Në ditën e parë, Joe Biden pritet të zhbëjë politikat e presidentit Trump për klimën, virusin

Në orët e tij të para si president, Joe Biden synon të godasë në zemër të trashëgimisë së politikës së presidentit Donald Trump, duke nënshkruar një seri veprimesh ekzekutive që përmbysin urdhrat e paraardhësit të tij për imigracionin, ndryshimet e klimës dhe trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Biden të mërkurën do t’i jap fund ndërtimit të murit kufitar me Meksikën, do t’i japë fund ndalimit të udhëtimit nga disa vende me shumicë myslimane, të bashkohet me Marrëveshjen e Parisit për klimën dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe të heqë miratimin e tubacionit të naftës Keystone XL, thanë ndihmësit e tij. Presidenti i ri do të nënshkruajë urdhrat pothuajse menjëherë pasi të bëjë betimin, njofton Zëri i Amerikës.

Pesëmbëdhjetë veprimet ekzekutive të tij janë një përpjekje për të kthyer mbrapsht katër vitet e fundit të politikave federale me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Vetëm dy presidentë të kohëve të fundit nënshkruan veprime ekzekutive në ditën e tyre të parë në detyrë – dhe secili nënshkroi vetëm një. Por, Biden, duke u përballur me pandeminë rraskapitëse të koronavirusit, ka për qëllim të demonstrojë një ndjenjë urgjence dhe kompetence. që ai argumenton se i ka munguar paraardhësit të tij.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme që mund të themi është që nesër të fillojë një ditë e re”, tha Jeff Zients, i zgjedhuri i Biden për të drejtuar një zyrë të re të Shtëpisë së Bardhë që do të bashkërendojë qasjen e qeverisë federale ndaj pandemisë.

Urdhrat shtrihen përtej pandemisë. Biden synon të urdhërojë një rishikim të të gjitha rregulloreve dhe veprimeve ekzekutive të presidentit Trump, që konsiderohen të dëmshme për mjedisin ose shëndetin publik. Ai do të urdhërojë agjencitë federale që t’i japin përparësi barazisë racore dhe rishikimin e politikave që forcojnë racizmin sistemik. Ai do të anulojë një urdhër të presidenti Trump që synonte të përjashtonte qytetarë pa shtetësi amerikane nga regjistrimi dhe do të urdhërojë punonjësit federalë të bëjnë një zotim etik që i angazhon ata të mbështesin pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë.

Susan Rice, këshilltarja e Biden për politikat e brendshme, tha se presidenti i ri do të anulojë gjithashtu raportin e sapo-lëshuar të “Komisionit 1776” të presidentit Trump për të promovuar “arsimin patriotik”.

Këto veprime do të ndiqen nga dhjetëra të tjera në 10 ditët e ardhshme, thanë ndihmësit e Biden.

Në veprimet e para nuk janë përfshirë hapa të menjëhershëm për t’u rikthyer në marrëveshjen bërthamore me Iranin që u braktis nga presidenti Trump dhe të cilën Biden është zotuar ta rizbatoj.

Jen Psaki, sekretare e ardhshëm e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, tha se ndërsa nuk u përfshinë në urdhrat e ditës së parë, presidenti i ri do të anulojë në ditët në vijim ndalimin e Pentagonit për shërbimin ushtarak nga amerikanët transgjinorë si dhe qasjen e cila ndalon financimin amerikan për organizatat ndërkombëtare që kryejnë ose referojnë gratë për shërbime aborti.

Psaki tha se veprimet që do të ndërmerren të mërkurën janë të përqendruara në sigurimin e “lehtësimit të menjëhershëm” për amerikanët.

Në një përpjekje tjetër për të sinjalizuar një kthim në kohërat para Trumpit, Psaki tha se do të mbajë një konferencë për gazetarët të mërkurën vonë në një shenjë të angazhimit të administratës për transparencën. Shtëpia e Bardhë e Trump kishte braktisur praktikën e informimit të gazetarëve çdo ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button