fbpx

Drita Islami: Kulmi i karrierës sime do të mbetet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike

Atletika njihet si mbretëresha e sporteve, ndërsa mbretëresha e këtij sporti në Maqedoni vazhdon të jetë Drita Islami. Drita është nga Shkupi dhe me këtë sport ajo filloi të merret që në moshën 11-vjeçare, shprehet ajo në një intervistë për Portalb.mk. Deri më tani ajo ka thyer shumë rekorde brenda dhe jashtë vendit.  

Po si filloi i gjithë angazhimi i Dritës në atletikë?

“Fillimet e mia në sport i mbaj mend shumë mirë, pasiqë janë një ndër kujtimet e mia më të bukura. Isha shumë e re në moshë diku 11-vjeçare kur kam filluar hapat e para në vrapim. Fillimisht bëja gara me fëmijët e gjeneratës sime, të klasës së pestë  në Shkollën Fillore “Dituria”, në Saraj. Pasi dola aty e para, vazhdova të garoj në nivel komunal duke e prezantuar shkollën time dhe, për fat të mirë, në këto gara dola e dyta, gjë që më shtyu të garoj përsëri një vit më pas në të njëjtën garë, por kësaj radhe me klasat e gjashta, ku dhe dola e para. Ishte një kenaqesi e veçantë, disi e permbusha veten time me këtë fitore, si fëmijë që isha, ndihesha krenare me arritjen time. Në këtë garë ishte prezent dhe trajneri i Klubit të Atletikës “Liria”, i cili e vërejti talentin tim dhe më kërkoi që t’i bashkohesha ekipit dhe që ateherë fillova pikërisht me sportin e atletikës në një nivel më profesional.” tha Drita Islami.

This slideshow requires JavaScript.

Drita gjatë karrierës së saj në sportin e atletikës ka korrur suksese gati se në çdo garë. Por, sa u përket garave të cilat gjithmonë do t’i kujtojë, Drita shprehet:

“Kuptohet që kulmi i karrierës sime do të mbetet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike, si shqiptarja e parë nga Maqedonia. Olimpiada është ëndërr e çdo sportisti, gjithashtu ishte edhe ëndrra ime, të cilën e bëra realitet. Por, gjithashtu do t’i veçoja edhe fitoret e mia dy vjet rradhazi në Kupën e Evropës, liga tretë, 2017 dhe 2019.” Shtoi Drita

Mesazhi i Dritës për të gjithë sportistët e rinj është:

“Mesazhi im do të ishte që të punojnë fort për të arritur suksese sa më të mëdha. Ta përfaqësojmë veten dhe vendin tonë denjësisht, t’i bëjm të tjerët krenarë me arritjet tona dhe ta përkrahim sa më shumë njëri-tjetrin.” shprehet Drita.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button