fbpx

Iniciativa qytetare “BOLL MË” aksion simbolik: Ekonomia shqiptare viktimë e EVN-së

Iniciativa qytetare “BOLL MË”, edhe sot ka protestuar para selisë së EVN-së në Shkup, kundër faturave të larta të energjisë elektrike. Nëpërmjet një aksioni simbolik, ata kanë “varrosur” EVN-në me një arkivol të cilën e sollën para selisë së kësaj kompanie, me përshkrimin “Ekonomia shqiptare viktimë e EVN-së”, shkruan Portalb.mk.

“Këto janë EVN, kjo kompani famëkeqe janë vrasësi dhe varrmihësit e ekonomisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ky është një përshkrim simbolik i gjendjes reale të ekonomisë shqiptare këtu. Gjendje në të cilën është arritur falë “punës” dhe vendimeve arbitrare të EVN-së ndaj shqiptareve. Ekonomi kjo e plagosur, e vjedhur, e gjymtuar nga udhëheqësia e EVN-së të cilët jetojnë në një luks të shfrenuar me paga dhe fitime marramendëse. Fitime të cilat kanë emër dhe mbiemër, ai është portofoli shqiptar. Imagjinoni dot shekullin 21, kemi të bëjmë me jetësim të racizmit etnik mbi kurrizin tonë nga kjo korporatë famëkeqe si dhe me ndihmën e KRRE-së dhe kryeministrit Zaev të cilët janë të kapur nga kjo kompani”, tha Krenar Osmani nga kjo iniciativë.

Më tej ai ka treguar edhe shembuj ku amvisëritë kanë vazhduar të pranojnë fatura me çmime të larta të energjisë elektrike, edhe përkrah kërkesave të tyre që t’u ndryshohen tarifa e faturave.

“Këtu është një rast eklatant i cili ka marrë të drejt tre herë nga KRRE-ja, tre vendime të njëpasnjëshme brenda 13 muajsh, ku i kërkon EVN-së që ta kyç këtë amvisëri në gjendje standarde, të tre radhët EVN i refuzon dhe ja ku është fatura e 2011-tës e po të njëjtës amvisëri është me tarifë me fashë industriale”, theksoi ai.

Më 18 dhjetor, iniciativa qytetare “BOLL MË” hapi në Tetovë zyrë e cila ofron ndihmë juridike falas nga persona përkatës të kësaj fushe, për të gjithë qytetarët të cilët konsiderojnë se janë dëmtuar nga kompania EVN dhe KRRE.

Nga iniciativa “Boll Më” deri tani kanë shprehur revoltën e tyre në forma të ndryshme, edhe atë duke protestuar në qendër të qytetit të Tetovës, para EVN-së, duke bllokuar rrugë të ndryshme.

Me datë 4 dhjetor, ata i dhuruan filialit të EVN-së në Tetovë trofeun “Hajni i artë”. Me këtë, siç thonë aktivistët që që kërkojnë ulje të çmimit të rrymës në RMV, dëshirojnë të “shpërblejnë” këtë kompani për të gjitha të arriturat gjatë funksionimit të saj. Në ndërkohë, vazhdojnë punët për propozim ligjin e iniciativës.

Kërkesat e tyre i mbushin 4 muaj e gjysmë, çdo javë nga 1 protestë, asnjë reagim nga kompetentët!

Ata kërkojnë, anulimin e rritjes së fundit të çmimit së energjisë elektrike, zbritjen e çmimit të kilovatit për 46%, eliminimin e monopolit të EVN-së, uljen e TVSH-së nga 18% në 5%, krijimin e një trupi të tretë arbitrar i cili do të monitoroje punën e EVN-së, si dhe do të shqyrtoje kërkesat-ankesat e konsumatorëve, faljen e borxheve të akumuluara të rasteve sociale si dhe shlyerjen e kamatë-vonesave për të gjitha shtresat e konsumatorëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button