“Ky propozim ligji që është prej Qeverisë, pra që është dorëzuar, është për çështje teknike, me këtë ndryshohet vetëm emri kushtetues i vendit, a sa i përket propozimit të Besës me të cilën kemi marrëveshje, ajo shkon përmes procedurës tjetër prej në parlament që do të nga deputetët. Forma se si do të realizohet, do të njoftohet opinioni gjithsesi.  Ajo shkon si propozim i deputetëve dhe jo si propozim i Qeverisë, ky si propozim i qeverisë është vetëm çështje teknike, për ndryshimin e emrit kushtetues. S’ka lidhje me çështjen se është lënë anash po diçka të tillë. Ka të bëjë me harmonizim që është çështje teknike”, tha Zekiri.

I pyetur nëse duhet të diskutojnë me partitë tjera, Zekiri tha se duhet të shikohet kur të vije ligji në parlament.

“Për atë duhet të shikohet kur të vije ligji në parlament. Mesa e di BDI-ja nuk ka asgjë kundër këtij propozimi, por duhet t’i pyesni ata që të deklarohen. Ne si LSDM nuk kemi kurrfarë problemi me këtë çështje dhe e kemi dhënë edhe pëlqimin tonë në atë drejtim”, shtoi Zekiri.

I pyetur për atë se kur pritet që ky propozim ligj të arrijë në Kuvend, ai tha se nuk e di për kohën, por se shpreson që së shpejti.

Nuk mundem të them se sot ose nesër do të bëhet, por shpresojmë që së shpejti.

Për çështjen në fjalë, konferencë për shtyp dje mbajti edhe deputeti i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, i cili tha se grafa etnike në letërnjoftime do të vendoset, konform marrëveshjes LSDM-BESA.

“Për momentin bëhen konsultime në Qeveri për të parë modalitetin më të mirë se si mund të realizohet ky projektligj. Në asnjë moment nuk është vënë në pikëpyetje përmbajta e grafës etnike në letërnjoftime. Më herët kishte një propozim-ligj për letërnjoftime i cili nuk e përmbante grafën etnike dhe me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Besa u tërhoq ai ligj dhe u ndryshua me një ligj sintezë i cili përmbante në të edhe grafën etnike. Kjo grafë do të realizohet ashtu siç u dakordua në ndryshimet kushtetuese dhe u betonua me marrëveshjen për koalicion parazgjedhor në zgjedhjet parlamentare”, tha Rexhepi.

Portalb.mk kërkoi qëndrim edhe nga VMRO-DPMNE, por ata nuk u përgjigjën në pyetjet tona.

Lëvizja BESA ka bërë marrëveshje për këtë çështje me Zaevin, fillimisht derisa bëheshin ndryshimet kushtetuese sipas Marrëveshja e Prespës, kur partia në krye me Bilall Kasamin atëkohë si parti opozitare, morën pjesë në sigurimin e shumicës së kërkuar të dy të tretave dhe së dyti e njëjta u rikonfirmua derisa e bënë marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor mes dy partive.

Sipas zgjidhjes aktuale ligjore, në letërnjoftim shkruhen të dhënat si në vijim: mbiemri dhe emri i qytetarit; shtetësia; gjinia; data e lindjes; numri amë; data e lëshimit të letërnjoftimit; data e vlefshmërisë së letërnjoftimit; vendi i lindje; vendbanimi dhe adresa e qytetarit; autoriteti kompetent që ka lëshuar letërnjoftimin; Numri i letërnjoftimit dhe nënshkrimi i poseduesit të letërnjoftimit.

Formulari i letërnjoftimit shtypet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën angleze dhe alfabetin e saj. Të dhënat në formularin letërnjoftimit shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në alfabetin bazë latin. Për qytetarët që flasin gjuhë zyrtare tjetër nga gjuha maqedonase, formulari i letërnjoftimit shtypet dhe të dhënat në të shkruhen edhe në gjuhën zyrtare dhe letrën që e përdor qytetari. Qytetarëve që flasin gjuhë tjetër nga gjuha zyrtare, me kërkesën e tyre personale, të dhënat për emrin personal që futen në letërnjoftim shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën dhe alfabetin e përdorur nga qytetari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button