RTVM ka shënuar humbje prej miliona eurosh me drejtorin i cili është që nga koha e Gruevskit

Radio Televizioni i Maqedonisë e mbylli vitin 2019 me humbje prej 8.5 milion euro, kurse vitin paraprak 2018 me humbje prej 420 mijë euro, sipas Raportit vjetor për veprimtari publike radiodifuzive Radio Televizionit të Maqedonisë për vitin 2019, i cili këtë javë ishte në rend dite të Komisionit Parlamentar për transport, lidhje dhe ekologji, së bashku me planet financiare për vitin 2020 dhe 2021, njofton Portalb.mk.

Drejtor i përgjithshëm i RTVM-së që nga viti 2012 është Marjan Cvetkovski. Për herë të fundit ai u rizgjodh në shkurt të vitit 2018 për një mandat tre-vjeçar, i cili i përfundon muajin tjetër. Drejtori i përgjithshëm i RTVM-së zgjidhet nga Këshilli programor i RTM-së, anëtarët e të cilit zgjidhen nga Kuvendi me shumicën e dy të tretave dhe hera e fundit që deputetët zgjodhën anëtarë të këtij organi ishte në vitin 2014, kur Nikolla Gruevski ishte Kryeministër.

Në ndërkohë, Kuvendi tejkaloi të gjitha afatet ligjore të parashikuara për zgjedhjen e përbërjes së re të Këshillit Programor të RTVM-së. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, shpalli konkurs për anëtarë të rinj të Këshillit programues në janar të vitit 2019 dhe për 13 vende, u paraqitën 19 kandidatë.

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, i cili duhej të përcaktonte listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Programor dhe të zhvillonte intervista me kandidatët, nuk e diskutoi këtë çështje deri në shpërbërjen e Kuvendit më 16 Shkurt 2020. Kryetari i atëhershëm i komisionit, Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE, nuk caktoi debat mbi këtë pikë me shpjegimin se nuk ka konsensus midis qeverisë dhe opozitës.

Buxheti i shtetit për vitin 2021 për aktivitetin e radiodifuzionit, zë një shumë të caktuar për financimin e RTVM-së, për çka janë parashikuar 14.6 milion euro. Në vitin 2020, kjo shumë arriti në 19.5 milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button