RMV, çdo shtëpi të ketë fotovoltaikë, kalimi i energjisë nga qymyri në diell duhet të fillojë menjëherë

Shtyrja e proceseve të tranzicionit energjetik nuk është opsion për vendin, kurse zgjedhja e skenarit të gjelbër dhe miratimi i Programit për zbatimin e Strategjisë për energjetikë duhet të realizohet sa më shpejt që mundet, apeloi Qendra për hulumtime dhe informim për mjedisin jetësor “Eko vetëdija” (“Eko svest”). Kjo organizata një kohë të gjatë është duke punuar për një fushatë për largimin e qymyrit si burim energjetik dhe të fillojë përdorimi i burimeve alternative të energjisë, proces që ata besojnë se duhet të fillojë menjëherë me plan afatgjatë për një tranzicion të drejtë për rajonet me qymyr për të cilat duhet të mundësohet siguri energjetike dhe stabilitet ekonomik, shkruan META, transmeton Portalb.mk.

Ambientalistët theksojnë se është posaçërisht e rëndësishme që procesi i rritjes së burimeve të ripërtëritshme të energjisë, veçanërisht nga dielli, të mbështetet duke lehtësuar dhe subvencionuar instalimin e fotovoltaikëve në çatitë e familjeve, por edhe edukimi dhe informimi i qytetarët se si t’i përdorin këto lehtësime.

“Shumë qytetarë ende nuk dinë si të zbatojnë skemat që tashmë janë në dispozicion, kështu që informacioni intensiv përmes autoriteteve lokale është më se i nevojshëm. “Të gjitha dokumentet dhe analizat që u përgatitën si pjesë e proceseve aktuale të politikëbërjes në sektorët e klimës dhe energjisë tregojnë qartë se për ne skenari i gjelbër është më i dobishmi ekonomikisht në planin afatgjatë, në të gjitha rastet e tjera të vonimit të tranzicionit energjetik do të pësojmë humbje”, thekson Elena Nikollovska nga “Eco vetëdija”.

Gjatë vitit të kaluar, qeveria ka vendosur qëllime të larta dhe ambicioze në sektorët e energjisë dhe klimës, por ato vështirë do të arrihen nëse këto procese të tranzicionit nga qymyri në energji të rinovueshme nuk përshpejtohen. Realiteti është, apelojnë ekologët, që ne nuk kemi më mundësi për të mirëmbajtur termocentralet me qymyr në vend, sepse rezervat e qymyrit janë shteruar, kurse problemi është mjetet financiare për të mirëmbajtur të gjithë punonjësit në termocentrale, ku ka mbingarkim me punonjës. Megjithatë, ai proces, paralajmërojnë aktivistët civilë, nuk duhet të bëhet në kurriz të banorëve të rajoneve me qymyr, as nuk duhet të ndikojë në jetesën e tyre dhe ekonominë në tërësi.

“Ne nuk mund të lejojmë që termocentralet të vazhdojnë të funksionojnë si më parë, pa desulfurizuesin e nevojshëm, sepse njerëzit vdesin nga kanceri çdo ditë, veçanërisht në rajonin e Manastirit. Për të shpëtuar rajonin e Kërçovës dhe Manastirit nga ngecja, është e nevojshme që menjëherë të fillohet procesi i planifikimit afatgjatë të tranzicionit të drejtë – miratimi i një plani për tranzicion të drejtë të këtyre rajoneve dhe në këtë proces duhet të marrin pjesë aktivisht punëtorët, sindikatat, popullata lokale, bizneset e vogla dhe tradicionale, organizatat e shoqërisë civile dhe autoritetet lokale nga rajoni i Kërçovës dhe Manastirit”, thonë nga “Eko Vetëdija”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button