fbpx

“Monstra”, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për 3 persona, Fetai: I kanë kryer vrasjet që ta destabilizojnë shtetin

Sot është mbajtur seancë maratonike për rastin “Monstra” në të cilën prokurorët Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski i kanë thënë fjalët përfundimtare për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, raporton Portalb.mk.

Distancimi nga një pjesë e akuzës së vjetër, lirimi i Lutës

Prokuroria në fillim të seancës u distancua nga një pjesë e akuzës paraprake, sipas të cilës 6 persona të cilët akuzoheshin se e kanë kryer vrasjen u dënuan me burgim të përjetshëm,. Rrjedhimisht me këtë ajo njoftoi se e tërheqë dhe akuzën për të akuzuarin Sami Luta, pasi që sipas tyre nuk ka prova se personi në fjalë ka qenë i përfshirë në këtë rast.

“E vetmja provë për Lutën është dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur “E1”, i cili ka thënë se Luta ka qenë në terren përpara se të ndodh vrasja për ta parë vendin. Për shkak të mungesës së provave ne e tërheqim akuzën për Sami Lutën”, tha prokurorja Fetai.

Ajo gjithashtu u distancua nga të thënat në akuzën paraprake se personat e akuzuar janë marrë vesh që të vrasin maqedonas në disa lokacione, pasi që për të njëjtën nuk ekzistojnë prova. Ajo tha se nuk ka prova edhe për atë se vrasjet kanë ndodhur në mënyrë të mundimshme, pasi që edhe ajo nuk mund të dëshmohet.

“Gjithashtu nuk dihet se kush me çfarë arme ka gjuajtur. Por dihet se personat janë vrarë me tre armë. Për rastin nuk ka dëshmitar që e ka parë aktin e vrasjes”, tha Fetai.

Kërkesat e Prokurorisë për dënime

Prokuroria kërkon dënim me burg të përjetshëm për vllezërit Alil Demirin dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailloviq, pasi që sipas saj të njëjtit e kanë kryer veprën “Terrorizëm”.

Për Fejzi Azirin propozon që të dënohet me burg prej 15 vjetëve pasi që, sipas tyre, ai i ka ndihnuar Afrim Ismailloviqin dhe Alil Demirin që të arratisen në Kosovë.

“Fejzi Aziri e ka ditur që Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq e anë kryer aktin, por ai megjithatë e ka organizuar arratisjen e tyre në Kosovë”, tha Fetai.

Për Haki Azirin prokuroria kërkon që të dënohet me 9 deri në 10 vite burg, për shkak se, sipas tyre, ai i ka transportuar kryerësit e vrasjes.

“Haki Aziri e ka ditur që Alil Demiri dhe Afrim Isamailloviq do të bëjnë diçka, i ka marrë dhe i ka transportuar në një lokacion tjetër. Derisa i ka vozitur nuk e ka ditur se do të kryejnë vepër penale. Pastaj e kupton. Dhe nuk i fshinë gjurmët”, tha Fetai.

Motivi i aktit, sipas Prokurorisë

Motivi për vrasjen e pesëfishtë sipas Prokurorisë është që sipas të gjitha gjasave, të përsëritet konflikti i 2001-shit dhe t; ketë destabilizim në shtet.

“Për opinionin dhe për familjet e viktimave është me rëndësi që të kuptojnë se pse është kryer ky akt në këtë mënyrë. Pse? Nga provat dhe rrethanat del se zgjedhja e viktimave të jenë maqedonas, disa ditë para Pashkëve. Por, prova konkrete, te vepra terrorizëm nuk ekzistojnë. Këto janë vetëm qëndrime tona, të prokurorisë se çfarë mendojmë se është motivi.” tha Fetai.

“Ndoshta në fillim të hetimit organet hetuese është dashur që të punojnë me Haki Azirin rreth kësaj çështje për të kuptuar motivin, por sipas të gjitha gjasave, ata kanë qenë në trysni të vijnë deri te ndonjë rezultat  sa më shpejtë dhe e kanë mënjanuar çështjen më të rëndësishme, pra të kuptojnë motivin. Motivin mund të na thonë në sy vetëm ata që e kanë kryer vrasjen, e ata një ditë do të paraqiten para drejtësisë këtu.” tha Fetai.

Sipas saj, organet janë pajtuar me tezën për të pasur “Pashkë të përgjakura”, por nuk kanë dhënë përgjigje pse.

“Bëhet fjalë për ngjarje e cila ka mundur të shkaktojë konflikt dhe viktima të pafajshme, por edhe destabilizim të shtetit. Jemi drejtuar deri te Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, por nuk kemi marrë informata të rëndësishme, prandaj motivin e japim ne si Prokurori”, tha Fetai.

Sipas Prokurorisë, Zaevi nuk e ndryshoi “të vërtetën për Monstrën”, funksionarët nuk janë të përzier

Sipas Prokurorisë, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili disa herë nëpër media ka dalë duke deklaruar se ka materiale të përgjuara të cilat mund ta zbardhin të vërtetën për “Monstrën”, i ka dorëzuar të njëjtat deri tek ata, por materialet në fjalë nuk kanë treguar të vërtetën, e cila sipas tyre, ekziston.

“Prej materialeve të përgjuara nuk kanë dalë fakte të rëndësishme. Edhe përskaj deklarimeve publike, u hodhën dyshime që që përgjimet do ta tregojnë një të vërtetë tjetër për Monstrën, ndaj të cilës tërhiqej opinioni. Por, as përgjimet e as dëshmia e tij, nuk e ndryshuan të vërtetën për Monstrën”, tha Fetai.

Fetai u ndal duke shpjeguar edhe për dëshmitë e funksionarëve të tjerë, sipas të cilës, u dëshmua se asnjëri prej tyre nuk ka qenë i përfshirë në këtë rast. Ai përmendi dëshmitë e Ali Ahmetit, Musa Xhaferit, Bujar Osmanit, Blerim Bexhetit, Xhelal Bajramit, Sasho Mijallkovit, Lubço Todorovskit.

Prokuroria hodhi poshtë, “spekulimet” për Monstrën

Sipas Prokurorisë, “Opel Omega”, që sipas akuzës të akuzuarit janë transportuar me këtë veturë nuk është në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas Prokurorisë, vrasja ka ndodhur në Liqenin e Smillkovës – trupat nuk janë sjellë prej ndonjë vendi tjetër.

Sipas Prokurorisë, djemtë e vrarë nuk kanë pasur lidhje me vajzën e kryeparlamentarit Trajko Veljanovski dhe se ajo lidhje mund të ketë qenë arsyeja për vrasjen. Sipas Prokurorisë, ata as që janë njohur mes vete.




Pas fjalëve përfundimtare të Prokurorisë më 3 shkurt fjalët përfundimtare duhet t’i japin edhe pala mbrojtëse. Pas kësaj, fjalën e ka trupi gjykues, i cili duhet t’i vlerësojë provat e mbrojtjes dhe akuzës dhe të shqiptojë aktgjykim.

Rasti “Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button