Komuna e Sarajit filloi me rrënimin e objekteve pranë Liqenit Treska

Komuna e Sarajit filloi me rrënimin e objekteve dhe përmbajtjeve në Liqenin e Treskës. Me mekanizim ndërtimor largohen shtëpizat, kafenetë, restorantet, pishinat, tualetet tani më të shkatërruar, të cilat para dyzetë viteve ishin ndërtuar me vetë-kontribut të qytetarëve, njofton Portalb.mk.

Me rrënimin e infrastrukturës, Komuna e Sarajit fillon me procedurën e realizimit të Planit detajuar urbanistik (PDU), përkatësisht me ndërtim të komplekseve hotelerike dhe vikend lagjes. Para vitit të ri, komuna u caktoi afat pronarëve të kampeve që të zhvendoseshin nga liqeni. Por këta të fundit u shprehën të vendosur që të mos largohen prej aty, gjë që e kërkon Komuna e Sarajit, me arsyetimin se vendi do të revitalizohet. Megjithatë, atë e shohin këtë si tentim që komuna ta uzurpojë këtë vend turistik. Ata u kanë bërë thirrje shoqatave qytetare, organizatave joqeveritare, avokatëve që t’i mbështesin në këtë luftë.

Rrënimi i objekte në Saraj, foto Portalb.mk/Arbnora Memeti

Nga ana tjetër, edhe kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti ishte shprehur i vendosur në realizimin deri në fund të vendimit të tij. Ai deklaroi për mediat se janë të njoftuar që t’i largojnë kampet, pasi komuna Saraj dhe Këshilli i Komunës kanë plan urbanistik që ndodhet në kadastër.

“Inspektori ynë i mjedisit jetësor në vendin ku janë vendosur kampet ka konstatuar që nuk ka kushte adekuate. Nuk respektohen rregullat, shumë prej tyre janë të rrethuara dhe mbi ndërtuara. Nuk mund ata që janë qiraxhi të jenë pengesë për realizimin e planit dhe ngjalljes së serishme të këtij simboli të Shkupit. Në të njëjtën kohë, pasi e miratuam planin e ri urbanistik, të premten parashtruam kërkesë me shkrim në Qeveri për ta shpallur liqenin e Treskës për zonë të lirë turistike, me çka do të mund të kërkojmë investitorë që do ta ngjallin dhe rregullojnë hapësirën”, deklaroi Bexheti.

Bexheti atëherë paralajmëroi që do të mbajë pres konferencë tematike në të cilën, publikut do t’i prezantojë se çfarë parashihet me Planin e ri të detajuar urbanistik, i cili do të ndërtohet në liqenin Treska, mirëpo kjo ende nuk ka ndodhur.

Komuna e Sarajit kishte kërkuar nga Qeveria që të shpallë liqenin e Treskës për zonë të lirë turistike dhe të largohen kampet e vendosura rreth liqenit.

Rrënimi i objekte në Saraj, foto Portalb.mk/Arbnora Memeti

Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja vitin e kaluar, një pjesë të tokës bujqësore në fshatrat Gllumovë dhe Shishevë, që gjendet rreth liqenit, e ridedikoi në tokë ndërtimore që të mund Komuna e Sarajit të përgatisë Plan të detajuar urbanistik. Atëherë nga Qeveria deklaruan që ky vendim është miratuar që të mund në këtë pjesë të periferisë së kryeqytetit të shënohen pulla dhe të ndërtohet vikend-lagje, kompleks hotelerik dhe qendër rekreative sportive për zhvillim të eko-turizmit, me çka njëkohësisht do të kthehet në funksion edhe liqeni.

Revitalizimi i Liqenit të Treskës, është një projekt i shumë premtuar për vite të tëra nga ana e kryetarëve të kësaj komune.  Liqeni artificial i Treskës, me sipërfaqe 136.000 metra në katror, thellësi nga 1.6 m deri në 3 metra dhe kapacitet për 10.000 notues, në vitet 1980-1990 ka funksionuar kryesisht si vend për piknik për shkupjanët, veçanërisht në muajt e verës.. Ky kompleks rekreativë është ndërtuar në vitin 1978. Në hapjen solemne të këtij vendi turistik mori pjesë edhe kreu i ish shtetit të Jugosllavisë Josip Broz Tito.  Rreth liqenit dikur, ka pasur shtëpiza, kafene, restorante, pishina, garderoba, tualete, terrene sporti si dhe kampe për rimorkio. Liqeni Treska jetoi vetëm 20 vite. Në vitin 1998, për shkak të ndotjes së ujit u mbyll për t’u pastruar dhe që atëherë filloi shkatërrimi i tij. Sot, njëzet vite pasi është mbyllur, kompleksi rreth liqenit është tërësisht i shkatërruar.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button