OBSH: Shpërndarja e barabartë e vaksinave në rrezik serioz

Këtë javë kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi se bota është në prag të një “dështimi të madh moral” sa i përket shpërndarjes së vaksinës kundër COVID-19. Kjo pasi shumë vende janë duke zhvilluar fushata vaksinimit, ndërsa vende të tjera nuk e dinë se kur do të marrin dozat e para, shkruan Zëri i Amerikës.

Ndërsa disa vende shtojnë vaksinimet kundër COVID-19, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëron se shpërndarja e vaksinës në mënyrë të barabartë është në rrezik serioz.

“Më shumë se 39 milionë doza të vaksinës janë shpërndarë tashmë në të paktën 49 vende të pasura. Vetëm 25 doza janë dhënë në një vend të varfër. Jo 25 milionë, jo 25 mijë. Vetëm 25”, tha Tedros Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Duke folur në takimin vjetor të bordit ekzekutiv të organizatës në Gjenevë, Tedros Ghebreyesus tha se nuk është e drejtë që të rinj të shëndetshëm në vende të pasura të vaksinohen kundër COVID-19 para të moshuarve në vende të varfëra.

“Kjo qasje jo vetëm që i lë në rrezik vendet e varfëra dhe njerëzit në nevojë, por edhe është vetëshkatërruese. Në fund të fundit këto veprime vetëm sa e zgjasin pandeminë, dhimbjen tonë, vuajtjen e njerëzve dhe të ekonomisë”, tha zoti Ghebreyesus.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në botë është afër 97 milionë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button