Kina ka vendosur sanksione ndaj ish-zyrtarëve të administratës Trump

Qeveria kineze dje kishte njoftuar se ka vendosur sanksione kundër zyrtarëve të administratës Trump vetëm disa minuta pasi Joe Biden ishte betuar si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, njofton Portalb.mk.

Ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ishte mes 28 personave që ministria tha se “planifikuan, promovuan dhe ekzekutuan një seri lëvizjesh që kanë ndërhyrë rëndë në punët e brendshme të Kinës, dëmtuan interesat e Kinës, ofenduan popullin kinez dhe prishën seriozisht marrëdhëniet Kinë-SHBA”.

Kina vendosi sanksione edhe ndaj këshilltarit tregtar të ish-Presidentit Donald Trump, Peter Navarro, ish-Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe paraardhësit të tij, John Bolton.

Sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Kinës, sanksionet janë vendosur për “veprime që kanë ndërhyrë rëndë në punët e brendshme të Kinës“, shkruan Reuters.

Më tej shtohet se “Këtyre individëve dhe anëtarëve të tyre të familjes së ngushtë u ndalohet hyrja në territorin e Kinës, Hong Kong dhe Makao”.

Marrëdhëniet kinezo-amerikane u përkeqësuan pasi ish-Presidenti Trump filloi luftërat tregtare kundër Pekinit pak pasi mori presidencën.

Ndërkohë, kompania Twitter ka bllokuar llogarinë e Ambasadës së Kinës në SHBA, pasi kishte postuar përmbajtje që mbronte politikat e Kinës në rajonin Ksinjiangut.

Vendimi i Twitter vjen një ditë pasi administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, e përcaktoi politikën e Pekinit ndaj pakicave etnike dhe fetare në këtë rajon si “gjenocid”.

“Ne kemi ndërmarrë veprime bazuar në shkeljen e politikës sonë kundër çnjerëzimit”, tha një zëdhënës i Twitterit. “Ne ndalojmë çnjerëzimin e një grupi bazuar në fenë, etninë, moshën, aftësinë e kufizuar, sëmundjen e rëndë ose origjinën”, tha zëdhënësi.

Llogaria e Ambasadës Kineze në fillim të këtij muaji postoi një cicërimë në të cilën thuhej se gratë ujgure nuk ishin më “makina për të bërë fëmijë”, duke cituar një studim të raportuar nga gazeta e mbështetur nga shteti, China Daily.

Vetë Twitter është bllokuar në Kinë, por diplomatët e vendit dhe media shtetërore shpesh e përdorin këtë platformë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button