Zaev ambasadorëve të vendeve të BE-së: Të vazhdohet dialogu me Bullgarinë, por vijat e kuqe mbeten

Shefat e misioneve diplomatike të vendeve anëtare të BE-së në vend, të udhëhequr nga ambasadori i BE-së David Gir, sot, në takimin e rregullt vjetor me kryeministrin Zoran Zaev, treguan interes të veçantë për aktivitetet për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Bullgarinë për shkak të të cilave nuk u arrit konsensusi për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut në Bruksel, informojnë nga Qeveria, transmeton Portalb.mk.

Në takim, siç thuhet në deklaratën e qeverisë, ishte shprehur një mendim i pandarë që procesi duhet të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përfundojë me fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

Në komunikatë shtohet më tej se Zaevi ka theksuar që anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk ka asnjë alternativë dhe për këtë arsye është e rëndësishme të vazhdohet dialogu me Bullgarinë, në frymën e respektit reciprok dhe në zbatimin e marrëveshjes së miqësisë përmes një bashkëpunimi më intensiv ndërsektorial.

“Në të njëjtën kohë, ne qëndrojmë të vendosur në lidhje me çështje të caktuara, të cilat janë vijat tona të kuqe, të tilla si identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase, për to nuk negociojmë”, tha Zaev.

Gjatë debatit, Kryeministri Zaev mirëpriti mbështetjen e shprehur për zgjerimin e BE-së nga ambasadorja e Portugalisë Virginia Pina, duke shtuar se qëndrimi i Presidencës portugeze se fillimi i negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut është ndër prioritetet e saj dhe se Portugalia do të bëjë çdo përpjekje për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.

Qeveria shtoi se Zaev ndau edhe pritjet nga Plani gjithëpërfshirës ekonomik dhe i investimeve për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, i cili do të mobilizojë fonde deri në 9 miliardë euro për investime në transport, energji, tranzicion të gjelbër dhe digjital, për të krijuar rritje të qëndrueshme dhe vendet e punës, duke rritur zhvillimin ekonomik të vendit në periudhën pasuese postkovid.

Zaev shprehu mirënjohje për mbështetjen e Brukselit për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në sigurimin e vaksinave kundër kovid-19, dhe shprehu pritjen që do të ketë përshpejtim të kësaj procedure si shenjë e vazhdimësisë dhe solidaritetit në trajtimin e pandemisë.

“Mbështetja unanime e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për perspektivën e qartë të Maqedonisë së Veriut si anëtare e BE-së në takim është motivimi më i fortë për reformat tona që t’i sjellim vlerat evropiane në shtëpi”, tha Zaev.

Ndërkohë zyrtarët portugez nuk janë me qëndrim të unifikuar sa i përket çështjes së fillimit të negociatave me Maqedoninë.

Derisa ambasadorja e Portugalisë Virginia Pina, ministri i Jashtëm portugez Augusto Santos Silva dhe sekretarja së këtij shteti, deklaroјnë se Portugalia do të përpiqet të organizojë konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në gjysmën e parë të vitit, ambasadori i tyre në Bashkimin Evropian tha se Lisbona zyrtare do të jetë e kujdesshme në çështjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe se “nuk është në rregull të akuzohet Bullgaria për pengimin e procesit, sepse pikërisht ai shtet është një nga mbështetësit më të fortë të zgjerimit të BE-së”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimt, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 nuk dihet nëse do të ketë sukses në këtë drejtim. Nëse presidenca portugeze tregon më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në prill, kështu që me gjasë vendimi, nëse nuk ndodh siç paralajmërojnë disa zyrtar portugez se mund të ketë fillim të negociatave deri në korrik, ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button