Sami Luta i pafajshëm, gjyqësori i RMV-së paraprakisht e dënoi me burg të përjetshëm – pa prova

Sistemi gjyqësor dhe prokurorial në Maqedoninë e Veriut e keqtrajtoi për 7 vite Sami Lutën, i cili ishte i akuzuar dhe i dënuar në rastin “Monstra” në mënyrë të padrejtë dhe pa fakte, sot edhe zyrtarisht Prokuroria konfirmoi që ai s’ka kurrfarë lidhje me rastin në fjalë, shkruan Portalb.mk.

“Nuk kemi prova për përfshirjen e tij në këtë rast”, tha prokurorja Fatime Fetai, në seancën gjyqësore ku thoshte fjalët përfundimtare për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të.

Vrasjet në Smillkovë në mënyrë misterioze si dhe deklarimet e autoriteteve shtetërore duke e shkelur prezumimin e pafajësisë, pasi që drejtuan gishtin drejtë një grupi njerëzish duke i akuzuar se kanë kryer “terrorizëm” me prapavijë islamike vetëm se edhe më shumë e tendosën atmosferën në periudhën e ndodhisë. Asokohe bëheshin bastisje e arrestime të shumta.

Gjykimi për Monstrën nisi në dhjetor të vitit 2012, asokohe ishin të akuzuar 6 persona: Alil Demiri, Afrim Ismailloviq, Agim Ismailloviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sejdi Rami.

Në gusht të vitit 2012-të, arrestohet edhe Sami Luta, nën dyshimet se ka dhënë ndihmë logjistike në rastin në fjalë. Më 25 gusht, ai derisa kishte qenë duke shkuar në një dasëm në Kaçanik ndalohet nga autoritetet policore, pas së cilës gjykata i shqipton paraburgim. Në nëntor Prokuroria edhe zyrtarisht Lutën e akuzon për ndihmë logjistike dhe ai bëhet i akuzuari i 7-të në këtë rast.

Luta, një shkupjan i cili njihej edhe si karateist në Shkup, vazhdimisht kishte mohuar pretendimet e Prokurorisë. Edhe avokatët mbrojtës vazhdimisht përsëritnin se ai nuk ka kurrëfarë lidhje me rastin në fjalë dhe se akuzat janë “paushallë”.

Pavarësisht deklarimeve dhe mungesës së provave, gjykimi vazhdoi duke u mbështetur në një deklarim të një dëshmitari kontrovers të “mbrojtur”, i cili quhej me emrin e koduar “E1”.

Në bazë të dëshmisë së këtij, Luta u dënua me burgim të përjetshëm, a të njëjtën e konfirmoi edhe shkalla e dytë, gjegjësisht Gjykata e Apelit. Në dhjetor të vitit 2017-të, Gjykata Supreme e hodhi poshtë aktgjykimin dhe propozoi që ghykimi të fillojë nga e para. Në këtë periudhë, prej vitit 2012-të, deri në vitin 2017-të, Luta ishte në burg – pa asnjë faj. Prej vitit 2017-të e deri sot, Luta gjithashtu është paraqitur me rregullshmëri në seanca gjyqësore, me masa të kufizuara të lëvizjes, ai nuk ka pasur të drejtë ta lëshojë vendin.

Në fjalët e sotme përfundimtare, prokurorja Fatime Fetai deklaroi se deklarimet e dëshmitarit “E1” ishin kontroverse dhe se prej kur e ka marrë lëndën e kanë parë se Luta nuk ka të bëjë me këtë lëndë.

Por, në gjykimin e parë nuk ishte kështu. Trupi i atëhershëm gjykues, dhe prokurori dëshmitarin “E1” e trajtonin si një ndër provat verbale kyçe dhe në bazë të deklarimeve të tija e mbështetnin dhe akuzën dhe më pas edhe aktgjykimin.

Ky dëshmitar ishte ai që e kishte implikuar Lutën, duke gënjyer se e ka parë 3-4 ditë para ndodhisë në Liqenin e Smillkovës, nën dyshimin se ai bashkë me 3 persona tjerë e kanë vëzhguar terrenin.

Në seancë gjyqësore, “E1” e identifikoi Lutën në këtë mënyrë:

“Personi i parë (Sami Luta) ka pasur flokë të zeza dhe të gjata me një njollë në pjesën e majtë të fytyrës”, deklaroi E1, i cili ishte kontradiktë edhe në identifikimin e Lutës. Gjatë seancës së 22 gushtit të vitit 2018-të, Lutës iu kërkua që të çohet në këmbë dhe të kthehet në anën e majtë të tij, megjithatë të pranishmit nuk vërejtën kurrfarë njolle në fytyrën e tij.

Të njëjtën e pohuan edhe dëshmitarët e propozuar nga pala mbrojtëse, Senat Bushi dhe bashkëshortja e tij Valdete.

“Lutën e kam shok të fëmijërisë, jemi komshinj të parë dhe kam marrëdhënie të afërta miqësore. Në periudhën para dasmës dhe gjatë dasmës sime, Sami Luta ka pasur flokë të shkurtëra dhe nuk ka pasur asnjë shenjë në fytyrë. Më herët i ka mbajtur flokët e gjata, por në atë periudhë jo. Samiu ka qenë në dasmën time dhe në videon e dasmës mund të shihet se ai ka pasur flokë të shkurtëra”, tha Bushi, ndërkaq më pas të njëjtën e konfirmoi të njëjtën edhe bashkëshortja e tij.

“E1”, për Lutën ka deklaruar se atë ditë i ka kërkuar shkrepës për ta ndezur cigaren. Pasi që nuk ka pasur shkrepës klasike, “E1” ka thënë se ia ka dhënë shkrepësen e veturës, ndërkaq sipas tij, e ka vërejtur se Luta ka mbajtur në dorë kuti të kuqe të cigareve “Lucky Strike”.

Pala mbrojtëse i ka mohuar deklarimet e dëshmitarit “E1”, duke e vlerësuar si gënjeshtar dhe që merr instruksione nga dikush.

Sido që të jetë Luta edhe zyrtarisht u shpall i pafajshëm, por pasojat dhe keqtrajtimet e sistemit gjyqësor/prokurorial/policor, ndaj tij, familjes dhe miqve të tij, padyshim që nuk mund të dëmshpërblehem me asgjë.

Rasti i Lutës jep porosi që të kyçet alarmi se në shtetin tonë mund të dënohesh madje deri në shkallën e burgimit të përjetshëm PA FAKTE, PA PROVA, por me hamendje. Kjo tregon se sa është e rrezikshme, të jetosh në një shtet që nuk sundon ligji e drejtësia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button