fbpx

JASHTË MODE…

Atij që nuk i mjafton koha e tij kërkon kohëra tjera nëpër librat e shkruar që në fëmijërinë e njerëzimit, në lashtësi, në epokat pasardhëse.

Me kohën e tyre mjaftohen ndjekësit e modës, të shijes së huaj, që janë shumica e lumtur.

I kujtohet një stilisti dhe thotë se ngjyra e verdhë ose e kuqe është në modë dhe miliona njerëz blejnë veshje me kësi ngjyrash. Më pas del stilisti tjetër dhe thotë se ngjyra e tij e preferuar është e kaltra dhe bota sërish ndjek këshillat dhe shijen e huaj.

Për dallim nga ndjekësit e shijes së huaj, nga ata që jetojnë vetëm në kohën e tyre, unë jam i dalëmode, ashtu sikurse Vislava Shimborska, që thotë: “Unë jam jashtë mode dhe mendoj se leximi i librave është argëtimi më madhështor që deri më sot ka shpikur soji njerëzor”. 

I lexoj librat që janë jashtë modës, por që mbeten edhe kur kalon një modë e vjen një modë tjetër dhe nuk më pëlqejnë shumica e librave që reklamohen me bujë. Libra të verdhë. Libra në modë. Libra plazhi. Libra që ta pushojnë trurin. Truri është për t’u lodhur. Për të menduar. Së paku te njerëzit. Ushqimi i trurit janë informacionet. Lexoj libra që e ndryshojnë kiminë e intelektit; që dijen ta japin shumë vështirë.

Përse duhet të lexojmë libra që janë shkruar para disa shekujsh apo vitesh? A nuk na mjaftojnë vetëm librat e shkruar në shekullin tonë?

Nuk mjaftojnë.

Duke lexuar libra të vjetër arrijmë ta shijojmë aromën e kohëra të kaluara; e lexojmë jo vetëm një kohë të kaluar, por edhe kohën tonë. Nëpërmjet të njohurës, asaj që ka ndodhur, arrijmë ta njohim të panjohurën e kohës sonë, ashtu si në teatrin epik. Madje, edhe nëpër librat e çmuar të kohës sonë dëgjojmë zërat e librave të vjetër, që studiuesit e quajnë ndërtekstualitet.

Bota është zhvilluar në planin e teknikës dhe teknologjisë. Sot nuk ka luftëra kalorësish të fisëm. Kreshnikët shqiptarë, prej se doli arma e zjarrit, u strehuan nën dhé. Luftërat tani bëhen me drone, nga distanca. Megjithatë, dhembja e atyre që plagosen në fushëbetejë është e njëjtë. E  njëjtë është edhe dhembja e atyre që humbin të dashurit e tyre. Nuk dallojnë as dredhitë e diplomatëve të karrierës prej dredhive të bajlozëve.

Njeriu nuk ka shpikur ndjenja të reja. Nuk ndryshon ndjenja për pushtet te një politikan i sotëm me ndjenjën për pushtet te ndonjë personazh i Shekspirit.

Ndodh që një epokë ta ketë të theksuar një ndjenjë më shumë se sa epoka tjetër. Ndonjë epokë ka më shumë krenari, fisnikëri dhe ndjenjë për lavdi. Ndonjë epokë ka “dhimbje bote”. Ndonjë tjetër ka më shumë bezdi.

Ende kam dilema për ndjenjën dominuese të epokës sonë. Di se epoka jonë nuk e ka të theksuar ndjenjën për drejtësinë, të mirën, të drejtën, të fismen. Di se në epokën tonë më i popullarizuar është kiçi dhe lajmi i rrejshëm…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button